Rreth librit me poezi “Violina e luleve” të poetit Nexhbedin Basha

Libra

Rreth librit me poezi “Violina e luleve” të poetit Nexhbedin Basha

Nga: Dukagjin Hata Më: 23 janar 2024 Në ora: 22:52
Dukagjin Hata

Poeti Nexhbedin Basha ka kohë që prek “telat” emocionalë të lexuesit, me cikle poetike të publikuar në “asetet” e modernitetit, siç është FB, ku duket se po zhvendosën poetët në këtë epokë të trazuar të kibernetikës. Pasi ka vendosur një urë komunikimi me lexuesin,  ai vjen me këtë libër në mënyrë të natyrshme, duke përcjellë ndjesi dhe emocione që i ka mbartur nga stina në stinë, si mesazhime malli e dashurie... 

Poeti Nexhbedin Basha vjen natyrshëm me këtë libër, pasi herë pas here, në një kohë zgjatje prej shumë vitesh, poezitë e tij kanë “prekur” imagjinatën e lexuesit, kanë komunkuar dhe kanë krijuar me të një vatër të ngrohtë ndjesishë dhe emocionesh poetike. Origjinaliteti dhe freskia e vargjeve, gjuha e pasur dhe e figurshme, gjendjet dhe gjetjet e goditura, janë pjesë e aventurës së tij shkrimore, pjesë e një rrugëtimi ku ai na fton ta ndjekim dhe të bëhemi pjesë e vrullimeve të tij poetike.  

Nëse do të donim të gjenim një fjalë kyçe që të “deshifronte” poezinë e këtij poeti, mbase kjo fjalë do të ishte kujtesa, e cila është ajo që vë në lëvizje imazhet, gjendjet, përjetimet dhe dedikimet e tij, ajo që kthehet në një “levë Arkimedi” për të lëvizuar qasjet dhe mesazhimin poetik të autorit.  

Poezia e tij shquhet për fuqinë e gjetjeve dhe detajeve të imëta, që përcillen në vargje të dëlirë, plot temporitëm emocional. Lirizmi i shtruar dhe spontan, ku derdhet malli, mungesa, dhimbja, ëndrrat dhe zgjëndrrat e poetit, e bëjnë poezinë e tij të prekshme në kurbën e përjetimeve të përcjella dhe me gravitet të fortë emocional.   

Në  poezitë e këtij libri ka një ritëm të brendshëm të vrullshëm dhe impulsiv, një si ngutje për të ikur nga meskiniteti dhe rëndomësirat, ka një ftesë të nënkuptuar për ta ftuar lexuesin në hullinjtë e kujtesës dhe emocioneve të poetit.  

Poezitë e tij vijnë  si mënyrë e veçantë e të menduarit poetik, larg skemave dhe klisheve, larg asaj poezie që vërtitet në një tematikë të konsumuar dhe të stërpërdorur e që nuk sjell më ndonjë gjë të re nga poetët. 

Ai ka në këto poezi fytyrën e tij, frymëmarrjen e tij tematike, duke i organizuar mjetet shprehëse në mënyrë të tillë, që ato të sjellin freski dhe origjinalitet; çka e dëshmon vargu i shpenguar dhe simbolika e hollë, njëkohësisht metafora e begatë e këtij poeti… 

Unë isha si ju, 

Dhëmbje u bëra. 

Unë ecja në tokë, 

U bëra erë. 

Më kishit në sy, 

U hyra në zemër... 

Larg endem nëpër botë, 

Veç këngën kam aty. 

Këndojeni atë, 

Të më ndjeni. 

Poeti ngre dallgët e një një shpirti të trazuar dhe rebel, që kërkon ta jetojë me intenistet të lartë gjithçka dhe që në rrugëtimin e ëndrrës, përballet me çdo pengesë, denoncon estetikisht plagët e shoqërisë dhe tenton të përsos vetveten në katharsisin e fjalës.  

Ai ka një raport unik me unin dhe jashtësinë, di t’i zhvendosë gjendjet dhe kurbat emocionale të kujtesës sipas mesazhimit dhe kredos së tij poetike. 

Shoqëria jonë, me dritëhijet, enigmat, dhimbjet, traumat, koronën, tërmetin,  izolimin, hapjen dhe shqyerjen, me gjithçka tjetër, duket se është e pranishme në vargun e thjeshtë, komunikues e të kapshëm, fluid e me një lirizëm spontan të N. Bashës. 

N. Basha plazmon me ndjeshmëri të hollë dhe vatra të tejndezura emocionale tema të vjetra sa vetë kjo tokë, ku vorbullon atdhetaria e re dhe e vjetër, heronjtë e rinj dhe të vjetër, përkushtimiiI një ushtaraku dhe gazetari, që e prek me lëkurën e tij çdo ngjarje dhe merr si model çdo hero të shqiptarisë.  Reflektimi poetic ndaj të ndodhurave të botës shqiptare dhe asaj globale lë gjurmë në këtë libër, me poezi të shkruara me emocion dhe që e bëjnë këtë libër të lexohet me një frymë.  

Vargu i tij nuk u ngjason aspak atyre të poetëve të larëm, që me stile të padeshifrueshme, duket sikur shkruajnë për të komunikuar vetëm me ndonjë koleg që ndan me ta të njëjtin kod shkrimi, e jo me lexuesin, që minimalisht kërkon emocion dhe emocioni nuk mund të vijë kurrësesi nëpërmjet errësirës dhe mosdepërtimit. 

Qylim i vjetër, gjethe të verdha          

Bien mbi eterin e pritjes. 

Floriri i reve shtrydh mëngët 

Mbi pemët, çatitë dhe ëndërrat 

Mbi ardhjet dhe ikjet... 

Ajo që e bën krejt të veçantë poezinë e Nexhbedinit është zhbërja e çdo mendësie sinoresh dhe klisheje, që burojnë nga vetëçensura; ajo të rrëmben në valët e egra dhe trillere, të bën të reflktosh dhe të ëndërrosh.  

Poezia e N. Bashës  të bën ta lexosh me një frymë, pasi duket se dhe rendja e autorit drejt zemrës së lexuesit është e natyrshme dhe tenton ta përfshijë atë të gjithën në vorbullën e shqetësimeve dhe përjetimeve të tij. Vështruar ndryshe, duket se ke ndjesinë e një udhëtimi në një botë latente, ku kufijtë mes realitetit dhe ëndrrës janë aq të hollë e të brishtë, sa mezi kuptohet se ku mbaron njëri e ku filllon tjetra. 

Zbulimet e poetit janë të befta; çiltërisa e tij të çarmatos dhe rikthimi si gjendje e përjetuar, pas leximit të këtij libri, është për lexuesin një rikthim i atyre përjetimeve dhe emocioneve që autori plazmon në vargjet e tij, duke na krijuar përfytyrime dhe deduksione reflektive, që i tejkalojnë caqet e një leximi poetik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat