​Promovohet libri “Ora e Kosovës: Pavarësia dhe Shtetndërtimi” i ish-presidentit Sejdiu

Libra

​Promovohet libri “Ora e Kosovës: Pavarësia dhe Shtetndërtimi” i ish-presidentit Sejdiu

Më: 14 shkurt 2024 Në ora: 16:26
Foto nga vendi i ngjarjes

Në kuadër të shënimit të 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, u promovua libri “Ora e Kosovës: Pavarësia dhe Shtetndërtimi” me autor ish-presidentin Fatmir Sejdiu.

Me këtë rast, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se ky libër është një rikapitullim i rrugës së shtetformimit që u kurorëzua me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.

Ajo tha se titulli i librit ka të bëjë me atë se në mitologjinë shqiptare, ora është një qenie e padukshme që sjellë mbarësi dhe fat, për çka shtoi se “ora jonë ishte me 17 shkurt 2008”.

Osmani theksoi se në këtë libër paraqiten momente autentike që prej filleve të institucioneve të Kosovës, duke përfshirë fillimin e bisedimeve dhe rrjedhën e tyre për statusin tonë politik, shpalljen e pavarësisë, hartimin e kushtetutës, fuqizimin ndërkombëtar të Kosovës, por edhe zhvillime të tjera politike që ndërthuren me aktivitetin e tij politik.

Ajo shtoi se libri i Sejdiut do të jetë një testament dhe frymëzim për gjeneratat e reja në mbrojtjen e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Osmani: Presidenti Sejdiu sjellë në libër momente autentike që prej filleve të ndërtimit të institucioneve të Kosovës

"Në mitologjinë shqiptare ora përfytyrohej si qenie e padukshme mbrojtëse që sjellë mbarësi, që sjellë fat të mirë...Ora jonë ishte me 17 shkurt 2008, me të drejtë presidenti Sejdiu i ka dhënë titullin librit i cili është një përmbledhje vrojtimesh për hapjen e një kapitulli të ri në jetën tonë, në jetën tonë. Shtet ndërtimi dhe pavarësia e Kosovës janë dy sintagma të cilat shkojnë krahas njëra tjetrës, ndaj në këtë proces presidenti Sejdiu paraqitet një kronikan i rëndësishëm i rrjedhave dhe zhvillimeve të cilat i dhanë formë përpjekjes sonë për shtet. Si kreu i shtetit në këtë periudhë historike dhe president i parë e Republikës sonë të pavarur, presidenti Sejdiu sjell në libër momente autentike që prej filleve të ndërtimit të institucioneve të Kosovës, fillimin e bisedimeve dhe rrjedhën e bisedimeve për statusin tonë politik, shpalljen e pavarësisë, hartimin e kushtetutës, fuqizimin ndërkombëtar të Kosovës, por edhe zhvillime të tjera politike që ndërthuren me aktivitetin e tij politik. Procesi i shtet ndërtimit nuk është thjeshtë një tregim historik, por është një dëshmi e shpirtit të qëndrueshëm të një populli që rezistoi, luftoi dhe triumfoi", tha Osmani.

Ndërkaq, ish-presidenti i Kosovës dhe njëkohësisht autori i librit, Fatmir Sejdiu, tha se nuk ka qenë e lehtë të përmbledhë atë se çfarë është shtruar në përmbajtje të këtij libri.

Sejdiu tha se rrëfimin e tij e ka filluar me ngjarjet e bujshme që kanë tronditur botën demokratike, derisa përmend dhunën e terrorin ndaj qytetarëve të Kosovës, organizimin politik të Kosovës, dramat e mëdha të përjetuara në Prekaz, në Mejë e të tjera.

Ai potencoi se “me mbështetjen e miqve tanë, me njerëzit e Kosovës do të lëvizim edhe në pranimin e saj përtej 117 shteteve, por edhe në pranimin e saj në institucionet ndërkombëtare”.

Sejdiu: Kam filluar rrëfimin tim me ngjarjet e bujshme që kanë tronditur botën demokratike

“Përpjekja ime ka qenë mes dy zjarresh, të ndalem në pjesën ditore të zhvillimeve apo të ndalem në pjesën kapitale që paraqesin esencën e atij qëllimi. Jam përpjekur të bëjë zgjedhjen e dytë me ndihmesën edhe të asaj që ka qenë e që nuk mund të harrohet. Kam filluar rrëfimin tim me ngjarjet e bujshme që kanë tronditur botën demokratike me atë që ka ndodhur në Kosovë, me gjithë atë dhunë dhe terror të udhëhequr ndaj qytetarëve të Kosovës, të organizmit politik të Kosovës dhe në veçanti dramat e mëdha të përjetuara në ngjarje si Prekazi, Meja si pjesë të rëndësishme të Kosovës si dhe për pjesën e madhe të njerëzve që i kemi sot. 41:27 Kam marrë detyrë dhe jam përpjekur të shënojë në libër një situatë të trembjes, pas një tronditje të madhe që kishte Kosova, cila do të ishte përballja ime me obligimet që me presin si president i vendit. 47:47 Besoj me mbështetjen e miqve tonë, me njerëzit e Kosovës do të lëvizim edhe në pranimin e saj përtej 117 shteteve, por edhe në pranimin e saj në institucionet ndërkombëtare. Ajo është rrugë e hapur dhe besoj që edhe gjenerata tjera që janë pas dhe që kanë përgjegjësi si presidentja dhe kryeministri në procese normale do të arrijmë të shtojmë edhe miqtë më shumë edhe bashkëngjitjen e Kosovës në institucione ndërkombëtare që do të jete një evaluim i pozitiv i vlerës që ka vendi”, theksoi Sejdiu.

I pranishëm në këtë promovim ishte edhe Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Kosovën gjatë viteve 2006-2008, Joachim Rucker, i cili tha se qytetarët e Kosovës kanë pasur fatin që të kenë president një njeri si Fatmir Sejdiun, në një kohë shumë të rëndësishme për Kosovën.

Ai vlerësoi se ish-presidenti Sejdiu është njeri me vizion, ngase sipas tij, gjatë dhe pas procesit të Ahtisarit, presidenti Sejdiu kishte një koncept.

Rucker: Sejdiu ishte njeri me vizion

"Mendoj që njerëzit e Kosovës kanë pasur fat të kenë një njeri si Fatmir Sejdiu, me një backround politik dhe legal, si president në një kohë shumë kyçe, të rëndësishme, dhe si partner e mik i imi. Ai ishte njeri me vizion sepse edhe gjatë dhe pas procesit të Ahtisarit presidenti kishte një koncept. E dinte se deklarata e pavarësisë në qoftë se do të vinte, nuk mund ta anashkalonte UNMIK-un dhe Kombet e Bashkuara. Duhej të ishte e bazuar në një interpretim të saktë të Rezolutës 1244. Në fund të ditës e gjetëm atë interpretim, në kontekstin e deklaratës së pavarësisë me 17 shkurt 2008. Us bëri UNMIK-ut që t'i tregojë grupeve të ndryshme në Kombet e Bashkuara se dikush e interpreton rezolutën 1244 në këtë mënyrë të tjerët në mënyrë tjerët...Presidenti ishte një prej arkitektëve kyç të asaj çasjeje", tha Rucker.

Ndërkaq, ish-presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi derisa foli për rëndësinë dhe domethënien e titullit të librit “Ora e Kosovës: Pavarësia dhe Shtetndërtimi”, tregoi një ngjarje kur kishte qenë për vizitë në Kosovë, rreth 3 javë para shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, për çka tha se kishte marrë një pyetje “provokative” nga një gazetar. Topi tha se u pyet nëse ai ishte lajmëtar i shpalljes së pavarësisë, për çka shtoi se në mënyrë indirekte kishe pohuar një gjë të tillë.

Topi: Para pavarësisë, nuk i shpëtova një pyetje shumë provokative nga një gazetar

“Unë do të bëjë një lidhje me titullin e librit...Gjatë një vizitee të bërë në Kosovë rreth tre javë përpara pavarësimit nga fundi i janarit të vitit 2008, me ftesë të presidentit Sejdiu. Natyrisht, interesit të madh të gazetarëve, nuk i shpëtova një pyetje shumë provokative...Një nga gazetarët në konferencën për shtyp më bën një pyetje. Në këtë atmosferë, mos jeni juve lajmëtar i Pavarësisë së Kosovës. I thashë jam këtu me ftesë të presidentit Sejdiu, në një vizitë zyrtare të shumëpritur. Por, po të flasim me terma relativ sikurse i takon kohës me qenë. Historia e Kosovës, zgjidhjen e saj fillimisht është menduar që do ta ketë me vite, pastaj kanë ardhur kohët duke u reduktuar në muaj, në ditë dhe unë besoj që tani është çështje orësh. Por, kjo u tha në mënyrë metaforike, interpretimi u bë tjetër. Dhe më një merak shumë të madh...harrova gjithçka dhe duke u futur në zyrë, president i thashë 'Mos bëra ndonjë gabim', 'Shumë mirë bërë morë burrë më tha", tregoi Topi.

Ish-ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Avni Spahiu tha se ky libër paraqet një dëshmi të drejtpërdrejtë, të rëndësishme dhe unike në historinë politike të Kosovës pas lufte.

Kujtojmë se të premten e 10 shkurtit të vitit 2006, Fatmir Sejdiu mori postin e presidentit të Kosovës. Me 80 vota për, 12 kundër dhe 17 të pavlefshme, Sejdiu ishte zgjedhur president pas tre raunde votimesh në Kuvendin e Kosovës.

Ai ishte kandidati i vetëm i propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Kështu kryetari Sejdiu do të vazhdonte mandatin e ish-kryetarit Ibrahim Rugova deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Fatmir Sejdiu është lindur më 23 tetor 1951 në fshatin Pakashticë të Podujevës, kurse jeton në Prishtinë. Ka të kryer Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës dhe ka fituar gradën e Doktorit të Shkencave Juridike në po këtë universitet.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat