“Idriz Pllana, mësues e atdhetar i denjë”

Libra

“Idriz Pllana, mësues e atdhetar i denjë”

Nga: Zymer Mehani Më: 5 dhjetor 2023 Në ora: 13:00
Kopertina e librit

Kjo monografi e mbarështruar me të dhëna dhe dëshmi relevante, është vetëm një përpjekje imja e sinqertë për të ndriçuar disa segmente të jetës dhe veprimtarisë edukativo-arsimore dhe atdhetare të mësimdhënësit tim, Idriz Pllana, e më vonë edhe koleg imi, për të cilin opinioni ynë duhet të dijë sa më tepër.

Në të gjitha pjesët e këtij libri, duke lënë copëza të shpirtit tim, kam bërë përpjekje për të pasqyruar realisht e me vërtetësi të gjitha faktet, dëshmitë dhe veprimtarinë e gjithmbarshme të arsimtarit Idriz Pllana.

Falënderoj me këtë rast të gjithë ata që më ndihmuan në ofrimin e të dhënave, duke veçuar sidomos ndihmën dhe sugjerimet e vetë mësuesit Idriz Pllana.

Pra, libri që keni para vetes, i kushtohet jetës dhe veprës së mësimdhënësit Idriz Pllana. Ky libër monografik është vetëm një pjesë e jetës së mësuesit tonë të devotshëm. Koha që kisha në dispozicion ishte jo e mjaftueshme për një qasje më gjithëpërfshirëse të jetës e veprës së tij. Ai meriton shumë më shumë se kaq, kur të kihet parasysh aktiviteti i tij si mësues gjatë një kohe të pakohë, kur situata ekonomike dhe politike te ne në Kosovë ishte tejet e pavolitshme.

Do thënë se kjo monografi u mbështet më shumë në burimet dhe dokumentet e arkivit të shkollës fillore "Shefki Kuleta" të Tërrnavës dhe në dosjen personale të mësues Idrizit. Ai ishte përjetues, dëshmitar e protagonist i rrethanave, ngjarjeve dhe i zhvillimeve të ndryshme historike në Kosovë gjatë viteve '70, '80 e '90 të shek. XX. Ai jetoi në kohën e ish- shtetit federativ jugosllav. E përjetoi rënien e tij, poashtu luftën e Kosovës dhe shpalljen e pavarësisë së saj.

Në këtë libër kemi prezantuar disa gjëra, pak ose fare të njohura rreth aktivitetit të mësuesit Idriz Pllana. Janë me shumë rëndësi fillimet e tij si mësues.

S’guxon të mohohet veprimtaria e shkollës shqipe në Kosovë, sidomos gjatë viteve '90, ngase mohimi i vetvetes përcakton edhe formën e ardhmërisë së vet.

Falënderoj Zotin e Madhërishëm, që ma mundësoi ta nxjerr në dritë librin e 30- të timin, dedikuar arsimtarit e kolegut tim, Idriz Pllana!

Falënderoj për ndihmën që më ofroi për përgatitjen e këtij libri, djalin e arsimtarit Idriz, Besnik Pllana, për dërgimin e dokumenteve të rëndësishme mbi jetën e mësues Idrizit.

Një falënderim krejt i veçantë shkon për bashkëshorten time, arsimtaren Hasime Maloku-Mehanja, që prore më dha kurajo për punë, pa harruar ta falënderoj nga zemra edhe djalin tim, Rilind Mehanja, që më ndihmoi shumë në radhitjen kompjuterike të materialit, duke më motivuar dhe përkrahur gjatë gjithë kohës për përgatitjen dhe botimin e këtij libri.

Me respekt, Zymer Mehani, Besianë

commentKomento
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat