Ç’je ti jetë - libër poetik me empati

Libra

Ç’je ti jetë - libër poetik me empati

Nga: Mr. sc. Shefki Stublla Më: 8 shkurt 2023 Në ora: 17:14
Foto ilustrim

Lexuese dhe lexues të nderuar, një lajm i mirë poetik: këto ditë doli nga shtypi, tek ShB ”Nositi”, libri i bibliofilit të mirëfilltë, Sulejman Dërmakut - me titull Ç’JE TI JETË, libër ky që është shoku më i mirë për çdo lexues, sidomos për të moshuarit, të cilëve ua lehtëson vetminë.

Pyetjes “Ç’je ti jetë” apo “Ç’është jeta” i janë dhënë përgjigje të shumta, shkencore, filozofike, teologjike dhe spirituale gjatë historisë, por asnjëra nga to, nuk mëton se është definicion absolutisht i saktë. Edhe Anshtajni, lidhur me këtë pyetje, dha një përgjigje: ”Kush nuk shikon asnjë kuptim në jetë, jo vetëm është fatkeq, por, pothuajse, është i paaftë për jetesë, të jetojë”.

Sulejman Dërmaku, autori i këtij libri interesant dha një përgjigje, me dy epitafe, duke u nisur mbarë, nga familja e vet, nga prindërit, dy shtyllat e sajimit të jetës familjare, të vendosura në ballë të librit:

“Babait tim (Isuf) dhe nënës sime (Hysnije),

që më rriten me thërrime!

me dashuri të thellë e me nderime!”.

Kur i lexon vargjet e këtyre dy “epitafeve” kënaqesh e shkrihesh nga kënaqësia dhe respekti e dashuria që ka poeti ndaj prindërve. Krijon një lidhje shpirtërore, sepse përmbajtja e tyre është një kimi që vetëm natyra e fal dhe rrallëkund e gjen. Them është gjynah të mos i lexosh këto poezi të kësaj vepre, nga të cilat mëson dhe edukohesh. Më vjen të them, vargu i mirë i poetit të mirë. Këto vargje ta pushtojnë zemrën dhe ke përshtypjen që grishin lexuesin që t’i respektojë dhe t’i dojë prindërit, sepse borxhi ndaj tyre nuk mund të lahet kurrë, në masën që e meritojnë. Vargjet e këtyre poezive sikur burojnë nga kroi i një ambienti të pandotur, të gjelbër, plot oksigjen dhe ta freskojnë shpirtin e ta shuajnë etjen për dashuri ndaj jetës. Me këtë rast, më duhet të them, poeti menaxhon mrekullueshëm fjalën të cilën e vendos në kohë dhe hapësirë adekuate. Çdo fjali e tyre është e thurur për mrekulli, ku kryefjalën dhe kallëzuesin e gjen në vendin e vet adekuat.

Librin e karakterizon urtësia e madhe dhe e thellë, e përqendruar në mendime të kuptueshme të jetës poetike. Me to poeti të realitetin e jetës e vërteton me dëshmi konkrete të jetës së njerëzve. Me të vërtetat për jetë të drejtë. Ato qartësohen në çdo varg të çdo poezie. S’ka vështirësi që ato të zbulohen, sepse lehtë dallohen kur të lexohen. Ato grishin lexuesin dhe e orientojnë nga e mira njerëzore dhe gjallërohen në shpirtin e lexuesit, të cilave jeta u përgjigjet sinqerisht. E vërteta, shija dhe porosia e këtyre vargjeve dëshmohet sot e do të dëshmohet përherë, sepse porosia e tyre themelore është edukative, kur lexuesi e gjen rrugën për jetë, pa pretenduar që ta sundojnë atë. Poezitë sugjerojnë porosinë: “bën mirë, gjen mirë” dhe “çfarë mbjell - korrë”. Porosia e tyre themelore është synimi që jeta të jetohet dhe të shfrytëzohet në bazë të punës së mirëfilltë. Këto poezi janë në shërbim të së mirës dhe arsyes, por edhe për të kuptuar më mirë vetveten.

Përmbajtja themelore e këtyre poezive flet për përvojën e autorit, i cili në bazë të saj shfaq mendimet e veta poetike, të cilat nuk duan ndonjë koment të gjerë, sepse janë të qarta dhe të kuptueshme. Jam i bindur se këto poezi do të lexohen, do të mirëpriten dhe do të mirëkuptohen nga lexuesit, sepse në to gjen shpjegime se çfarë është jeta, cili është qëllimi i saj dhe ç’domethënie ka jeta në orbitën e saj, ku çdo gjë lundron pa u përplasur me njëra-tjetrën. Prej nga ky sinkronizim, kjo balancë, kjo harmoni e dizajn që e studion dhe përdor njeriu gjatë jetës. Përgjigjen do ta gjeni këtu.

Ja përmbajtja e shkurtër, cilësore e disa poezive:

I.

Xhelozia, në zallamahi, për të qenë i parë, ”në kohën kur duhet bërë grusht si një, kur armiku ynë prore masakron, akuzon, ne i bëhemi dëshmitar, vetëm për të qenë i parë”;

Dinakëria, ky veprim për mashtrim, cilësohet si fuqi e të ligjve, me dhelpëri, dredhi, lapërdhi që ndër njerëz shkakton tragjedi;

Heroizmin e atij që të imponohet, që dërdëllit, ulërin si narcisoid, shpërfillës e injorues, poeti objektivisht e kundërshton;

Ikjen nga gjuha e vet, të secilit që pa trokitur hyn në gjuhën e huaj, që as ajo nuk i bie tamam, e që kurrë nuk e fisnikëroi brendinë e vet dhe nga lakmia për të huajën bëhet horrllëk;

Simbol fisi, është plisi si shenjë e parë që tregon se je shqiptar, që kurrë nuk u ul as nuk u përkul, ishte dhe mbetet edhe në ditët tona si pjesë jona:

Kokoroshi, portretin e këtij gjeli njeri, poeti e pikturon me këto fjalë: hipokrit, marrëzi, pa sinqeritet, artificial, babëzi për kolltuk, qoftë edhe mbi gërmadha dhe mbi kufoma;

I bishëruari, bishës bishë i ka hije bishëria, kurse njeriut njeri i ka hije njerëzia;

Me mallin e shekujve të ndryrë në zemër vajtën në amshim, shumë vëllezër e motra tona, kur atdhenë na e copëtuan e synojnë të na e copëtojnë dhe më tej, na i vendosen gjerdhet brenda avllisë sonë etnike, për të na ndarë e përçarë;

Poeti është kundër një vesit të vjetër, kur me Kalin e Trojës kërkojnë ripushtim, pas shekujsh e shekujsh, në këtë shekull tjetër, mbetka aktual vesi i armikut të vjetër;

Për bashkimin kombëtar poeti nuk i do parullat, por respektimin e vetvetes, kombin tënd, gjuhën tënde, vendin tënd, të respektosh higjienën kombëtare

Ecja e popullit tonë nëpër stuhitë e mugëta të kohës ishte e vështirë, plot llucë, me lecka që veshje i thoshin, me shpresën mbështetje, kur na i pakësuan radhët, nuk i lanë kazamatet pa ne, qemë shumicë e popull pakicë na quanin, por ne, as me radhë të pakësuara, as me radhë të gjymtuara, nuk u sprapsëm;

Kuvendimi me Ali Asllanin, erdha sot te ti o vjershëtori Ali, për shqiptarët s’po ndërron dot zamani, po vazhdon avaz i vjetër, mllefi yt për pushtetarë vlen edhe sot ndër ne shqiptarë, hakërrimë jotja dhe sot aktuale, politikanët tanë shtetit havale. , shtetin e gllabërojnë, pa brekë në pushtet hyjnë, milionerë të gjithë gdhijnë.

II.

Bibliosmia - poeti flet për kultivimin e të gjitha aromave, shijeve me aromë varfërie, me aromë ushqimesh, me aromë ndëshkimesh, salltanetesh, veshjesh po edhe me aromë mosmarrëveshjesh, me aromë robërie shekullore, por nuk arritëm dot ta kultivojmë dashurinë për aromën e librit.

Kopje, në këtë vjershë poeti i hidhëruar dhe i shqetësuar reagon, përse po na e humbisni origjinalitetin tonë dhe elementet themelore të jetës dhe jetën tonë mijëvjeçare, na e bëtë kopje identitetin, vendlindjen, komunën, dokumentet, tapitë, shtëpitë, rrugët, statusin?

Deshën, të na linin vetëm me lojën e Shotës, kur ne kishim edhe aktivitete të tjera krijimesh artistike dhe vallesh të tjera origjinale, që rrallëkund i gjen në botë. Harruan se edhe ne e njihnim dhe luanim rumbën, sambën, rokenrollin.

Miqësia, ndjenjë dashamirësie e ndërsjellë, në mes të dy a më shumë vetave pa lidhje gjaku, që mbështetet në besimin e nderimin ndaj njëri-tjetrit. Miqësia ka peshë, andaj poeti porosit nuk mund ta bësh mik Kokëboshin, Kodoshin, Horrin, Ahmakun dhe Tokmakun, sepse populli thotë: ”me kë rri i tillë je”.

Për adet, poeti me keqardhje vë në spikamë jetën e punën tonë pa plan, pa program dhe i dhemb shumë kur thuhej zëshëm le të bëhet sa për adet!

Ushqimi i shpirtit, ushqimi i trupit kurrë s’majfton, kur ushqimi i shpirtit prore mungon.

Ç’kohë, kur e lexova këtë poezi u preka shumë dhe ma kujtoi atë urtinë popullore “larg sysh, larg zemrës” e sot u çorodit ky mendim bashkë me kohën “larg sysh, afër zemrës”, kur ka pak takime, pak përqafime, pak komunikime të drejtpërdrejta. Kjo kohë e re na zuri gafil dhe e solli humbjen e ekuilibrit të afërsisë.

Ç’je ti jetë, me këtë poezi poeti kuvendon me jetën, kur i vjen të këlthasë, të çirret, të bërtasë, kur një çasti të mirë i kundërvë qindra çaste pelin!

Jeta, jetëshkrimi i njeriu i mbushur me thes kujtimesh, me ecje e ngecje, me ngritje e rënie, me kërcime e rrëzime, me ardhje e vajtje, me dashuri e urrejtje e thesi i kujtimeve mbi kurrizin e shpirtit rëndon, kur nga pesha shpirti djersit loti dot s’ndalon.

Përse ne jo, pyetje e llahtarshme, pse unë s’mund të jem unë, pse ti s’mund të jesh ti, pse ne s’mund të jemi ne, kur ata krekosen se janë ata! Me një fjalë: çfarë kuptimi ka jeta pa identitet?!

III.

Harta, e gjeografisë shqiptare, e tkurrur me vrazhdësi, dalëngadalë trualli vdirret, shkrihet, po nuk qemë ne prore të zgjuar, tretem udhëve të botës, rrit shkrumbin e mallit, gjakon dashurinë e prindit, fëmijës, vëllait, motrës dhe votrës.

Kur më vrasin, kur ma vrasin babanë dhe anëtarët e tjerë të familjes, ma përdhosin votrën, e shpallin veten demokratë! Kur vritet polici okupues, kur vritet hafija, horri, tradhtari, servili i armikut, kur vritem unë duke mbrojtur votrën time, duke mbrojtur lirinë, shpallem jo hero, por njëfarë terroristi!

Liria, të gjithë janë të kënaqur, hëna buzëqesh, yjet gëzojnë, kalorësi armët ngjesh, dasmorët vallëzojnë. Mjaft robëruam ndër shekuj, lirinë duam edhe ne të bëhemi të saj dishepuj për një jetë të re.

Matanë, poetit i vjen rëndë kur një renegat kujtonte të birin në gazetën cirilike me katër shkronja “C”, në faqen e zisë, pranë vrasësve tanë. Or derëzi, nga plëngu, nga soji, nga gjaku je i ndarë ti.

Ne rrënuesit, poeti me të drejtë dhe me mllef është kundër rrënuesve të dëshmive tona shekullore, me të cilat dëshmohemi para Zotit dhe para robit.

Paradoks, organizojmë varrosje dhune, kur të tjerët ushtrojnë dhunë mbi ne e na akuzojnë për dhunues! Ne organizojmë manifestime paqeje, të tjerët organizojnë luftën e na akuzojnë për luftënxitës. Organizojmë shoqëri shumetnike, të tjerët organizojnë njëetninë e na akuzojnë për diskriminim etnik. Paradoks shekullor or mik, pashallarët tanë hedhin paraf kudo u thonë, me vertik.

Vetëm i vdekuri, përse, për ne, vetëm i vdekuri është atdhetar, besnik, i ditur, i ndershëm, është i mirë, i dashur, i çmuar, i veçantë, është hero. Deri kur kështu të herrohen heronjtë e gjallë të punës dhe të paqes?!

MBRESAT PAS LEXIMIT TË LIBRIT

Duke lexuar këto poezi ke përshtypjen se je në një ekspozitë tematike, kur takohesh me bartësit e jetës, dhe s’ka nevojë për ndonjë koment të gjerë, sepse ato janë të qarta, të kuptueshme dhe të mirëpranueshme.

Tematika e poezive të Sulejman Dërmakut është vetë jeta. Këto poezi janë në shërbim të së mirës dhe arsyes, por edhe për ta kuptuar më mirë edhe vetveten si lexues i tyre. Jam i bindur, që këto poezi të Sulejman Dërmakut, do të lexohen, do të pranohen, do të mirëpriten dhe do të mirëkuptohen nga lexuesit. Mendoj, lexuesi pasi ta lexojë këtë libër, do t’ia preferojë shokut/shoqes që edhe ai ta lexojë dhe të mësojë se ç’është jeta. Poeti është kritik objektiv e kurrë kritizer. Vargjet e tij janë të frymëzuara nga kroi i një mjedisi me oksigjen e gjelbërim. Çdo poezi e tij është si një oazë, ku ka jetë, ku vargu gjallëron. Poezia e tij është sinkron me kohën. Mendimet e shfaqura në vargje poetike i përshkon një lirikë dhe epikë e lehtë që lexuesit i sjellin një ngrohtësi dhe frymëzim fisnik. Poezia e tij nuk ka dualizëm, sepse e vërteta thuhet qartë me “Po” ose me “Jo”, sepse poeti pohon të vërtetën, gjykon gënjeshtrën .

(2. 2. 2023)

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat