Bashkimi Kadiu përuron librin “Panteonin e vlerave”

Libra

Bashkimi Kadiu përuron librin “Panteonin e vlerave”

Nga: Kadri Tarelli Më: 14 nëntor 2023 Në ora: 23:43
Pamje nga vendi i ngjarjes

I kam ndjekur të gjitha veprimtaritë e autorit durrsak Bashkim Kadiu, si fillim në gazetari, më pas si shkrimtar e studiues. Kam marrë pjesë në të gjitha kuvendet dhe përurimet e librave të tij dhe çdo herë kam bërë shkrime që janë publikuar në shtyp. Po ndalem te njëri, që daton pesë vjet me parë, gusht 2028, kur u përurua libri, “Vlerat e qytetit tim”, volumi i III-të. Ku theksova:

“Bashkimi është një ndër studiuesit, duhet thënë biografët e intelektualëve durrsak, në kohështrirje gati 150-vjeçare, që kanë dhënë kontribute të vyera në zhvillimin e qytetit tonë tre mijë-vjeçar, ku përfshihen të gjitha fushat e veprimtarisë në qytet, si industri, ekonomi, jurispudencë, mjekësi, inxhinieri, detari, letërsi, art e kulturë, arsim, sport, etj, etj.

Vetvetiu, kur ke folur për njeriun, ke bërë një fotografi, apo kartolinë të jetës qytetare durrsake të kohës, duke i bërë një shërbim të çmuar historisë së qytetit tonë, sepse, nëse ka ngjarje, sukses apo dështim, aty është dhe heroi durrsak”.

Ky shkrim u Publikua në: gazeta “Bota sot”. Dardani, portali “VOAL. “Zëri i shqiptarëve”. Zvicër, Revista “Dituria”. Suedi, portali “Zemra shqiptare”. Zvicër.

Bashkimi është i vetëdijshëm se shkrimtarët, poetët, historianët, artistë, matematikanët, gazetarët, mjekët, inxhinierët, sportistët, secili është një qelizë e shoqërisë, ku ka pjesën e vet të krijimtarisë, duke lartuar emrin e qytetit me veprat e tij. Bashkimi nuk merret me ngjarjet dhe fushën konkrete të veprimtarisë, por me autorët e veprave, që përbëjnë ajkën e shoqërisë durrsake, duke i dhënë librave të tij, tipare të një kronike. Aty, personazhe janë durrsakët e kohës që jetuan kohën. Ata janë vetë historia e qytetit.

Unë e di mirë se sa e vështirë është të ndërmarrësh studim dhe të hartosh monografi, aq më shumë për një qytet si Durrësi ynë, që rritet dhe zhvillohet. Nuk është e lehtë të mbledhësh material, intervista, shkrime, foto, apo dokumente arkivore, pa llogaritur kohën dhe shpenzime të tjera, në dukje të “Vogla”, që kur mblidhen bëhen shumë. Studiuesit e dinë mirë, se kjo punë do durim skllavi e shpinë hamalli. Ndaj them pa frikë, se ky libër është një shërbim fisnik dhe vlerë qytetarie, për Durrësin dhe durrsakët, pasi emrat e tyre, i përjetëson në kujtesën e brezave, duke i futur në libër, që unë e quaj “Arka e kujtesës”. Nuk shtoj gjë të re: libri ruhet në jetë të jetëve, në Biblioteka publike, në ato familjare, etj, etj.

Po them diçka nga përvoja ime, meqë merrem me gazetari dhe shkrime historike: Nuk e besoja, por është një e vërtet e çuditshme….! Jo të gjithë pranojnë të bëhen persona publik, aq më pak pjesë e historisë së qytetit. Mbase modesti e tepruar, por që nuk i shërben askujt? Nuk më pëlqen të vendos emra sepse janë disa raste, por me mësuesin e nderuar, matematikanin Fiqiri Resuli, u ndodha keq. U lodha, dua të them, se ia grabita intervistën, pasi nuk pranonte kurrë, duke u shprehur: “Jam si gjithë të tjerët. Kam bërë detyrën, dhe asgjë më shumë”.

Ky libër, “Panteoni i vlerave”, është vazhdimi vëllimeve të mëparshëm, që unë i vlerësoj në tërësi, është një përmendore, që ngrihet dhe vendoset në Panteon, për intelektualët e Durrësit, me shpirt, mençuri, mirësi e qytetari durrsaku. Bashkimi nuk e mbyll shtegun e studimit, as për vete, as për autorë të tjerë, sepse jeta qytetare nuk shteret këtu. Lexuesi do më japë të drejtë të shprehem: Bashkim Kadiu, i ke lënë Durrësit dhe durrsakëve një thesar trashëgimie me vlera njerëzore dhe historike. Jam i bindur se ka ende shume për të bërë, për sot dhe të ardhmen. Ky është vetëm fillimi……!

Besoj se Bashkimit, “heroit” tonë, mësëmiri i shkojnë përshtat fjalët e Adriano Çelentano, kur thotë: “Dua të jetoj pranë njerëzve shumë njerëzorë, që dinë të buzëqeshin me gabimet e veta, që nuk fryhen me “fitoret” e tyre, që nuk e konsiderojnë veten “të përzgjedhur”, përpara se t'i zgjedhim ne…….!”

Shenjtorja jonë Nënë Tereza, diku thotë: “Për të mbajtur një llambë të ndezur, ajo ka nevojë për vaj”. Kështu edhe pena e Bashkimit, ka kohë që e ushqen me vaj fenerin e dritës dhe diturisë durrsake. Pavarësisht moshës, që rritet për çdo vit, kjo si dhuratë perëndie, shpresoj se “Heroi” i këtij kuvendi, Bashkim Kadiu do të vazhdojë punën për të tjerë volume.

Urime Bashkim! Puna studimore e kërkimore, po të mban përherë të ri, mes shokësh e miq krijues. Edhe ju jeni ngjitur në panteonin e vlerave durrsake. Jeni një prej tyre.

Nuk e di si ndjehesh kur je rrethuar me miq e shokë, shkrimtarë, poetë, artistë dhe studiues!? Mendoj dhe besoj se duhet të ndjehesh mirë, pasi dija, puna dhe mundimi yt u vu në shërbim të qytetit dhe qytetarëve, sepse munde t’i ngresh Durrësit një përmendore kaq të lartë, të bukur dhe plot harmoni qytetare”. Një vepër që koha do ta gjykojë e vlerësojë në përjetësi.

Urime dhe suksese! Jetë e shëndet për libra të tjerë. Panteoni do përherë dritë!

Edhe një herë faleminderit, që na bëre bashkë në këtë festë libri, me vlera qytetarie.

Mirënjohje!

commentKomento
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat