Vëllimi me poezi “Erë pranvere” është libri i nxënëses së klasës së pestë, Era Sinani, në ShFMU “Pavarësia” në Prishtinë.
Në këtë libër, autorja ka shpalosur përjetimet personale, imagjinatën dhe botën emocionale të saj.
Poezitë e Erës janë të thjeshta e të kuptueshme, me një larmi temash, duke filluar nga përshkrimi i natyrës, ngjyrat e stinëve, të mirat e tyre për njeriun, frutat dhe dobitë e tyre për shëndetin…
Po ashtu, një vend të veçantë autorja i kushton rolit të shkollës e librit, së bashku me informacionet shkencore për trupat qiellorë, pa harruar ndjenjat e ngrohta për mësuesen dhe vlerësimin për të.
Nuk mund të mungonte, gjithashtu, dhe hapësira që do t’u kushtohej figurave të rëndësishme për historinë e kombit tonë, duke dëshmuar kështu dhe mbrujtjen e saj me ndjenja të fuqishme atdhedashurie.
Pikërisht, poezia e fundit bart mesazhin e ruajtjes në kujtesën kolektive të të gjitha përpjekjeve të heronjve e dëshmorëve tanë për të gëzuar lirinë e pavarësinë që kemi sot.
Vargjet e këtij vëllimi kanë jo vetëm vlerë letrare e artistike, por njëkohësisht janë dhe mjaft edukative, prandaj besojmë se do të lexohen me ëndje e kërshëri, sidomos nga bashkëmoshatarët e saj.
Autorja e këtij vëllimi është nxënëse shembullore mjaft e talentuar, pëlqen leximin dhe matematikën, po edhe baletin dhe muzikën.
Vijon edhe shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë, ku ndjek mësimet për flaut, gjë që tregon përkushtimin e saj ndaj artit dhe kulturës.