Për katër ditë rresht Panairi i Librit në Podujevë do t’i presë lexuesit nga kjo komunë. Në hapje të tij, panairi është quajtur edhe udhëtakim i botuesve me lexuesit.
“Po më vjen mirë që Panairi i Librit është shndërruar në aktivitet tradicional dhe po mbahet në kohën kur kanë ardhur edhe shumë qytetarë të mërgatës. Ky panairi është një udhëtakim mes botuesit e lexuesit”, ka theksuar nënkryetarja e Podujevës, Marigona Lahu.
Organizatori i këtij panairi, Fatmir Halimi, kryetar i Shoqatës “Prokult”, i ka ftuar lexuesit që ta vizitojnë Panairin.
“Komuna e Podujevës po na përkrah për dy vjet rresht që ta organizojmë panairin. Si organizator i këtij eventi kulturor nuk kam shumë fjalë se të gjitha fjalët janë brenda librave dhe i ftoj qytetarët që të vizitojnë panairin sepse mund të gjejnë libra të ndryshëm. I ftoj lexuesit dhe mërgimtarët ta shfrytëzojnë këtë mundësi”, ka thënë ai.
Organizatorët kanë thënë se ka qenë kërkesë e 40 shtëpive botuese të marrin pjesë në panair, por për shkak të hapësirës aktualisht janë 13 shtëpi botuese.
Ky është viti i dytë rresht që organizohet Panairi i Librit në Podujevë.