Ngadhënjimi i nënës

Libra

Ngadhënjimi i nënës

Nga: Mehmetali Rexhepi Më: 8 nëntor 2023 Në ora: 13:00
Kopertina e librit

Magbule Novosella - Krasniqi njëra nga tri motrat dhe pesë djemtë e Ismail e Naile Novosellës: Qazimi, Sabriu, Selatini, Bedriu e Kadrushi, përmes librit M`U KTHEFSHI FAQEBARDHË, vendosi ta përjetësojë emrin dhe kujtimin e Nënës së të gjithëve, në mënyrën më të dinjitetshme me një libër të ndodhurash konkrete. Çfarë shtroi në këtë libër autorja, bija, motra Magbule? Ajo shkëputi fragmente të përjetimeve të Nënës Naile dhe, pashmangshëm reflektuan për tërë familjen Novosella. Ato copëza kujtimesh ishin përballje me shtetin gjakatar të “shkijeve”, si i quante Nëna Naile. Përballjet përgjatë gjithë jetës së trazuar të asaj Nëne dhe të familjes së piketuar si armike, të cilën Ajo e ngriti në këmbë, e brumosi, e ushqeu me tamblin e bukën e atdhedashurisë, që t`i forcoheshin bijtë dhe bijat, për ta mësyrë udhën e munguar të lirisë. Për shumëçka është për t`u admiruar Nëna e autores, Nëna jonë heroinë, Nëna e atdhetarëve të paepur burgjeve sllave: e Sabriut dhe e Selatinit dhe, e gjithë personazheve të kësaj familjeje të persekutuar!

Gjithnjë, përmes rrëfimeve rrëqethëse, si vajzë e re dhe si grua madhore, zonja Magbule në këtë libër paraqet fragmente kronike të lidhura me periudhat e rënda për krejt shqiptarët po, veçmas për ato familje, që ishin vetëdijesuar për pa-durueshmëri të dhunës serbe. Gjithsesi, në këso rrjedha ngjarjesh spikatej familja Novosella, qoftë në Maxhunaj, qoftë në Vushtrri, qoftë në Prishtinë, qoftë dhe në Turqi e tutje në Suedi ku ndodhej veprimtari mërgimtar Sabri Novosella. Pashmangshëm drejt familjes Novosella, çdo lëvizjeje të pjesëtarëve të saj, ia vuri llupën e përgjimit e të përndjekjes nam-keqja UDB.

Autorja e kësaj kronike të trishtë dhe krenare, Magbule Novosella - Krasniqi nuk është thjesht një autore, që hedh në letër përjetime të dëgjuara gojë më gojë dhe nga larg. Ajo duke qenë e kësaj vatre nuk e thërret imagjinatën, nuk paraqet para lexuesve dëshmi përshtypjesh të flashkëta të ndodhive por, në kohën e vet të re, të gjithë anëtarët madhorë të familjes ishin pikë shënjestre e drejtpërdrejtë e ndodhive, i bastisjeve, i kanosjeve me armë nga shteti policorë, i shqetësimeve, i rrëmbimeve dhe i futjes në biruca burgjesh të madhorëve dhe jomadhorëve, me sprovime të atilla shtypjesh e trajtimesh të tmerrshme kriminale! Rrëfimtarja ishte fare e re mirëpo, e brumosur dhe e joshur për t`iu bashkuar Demonstratave të Rinisë Studentore në Prishtinë. Ajo me anë të këtij libri dëshmish, kap e rrëfen edhe për vetveten, si e përjetoi natën e dy prillit të Demonstratave të Pranverës Studentore e gjithë popullore e Vitit Heroik 1981. Ishte Pranvera Heroike që i shkundi themelet e një Federate politike-policore të shpifur për shqiptarët! Si njëzetepesë vjeçare përjetoi përplasjen e fortë me ndjekësit e armatosur, të xhindosur për të vrarë e shtypur, madje mu në kohën kur asaj i formësohej në trup fryti i ardhshëm i dashurisë?! Asaj i ndodhi akti i ankthit por, edhe i një vullneti të veçantë sakrifice!

LIRIA FRYTI MË I ÇMUAR

Nga këndvështrimi im do të nënvizoj këtu: merreni me mend një vajzë e re njëzet e pesë vjeçe, me frytin e pritur, e frymëzuar joshet nga vënia në veprim e rinisë kryengritëse dhe, në plan të parë, para pritjes së frytit jetëdhënës, e vë si çështje parësore pozitën e nëpërkëmbur të popullit të saj dhe, hidhet në demonstratë! Le të shkruajnë si të duan kalemxhinjtë por, akti i vashës së brumosur nga një Nënë sikur Nëna Naile, është akt i guximit të ushqyer nga vatra, akt frymëzues e, ndonëse flijues, i shkallës më të lartë të dashurisë për liri e dinjitet njerëzor dhe kombëtar!

Sado që të kenë pedanteri stilistike shkrimet e stolisjes së të “bëmave” ideore paqësore, me lëvizjen e ndejës, përfituesit e më vonshëm të pozitave, nuk e dëshmojnë thelbin e të vërtetës; të asaj të vërtete të mirëfilltë, të çiltër, të paepur, pa bujë, pa përfitime vetjake, e përjetësuar me sakrifica të pashkruara!

Nga këto të dhëna për këtë libër të tipologjisë së publicistikës historike, vëmë rè edhe shkarje gjuhësore, sintaksore, drejtshkrimore por, edhe gabime teknike. Të gjitha këto më duken minore dhe të ndreqshme! Përse? Këtu logjikshëm reflekton intuita e shkrim-vlerësuesit dhe, në këtë kontekst pason pyetja: pse nuk çojnë peshë pohimet e më sipërme për gabimet? Pikërisht për të dhënat e sinqerta që shtrohen para lexuesit, në faqet që ia shpalojmë këtij libri kronikë dëshmish, të ndodhura në sytë e rrëfimtares, duke i ruajtur kujtesa e freskët përballjet e djemve atdhetarë, të djemve të Nënës Naile strumbullar dhimbjesh, tronditjesh, qëndrese e shpresash asnjëherë të shuara! Le të flasë Nëna për birin në burg: Selatin, kur jeni konë ju te shpija, shpesh herë ju ankojsha e tash jom bo e fortë, kurkun nuk po m`dhem. Nji ditë shkoj në Pozharevc e nji ditë në Pejë, e m`doket që po shkoj si me krah, kur e di që po i gjoj djelt e mi atje! Me gzim e pres atë ditë që kom me shkue me i pa në burg.[1]

ECEJAKE DËSHMISH NË GJASHTË KAPITUJ

Lëndën e gjerë të dëshmive, autorja e librit M`U KTHEFSHI FAQEBARDHË, Magbule Novosella - Krasniqi e mbarështroj në gjashtë kapituj.

Kapitulli i parë nis me motivimin për lëndën që do ta shtrojë dhe, shpalon kujtimet e të ndodhurave në përballjet e Nënës Naile me përndjekës të ndryshëm të shtetit serb, burgosjet e vëllezërve veprimtarë të ilegales: Sabri e Selatin Novosella; rropatjet e Nënës Naile për t`i parë djemtë e burgosur e të katandisur në burgjet e Federatës së Sllavëve të shtrirë mbi Ilirik, si: në Goli Otok; në Beograd, në korrik të 1976-s; në burgun e Prishtinës; në Prizren; largimin e Sabriut nga Kosova; reflektimi i ngjarjes së paharruar i 2 Prillit 1981; vizitat nga familjarët; mandej Nëna Naile në optikën e grave e nipave...

Në kapitullin e dytë trajtohet kryesisht letërkëmbimi i familjarëve me të burgosurit e tyre politikë në burgjet e Prishtinës, të Beogradit, të Prizrenit, të Nishit, të Pozharevacit, të Mitrovicës. Në të gjitha letërkëmbimet e censuruara të shtetit censor për shqiptarët, pos familjarëve tjerë, spikaten fjalët e zemrës së Nënës Naile për bijtë, që i mbaheshin burgjeve të Jugosllavisë. Në këto letra, natyrshëm mes rreshtash, lexohej malli e dhimbja e ndërsjellë porse, asnjëherë vaji ose humbja e vullnetit për të ardhmen. Në përkim me kontekstin është mjaftë domethënës e, madje metaforik emërtimi i vajzës së Bedriut nga Nëna Naile me togfjalëshin poetik e parashikues Vjendita.

Nëna Naile grua e regjur nga sprovat e programeve pushtuese afatgjata të Serbisë, sipas të gjitha regjimeve serbe, intuita e Saj e zgjuar nuk priste ndryshime të shpejta e të drejta për shqiptarët... Andaj, Ajo e thoshte troç, ashtu si do ta thoshte Adem Demaçi pas daljes nga birucat jugosllave: Pasha nanën, si n`burg si n`liri, njejt e kini!

Gjatë kapitullit të dytë të këtij libri, autorja arriti t`i shpalojë tridhjetë letërkëmbime me bijtë e burgosur politikë në burgjet e rënda: Sabri e Selatin Novosella, të cilët, që në moshën rinore, kishin lënë peng më të dashurit e më të dashurat e tyre.

Kapitulli i tretë sjell përkushtimet poetike për Nënën Naile. Asaj Nëne që u përkiste dy botëve: në të gjallë Ajo përfaqësonte dashurinë, vullnetin e kurajën, përkundër trusnive të tmerrshme të shtetit pushtues, stoicizmin dhe sakrificën familjare, atdhetare dhe, gjithsesi i shkoi botës së prehjes në amshimin e pasosur për misionin amnor krejtësisht të merituar. Frymëzime të ndjeshme poetike për Nënën Naile, i derdhën në letër lotët e mallëngjimit e të krenarisë poetët: i biri Sabri Novosella, i ndodhur në Adapazar të Turqisë, më 1981; poeti i zjarrit atdhetar Zeqir Gërvalla, me rastin e vdekjes të Nënës Naile me poezinë e titulluar PËR NËNËN E TË GJITHA NËNAVE, publikuar në Prishtinë, më 7 nëntor 1993. Po ashtu, poezi të brumosur me metafora për Nënën Naile, shkroi poeti disident Murteza Xajë Nura, duke qenë në pushimin e këndelljes në Banjën e Kllokotit, më 2015, e emërtuar NËNA NAILE .

Këto përkushtime të ndjera poetike meritojnë qasje të veçanta zbërthimesh të ngërthesave poetike, ideore, estetike. Vargjet ngërthejnë çiltërsi zemrash dhe jo vajtime por, zbërthejnë dhimbje krenare për një Nënë, të pajisur me cilësi e vlera të atdhe-dashurisë e të stoicizmit, përballë dhunës së pandërprerë armiqësore dhe tiranisë mbi trashëgiminë e Saj.

Zonja Magbule Novosella - Krasniqi, kapitullin e katërt të publicistikës historike, në librin M`U KTHEFSHI FAQEBARDHË, e vendosë intervistën e revistës Kosovarja me Nënën Naile, gjatë (21 nëntorit dhe 12 dhjetorit të vitit 1991), e përgatitur nga gazetari Gani Dili. Publicisti Gani Dili në intervistën prej dhjetë fragmentesh, i dha shkas Nënës Naile të shpalojë një botë të përvuajtur, të sprovuar me të papriturat dhe të priturat e jetës nën pushtimin e gjatë të Serbisë. Në përgjigjet e pyetjeve të intervistës Nëna shpërfaq karakter të paepur, i denjë për t`u admiruar! Thjesht, qartë, saktë dhe pa drojë.

Dalin interesante dhe veçanërisht burimore e të çiltra ato përgjigje të Nënës Naile, përkitazi përjetimeve dhe vuajtjeve të Saj, të cilat karakterizuan Nënën shqiptare, gjithë-herë ngjashëm me Nënën heroinë, Nazifen e Bacë Adem Demaçit.

Më tej, kapitullit në vijim, i pesti i radhës, autorja i renditi pikëvështrimet e disa autorëve, shkrimet e të cilëve nxjerrin në pah shëmbëlltyrën e Nënës Naile, secili nga këndvështrimi i vet: Profesor Dr. Jusuf Osmani, Mr. sc. Shefki Stublla, Murteza Xajë Nura me tri shkrime, Mehmetali Rexhepi, Zeqir Gërvalla me shkrimin homazh për vdekjen e Nënës Naile, Irfan Shaqiri me një letër të dërguar nga Burgu i Beogradit për Nënën.

Këtë libër zonja Magbule Novosella - Krasniqi e përmbyllë me kapitullin e gjashtë. Ky kapitull përmbushet me përshkrime të dhënash të përgjithshme, zgjerimin sasiorë e cilësorë të familjes Novosella, buruar nga Nëna e gjyshja Naile, ngadhënjimtare degëzimesh e profilesh të familjarëve, pasardhës të Saj, veç e veç; sekush në fushë-shtrirjet e prirjeve profesionale të tyre. Kjo rritje dëshmohet nëpërmjet foto-albumit me ngjyra.

ETIKA E FORTË E STOICIZMIT

Shtyllat e forta për ta mbajtur në këmbë e të gjallë shtëpinë e familjes së përndjekur Novosella në planin ekzistencial janë:

puna “pasuri djerse dhe mundi”;

bujaria dhe atdhedashuria “e kishin derën e Nënës Naile hapur 24 orë”;

qëndresa, vullneti i pasosur dhe shpresa e pafikur për arritjen e lirisë; edhe pse e gjithë jeta i shkoi dyerve të burgjeve, duke filluar nga burgosja e parë e djalit, Sabriut në vitin 1964, në burgun e Goli Otokut në Dalmaci.

Burgjet e Jugosllavisë u bënë shtëpia e dytë e familjes sonë...

sprova, stoicizmi dhe etika e Nënës:

N`dorë të Zotit kofsh djali jem e m`u kthefsh me faqe të bardhë! [2]

Në faqen 123, nënvizohet dëshmia për karakterin e fortë e burrëror të Nënës Naile, për durimin unikët të Saj:

-Nuk do ta derdhi asnjë pikë loti për djemtë e mi dhe nipin, Ilirin, që po vuajnë në burgjet e shkaut për lirinë e Kosovës! I pastë nëna ata dhe qofshin faqebardhë! Kosovës i duhen trimat e jo qyqarët!

E frymës së Nënës Naile është shpërfaqja e një madhështie e të fejuarës për njërin nga djemtë e Saj:Të pres, nëse të dënojnë edhe 101 vjet! [3]

Është kjo një kredo, që tejkalon besnikërinë e Penelopës të Poemës epike të Odiseut të Homerit?! Asisoj sikurse e tejkaloi Hanifja e Rexhep Malës!... Padyshim deviza e këtillë është e madhërishme! Ndoshta e pakapshme për brezat pa ideale?!

Rrethana e të keqes së skajshme, kur prej 7 anëtarëve të familjes së Sabriut, mbeti shtëpia e tij vetëm në Dardanin e vogël, 13 vjeç!

Kjo rrethanë përmbyllet me përkufizimin e trishtueshëm, si një metaforë e egër e trishtimit:

Mentë kishin rrënjë!! [4]

ÇAST PËRMBYLLËS

Një kronikë e tillë e publicistikës historike, le t`iu shërbejë brezave si njëri nga borxhet parësore të pashmangshme për lirinë!

Nderime për autoren Magbule Novosella - Krasniqi dhe, për veprimtarët kombëtarë, veteranë të nismave atdhetare - çlirimtare: Sabri, Selatin e të gjithë familjes emblematike Novosella!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat