Shembull i mirë i një promovimi

Libra

Shembull i mirë i një promovimi

Nga: Martin DEDAJ Më: 6 dhjetor 2023 Në ora: 16:40
Foto ilustrim

E shtuna e 2 Dhjetorit 2023 ka qenë ndryshe nga të tjerat, falë mundësisë që më krijoi mësuesi i talentuar i pasionuar pas historisë, letërsië dhe origjinës së hershme të tij, Renato Tatraku, që duke pirë kafen e mëngjesit tek ish Turizmi, më bëri me dije se zhvillohet një promovim libri dhe më ftoi të jem i pranishëm. Pa një pa dy i thashë po!... Shpejtuam disi kafen dhe sëbashkë shkuam tek Biblioteka “Pjetër Budi” Mat, në sallën e librit aty ku do të zhvillohej promovimi i librit; “Vjeshtës veten gjej” të autores matjane Vilma Nika, botim i “Fiorentia” Shkodër (2023), që zhvillohej nën kujdesin e Klubit Letrar “Pjetër Budi” Mat dhe bibliotekës me të njejtin emër. Aty na priti Përgjegjësja e Bibliotekës zj. Fiqerete Kurti, e cila pasi më uroi mirëseardhjen, më ka prezantuar me të pranishmit. Ndërkohë zj. Kurti ka moderuar me mjaft elekuencë këtë promovim të ndërthurur mjaft mirë me diskutime nga të pranishmit, dhe recitime të poezive të librit nga nxënësit/et; Elma Kola, Kejsi Kurti, Redi Barçi të Shkollës së Mesme “Pjetër Bubi” dhe Elmenisa Ahmetsula, Riona Kola, Ledio Lezi, të Shkolllës 9-vejçare “31 Korriku”.

Aktiviteti…

Takimin e ka hapur kryetari i Klubit Letrar “Pjetër Budi” Mat, z. Hamdi Hysuka, i cili ka falenderuar të pranishmit për pjesëmarrjen, ndërsa mbi përmbajtjen e librit bazuar edhe në parathënjen e shkruar nga redaktorja poetja Lindita Doda, referoi sekretari i Klubit Letrar “Pjetër Budi, poeti Fatmir Mneli, i cili ndër të tjera tha se: “Me librin e saj të parë, autoria e re Vilma Nika, hyn me guxim në kopshtin e bukur poetik matjan. Në këtë libër ajo shpalos botën shpirtërore të vajzës, gruas, nënës, bashkëshortes por dhe të qytetares së moderuar, si dhe të realiteteve që shqetësojnë përditshmërinë e saj dhe tonën. Shpirti i saj poetik endet mes kontrastesh, kundërthënjesh, boshllëqesh, mungesash, reflektimesh, brengash, takimesh apo dhe pajtimesh të mëdha, që më mirë se kudo vargëzohet në poezitë e saj”.

Autoria Vilma Nika, mbërthyer nga emocionet, foli rreth pasioneve për poezinë me të cilat ajo është rritur duke thënë se; “Ëndërra ime nisi që e vogël, teksa fillova të shkruaja vargje të njëpasnjëshme, të cilat sa vinin e shtoheshin dhe rimoheshin, duke u bërë pjesë e padarë e imja. Kisha shpresë dhe ëndërr, që këto poezi një ditë ti botoj. Dhe ja sot u zgjova nga kjo ëndërr dhe ja ku kam në dorë librin tim të parë me 67 poezi, me tema sociale mbi jetën dhe fantazinë e saj”.

Ndërsa shkrimtari Basir Bushkashi, autor i shtatëmbëdhjetë librave, në fjalën e tij ndër të tjera do të thonte se; “Mëngjesi i ditës së sotme, duhet cilësuar si një mëngjes i bukur poetik, ndërsa autoria e këtij libri Vilma Nika, është një poete që i bën nder vetes, na bën nder të gjithëve ne anëtarëve të komunitetit të Klubit Letrar dhe jo vetëm. Ajo i bën nder gjithë Matit, dhe kombit shqiptar. Për vetë faktin se është një poete e re, që prezantohet denjësisht me librin e saj të parë, dhe ajo çfarë është më e rëndësishme është fakti se ajo premton për të ardhmen”.

Diskutuan edhe krijues të tjerë letrar, si; Ing. Mehmet Rami, poeti dhe botuesi i gazetës “MATI”, Qemal Cenaj, mësuesja e lëtërsisë, autoria e disa librave poetja Valentina Kurti, mësuesi i letërsisë Sokol Lloshi etj, të cilët pavarësisht këndvështrimeve të ndryshme të diskutimeve konkluduan në një fill të përbashkët se; “Vilama Nika është një poete që gatuan poezi të mira, që të rrëmbejnë e të sjellin emocion, falë fjalorit të pasur artistik që mbajnë dhe temave interesante që paraqesin me thjeshtësinë dhe bukurinë e tyre”.

Në këtë promovim libri përpos organizimit model të Klubit Letrar “Pjetër Budi” dhe Bibliotekës së qytetit, harmonizimit të diskutimeve me interpretime të nxënësve të dy shkollave të qytetit, moderacionit model, modestisë së autores vura re edhe disa të veçanta;

Së pari: Diskutimet e familjarëve të poetes filluar nga babai i saj, Fiqiri Ahmetsula, Shkurte Nika, Bujar Nika, të cilat edhe ata u fokusuan tek krijimtaria e autores, ku më bëri përshtypje veçanarisht diskutimi i familjares së saj ish mësueses Shkurta Nika e cila foli me plot pasion për krijimtarinë e vazhdeshme të Vilmës dhe veçmas për poezitë e librit të saj, ç’ka mishëronte mësëmiri harmoninë e mrekullueshme që mbizotëronte në familjen e autores, duke shërbyer kështu edhe si një mesazh për ditët e sotme, që në familje duhet harmoni, bashkëpunim dhe përgjegjësi nga të gjithë pjestarët e saj, duke ruajtur seicili individualitetin dhe spikatur në prirjet dhe talentin e vet. Se familja është vendi ku jetësohen ëndrrat dhe marrin udhë projektet e jetës dhe të ardhmes së krejt familjes, dhe;

Së dyti: Integriteti i lartë i diskutantëve, të cilët e kishin vlerësuar maksimalisht këtë promovim, ç’ka e dëshmuan diskutimet e tyre me një frymë dhe nivel të lartë letraro- artistik. Dhe…, s’kishte si të ndodhte ndryshe pasi ata ishin individualitete të spikatura të fushës, dhe u përqëndruan vetëm tek përmbajtja e librit që promovohej dhe jo siç ndodh rëndom në disa promovime të sotme, ku flitet për gjithçka, por veç për librin që promovohet jo.

Në vend të epilogut, dy fjalë për librin

Pasi e lexova, pa pretenduar në një analizë të mirëfilltë letrare, në mënyrë modeste po shpreh disa mendime rreth librit: Vjeshtës vendin gjej të autores Vilma Nika e cila; “Në këtë libër ka përshfaqur mjeshtrisht tiparet dominante të ndjenjave shpirtërore dhe letrare, pjesë e pandashme dhe thelbësore e eksperiencës së saj njerëzore, bashkëudhëtuar gjatë me brendinë e saj të lidhura ngushtësisht me ndjesitë e kuptimit të jetës, e të shprehura mjaft bukur përmes vargjeve të ëmbla e të strukturuara, si një poete e vërtetë ndonëse është libri i parë poetik që ajo prezanton. Përmes fjalëve dhe vargjeve që shprehin gëzim, dhembje, qetësi, admirim apo thënë ndryshe realitetin në të cilin jetojmë, si dhe plot emocione të tjera që ndikojnë në mendje dhe sjellje, brenda të cilave përfshijnë reflektimin, meditimin dhe kultivimin e lidhjeve të thella emocionale me krijimtarinë letrare në përgjithësi dhe poezinë në veçanti, të cilat i përcjell mjeshtrisht tek lexuesi, përmes fjalëve të gdhendura bukur, ku seicila prej tyre është një dritare, që hap rrugën për botën e imazhinuar. E…, në mbyllje të këtij opinioni modest për këtë libër, me plot bindje them se; Vilma me këtë product letrar, ka sinkronizuar mrekullisht një Triptik magjik ndërmjet: Përmbajtjes; Titullit dhe Kohës së promovimit të tij, se Vjeshta është stina frymëzuese, që na shfaqet si një pikturë e mjergullt, me plot gjethe të verdha e të kuqe, që bien në tokë si zemra të thyera, duke na krijuar me rrezatimin e tyre një si pjepër të artë në qiell, e që dëgjohen nga larg si tinguj melankolikë duke u valvitur fletët e thata të pemëve, që era i përkëdhel ato me poezitë që Vilma ka shkruar”.

Për të pranishmit nga familja e autores, në lokal “LEKA” të ish mësuesit dhe drejtuesitpër disa vite të Qendrës Kulturore Mat zotit Avni Leka, është shtruar një koktejl i bolshën, ku ka vijuar më tej diskutimi rreth librit dhe krijimtarisë letrare në Mat.

Përmes këtij promovim mbresëlënës për mua nis një simbiozë bashkëpunimi me komunitetin e krijuesëve dhe artistëve matjanë, përpos atij të komunitetit futbollistik prej disa vitesh, si komentator sportiv i Radio-Tiranës në emisionin radiofonik më të ndjekur shqiptar: “Nga njëra ndeshje në tjetrën”, në stadiumin “Liri Ballabani”, aty ky për dekada ka komentuar themeluesi i këtij zhanri në Mat, miku im dhe kolegu i nderuar Avni Kërtuka, që ndodhet prej vitesh në Itali të cilit i uroj gjithë të mirat familjarisht.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat