Doli nga shtypi libri “Publicistika e studiuesit”

Libra

Doli nga shtypi libri “Publicistika e studiuesit”

Nga: Faik Miftari Më: 15 prill 2023 Në ora: 12:19
Kopertina e librit

Në prag të natës së 27-të të muajit të bekuar të Ramazanit, natës së Kadrit, natë më e vlefshme se 1000 muaj tjerë,natë në të cilin filloi shpallja e librit hyjnor, Kur’anit famëlartë, me fjalën e parë të shpallur “Ikre” që do të thotë “Lexo” . Kjo fjalë është pikënisja e mësimit, studimit, hulumtimit, dijes, shkencës, fjalë që qel horizontet jetës dhe urdhëron njeriun gjithnjë në lexim dhe kërkim të dijes, sado larg të jetë ajo, qoftë edhe në skaj të botës.

Libri “Publicistika e studiuesit” përmban 33 punime të zgjedhura të shkruara gjatë periudhës kohore 3 vjeçare(2020-2022). Është përmbledhje e shkrimeve publicistike, punimeve shkencore, vështrimeve, recensioneve, nga fusha e politikës, historisë, fesë, letërsisë, kulturës dhe drejtësisë.

Këtë libër i dedikojë mentorit dhe kolegut tim, Av. Et’hem Rogova, doajenit të judikaturës, prej të cilit kam mësuar si praktikant i tij që isha, si dhe vazhdojë të përfitojë nga përvoja e tij mbi pesëdhjetëvjeçare në fushën e drejtësisë, sepse jurisprudenca është një oqean i pafund e cila kërkon vazhdimisht lexim, hulumtim dhe studim. Përherë jam falënderues dhe mirënjohës për kontributin e tij të dhënë në avancimin tim profesional në fushën e jurisprudencës.

Në parathënien e librit ”Publicistika e studiuesit” recensenti i parë i këtij libri , mentori dhe kolegu im Av. Et’hem Rogova shkruan:

“Nga kolegu im Av. Faik Miftari u njoftova se ishte duke përgatitur librin e tetë për botim të cilën do ta përkushtojë mua në shenjë respekti. Kuptohet se pata ndjenja të përziera. Mirëpo, kur shprehu dëshirën që unë të shkruaj recensionin e librit, nuk u ndjeva aspak mirë, kjo nga arsyeja se në kohën kurë është shkruar ky libër për shkak të pandemisë që përfshiu botën mbarë, u infektova edhe unë dhe vuajta shumë. Lidhur me pandeminë gjatë asaj kohe pati edhe shumë debate se a duhet apo jo të vaksinohemi. Gjatë këtyre debateve shoku dhe kolegu im Av. Faik Miftari, e mbajti anën kundërshtuese duke shkruar shumë artikuj në portale dhe rrjete sociale kundër imponimit të vaksinimit, gjë që mua më irritonte shumë.

Meqenëse nuk e kisha të njohur përmbajtjen e librit supozova se ky libër kryesisht do të merret me shkrime rreth pandemisë dhe vaksinimit, andaj edhe shpreha rezervën time për tu marrë me diçka të cilën e kam kundërshtuar shumë për shkak të vuajtjeve dhe përjetimeve që pata derisa isha i shtrirë në spital dhe jeta ime ishte rrezikuar, por edhe shërimi im zgjati shumë.

Mirëpo, për befasinë time libri kishte një përmbajtje krejt tjetër nga atë që mendova andaj edhe iu rreka punës me dëshirë për të shkruar recensionin, aq më tepër pasi isha i nderuar se autori librin e kishte kushtuar enkas për mua si

mentor i tij në praktikën e jurisprudencës. Libri shpalos dhe analizon një varg temash politike, historike, fetare, sociale, kulturore, juridike, etj., si dhe tematika tjera të ndryshme nga vendi dhe bota. Për këtë arsye leximi i këtij libri, lexuesit i hap horizonte të gjera.

Autori në fillim të librit bënë një vështrim rreth librit “Pajtimi” të autores Benazir Butos, të ndjerë, ish kryeministres së vrarë të Pakistanit. Autori në vështrimin e vet ndaj këtij libri shtjellon problemin e luftës sektare në botën myslimane, pabarazinë e gruas në botën myslimane si edhe prapambetjen e popujve mysliman në shkencë, në kulturë dhe arsim në botën islame. Libri “Pajtimi” i Benazir Butos është shumë përmbajtësor, përfshinë dhe analizon problemet e shumë shteteve. Autori, përveç tjerash duke qenë një besimtar i devotshëm hulumton dhe analizon temat që e preokupojnë atë dhe ato i shtjellon me shumë mjeshtëri.

Duke qenë vet një praktikues i fesë islame ai nuk mund t’i largohet kësaj tematike, si dhe në shenjë përkujtimi ndaj shokut të ngushtë dhe të zemrës së tij, Mexhit Yvejsi, tani të ndjerë, disa pjesë të librit i ka kushtuar këtij atdhetari, shkrimtari, poeti dhe besimtari, të paepur dhe me meritë e ngrit në piedestal.

Autori i librit, kolegu im, nuk mund të ik edhe temave juridike dhe me një vullnet dhe guxim i qaset temave delikate të cilat e preokupojnë shtetin tonë të brishtë. Kështu jep këndvështrimin e vet kritik ndaj projektligjeve të propozuara dhe procedurave administrative.

Pra, libri ngërthen në vete shumë tema interesante nga jeta e përditshme, duke ofruar lexuesit dhe shumë ngjarje tjera të cilat na preokupojnë. Autori, reket me probleme të mjedisit shoqëror të mbushur me thashetheme dhe paragjykime në shoqërinë tonë të ngujuar në një guask të konservatorizmit dhe hap horizonte të reja me guximin që e ka me u rek me tema të ndryshme. Ky libër është një histori e rrjedhshme, komplekse e mbushur me shumë figura dhe përshkrime të cilët meritojnë vëmendjen e lexuesit”.

Në pasthënien e librit “Publicistika e studiuesit” recensenti i dytë, pedagogu dhe studiuesi shkencor i Universitetit të Prishtinë, dr. Halil Ibrahimi ka shkruar:

“Në librin e tij të tetë me radhë, autori Faik Miftari e vazhdon traditën e tij të disa librave të mëhershëm të gdhendjes së ngjarjeve të rëndësishme historike e aktuale nga vendi e rajoni në shkrime të cilat janë lehtësisht të kapshme për audiencën e gjerë. Në këtë libër autori ka shtjelluar temat e së kaluarës dhe të tashmes si gjenocidi në Srebrenicë, e kaluara e Kosovës dhe problemet aktuale politike, katrahura e organeve komunale dhe qendrore kosovare në rrënimin e të së kaluarës kulturore, etj.

Një vend të rëndësishëm zënë edhe shkrimet për personalitete që kanë dhënë kontribut në kulturën dhe dijen fetare, kulturore apo kombëtare si Mexhid Yvejsi, Shefki Voca ose Muhamed Zukorliq.

Faik Miftari në këtë libër ka analizuar në mënyrë kritike duke i lidhur me kontekstin aktual edhe librat si romanin “1984” të Xhorxh Oruellit, “Pajtimi” të Benazir Butosë apo opusin botues të revistës Frymëzimi. Ky kapërcim kohor, kontinental dhe tematik tregon për diapazonin e gjerë intelektual të autorit, gjë që e ka bërë edhe librin lehtësisht të kuptueshëm për lexuesin e cilës do kategori apo moshë.

Shkrime si këto që janë përmbledhur në këtë libër janë jashtëzakonisht të rëndësishme për lexuesin kosovar dhe më gjerë, sepse i ndihmojnë që t’i mbajë të freskëta ngjarjet kryesore të kohës dhe nëpërmjet tyre të dijë të gjykojë në marrjen e vendimeve për të ardhmen.

Rëndësinë e këtij libri më së miri do ta përmblidhte thënia e shkrimtarit amerikan Robert Heinlein “Një gjeneratë e cila e injoron historinë nuk ka as të tashme e as të ardhme”.

Faik Miftari nëpërmjet shtjellimit të së kaluarës dhe aktualitetit na e mundëson pikërisht këtë, që ta ruajmë dinjitetin në një të tashme turbulente dhe të dimë si ta përdorim të kaluarën, shpeshherë të ngrysur, për një të ardhme më të mirë. Mbesim me shpresë se libra si ky do të kemi më shumë në të ardhmen, bashkë me lexues që dinë t’i përdorin drejt ato”.

Autori gjer tani ka botuar 7 libra:

“Pakës dritë për Kosovën”, 2001

“Gjurmë në kohë”, 2011

“Hafizët e Prizrenit me rrethinë(1912-2012)”, 2012

“Feja, shpresa dhe qëndresa”, 2013

“Publicistika e absolventit”, 2016

”Udhëpërshkrimi nga haxhi, 2017”, 2019

“Publicistika e avokatit”, 2021

Libri ”Publicistika e studiuesit” është libri i tetë, ka 198 faqe, format A-5.

Shfrytëzojë rastin të falënderoj shokun dhe mikun tim Rexhep Ibrahimi, për radhitjen e kryer të librit dhe kopertinën e realizuar. Falënderim të veçantë meriton edhe Shtëpia botuese “Pena” nga Prizreni për librin e shtypur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat