“Dashuri në detin e urrejtjes”, shkruar nga Xhevat Mustafa në Tiranë, Shqipëri, botuar në fillim të shkurtit 2024 nga shtëpia e njohur botuese në Prishtinë “BUZUKU”, me editor publicistin dhe shkrimtarin e njohur Abdullah Zeneli, është një roman që po pëlqehet dhe vlerësohet nga kritikë të njohur letrarë dhe lexuesit intelektualë elitarë... Ngjarjet e këtij romani zhvillohen në një fshat shqiptaro-serb, në veri-perëndim të Mitrovicës, në muajt mars -qershor 1999. Linja e parë trajton raportet fqinjësore mes një familjeje shqiptare, të Hysen Drenicës e një serbe, të Bojko Kovaçeviç, me shtëpitë që i ndajnë një rrugë e rreth 25 metra. Baballarët janë armiq, gratë më të buta, ndërsa fëmijët kanë lidhje shoqërie qysh nga fëmijëria e shkolla.
Vajza serbe, Marina, kur ishte dy muajshe, kur i iku qumështi të ëmës, ka pirë qumësht nga gjinjtë e gruas shqiptare, po ashtu lehonë... Për më tepër, ajo është fryt i një lidhjeje jashtmartesore e të fshehtë, 6 mujore, mes Radmillës, gruas serbe dhe Hysenit, babait të Teutës dhe Ardianit, luftëtar në UÇK... Vajza shqiptare, Teuta dhe djali serb, Mirosllavi, oficer i ri në ushtrinë serbe, dashurohen, fillimisht fshehurazi prindërve e pastaj në kundërshtim të fortë me dëshirat e tyre. Forca serbe, që hyjnë një mbrëmje në fshat, djegin edhe shtëpinë e vrasin babain e Teutës, në prani të Mirosllavit dhe babait të tij, oficer në pension, nacionalist histerik dhe mbështetës fanatik i Milosheviçit.
Ndryshe nga i ati, që ndjen kënaqësi, Mirosllavi njeri tolerant dhe i moderuar si natyrë, e përjeton me kundërshtim të hapur këtë vrasje. Ai guxon të mos i bindet as eprorit të tij, që e urdhëron të marrë pjesë më aktive në masakrat ndaj shqiptarëve. Së bashku me kufomën e Hysenit, gruaja e tij, Vjosa dhe e bija,Teuta, të përmbytura nga hidhërimi dhe lotët, kanë mbetur në oborrin e shtëpisë së tyre, nën degët e një molle të madhe. Bashkë me errësirën e natës vjen edhe bora. Nga dy dritaret e shtëpisë së tyre i vështrojnë me keqardhje Radmilla dhe Marina, por fshehurazi tyre edhe Bojko, si në fillim, indiferent. Gruaja dhe e bija i kërkojnë që t’u japë leje ti fusin në një nga dhomat e shtëpisë së tyre dy femrat shqiptare dhe kufomën, por nuk e bindin dot.
Pa lejen e tij, ato u dërgojnë një mangall me prush, për t’u ngrohur sado pak....Pak më vonë Marina u dërgon edhe nga një pjatë me ushqim dhe bukë të ngrohtë dhe nga një gotë me qumësht të nxehtë. Pas dy orësh, kur jashtë janë shtuar ndjeshëm bora e të ftohtit, Radmilla dhe Marina, i luten përsëri Bojkos. Më në fund ai pranon që dy femrat shqiptare dhe kufoma të futen në shtëpinë e tyre, por vetëm për pak ditë.... Në një shtëpi tjetër të përfshirë nga flakët forcat serbe përdhunojnë nusen e re të Bekimit, partizan në UÇK dhe vrasin edhe dy fëmijët dhe dy prindërit e tij. Në shtëpinë ngjitur futen mes flakëve për të shpëtuar dy fëmijë, mbetur jetimë pas vrasjes së dy prindërve, dy të çmendurit, Dushani, nga lagja serbe dhe Skenderi, nga lagja shqiptare.
Nisur nga emrat, Dushani e pandeh dhe quan veten Car Dushan. Ndërsa Skenderi mburret se është i fuqishëm dhe i madh si Skenderbeu. Ndryshe nga njerëzit normalë ata shkojnë mirë me njeri-tjetrin, nuk kanë armiqësi dhe grindje. Skenderi dhe Dushani arrijnë t’i shpëtojnë dy fëmijët nga flakët. I marrin në krahë e shkojnë nga shtëpia e Dushanit, në lagjen serbe. E ëma e tij i pret mirë dy fëmijët. I ushqen, lanë, mjekon, përkëdhel. Ndërsa i ati i Dushanit propozon t’i lënë në një cep apo qoshe të rrugës. Plakës i kujtohet një kushëri i saj në Serbi, gruaja e të cilit është shterpë dhe nuk lind fëmijë. Ajo bisedon në telefon me kushëririn dhe ai, bashkë me të shoqen pranojnë t’i marrin dy fëmijët.
Gjatë një debati me të atin, Mirosllavi thotë se ai po lemeriset nga krimet që po bëjnë ushtarët serbë ndaj shqiptarëve. Mirosllavi i tregon të atit edhe për raste djegieje të shumë kufomave në furrat e Kombinatit të Trepçës si dhe për trafik organesh të brendshme, duke ua hequr trupave të gjallë të robërve shqiptarë e duke i dërguar në disa klinika në qytete të Serbisë... Praktika masive e përdhunimit, më parë në Bosnje dhe tani në Kosovë, bëhet temë debati dhe sherri mes Bojkos dhe Radmillës. Ajo ka dyshime se edhe i shoqi, gjatë dy viteve të luftës në Bosnje, nuk ka bërë spektatorin në rastet e përdhunimeve në grup nga vartësit e tij. Nga Bosnja atij i ka mbetur e fiksuar në kujtesë një vajzë në Sarajevë, rreth 17 vjeçare, violiniste...Në një ditë ajo përjeton vrasjen e prindërve, të motrës dhe vëllait si dhe përdhunimin prej një grupi ushtarësh serbë. Po atë ditë çmendet.
Por, edhe në atë gjendje, ajo vazhdon të interpretojë në dritaren e papafingos ku jeton pjesë muzikore me violinën e vet, edhe në çastet kur mbi kokën e saj hedhin predha dhe breshëri plumbash avionët serbë. Një ditë vritet nga plumbat e një avioni, kur po ekzekutonte kapricon nr 13 të Nikola Paganinit. Një violinist cigan merr violinën e saj dhe vazhdon të ekzekutojë po këtë pjesë... Darko, me dëshirën për t’u martuar me Marinën, e cila e ka refuzuar me vendosmëri, i bën pritë të dashurit të saj, Dragoljubit, kur ky po kthehej me një xhip ushtarak për ta marrë vajzën. Do të shkonin në mbrëmje në një nga lokalet me muzikë live në Kurshumli, një qytet serb pranë Mirovicës. Darko, me disa paramilitarë të veshur me uniforma të UÇK-së, e vrasin Dragoljubin, për ta propaganduar si një vrasje prej saj. Por, pak minuta pas këtij krimi, grupi i paramilitarëve serbë rrethohet nga një grup më i madh ushtarësh të UÇK-së. Darko, falë edhe errësirës, arrin të shpëtojë, ndërsa të tjerët bien robër dhe rrëfejnë të vërtetën.
Po atë ditë Marina u tregon prindërve të vet dhe të Dragoljubit se është shtatzënë me atë, duke filluar kështu edhe drama tjetër e saj për fatin e kësaj barre dhe të foshnjes. E ëma e saj, Radmilla, është për abortimin, ndërsa e ëma e Dragoljubit për ta mbajtur.. Më vonë, disa ushtarë dhe paramilitarë serbë, i bëjnë pritë një kolone me refugjatë shqiptarë nga Kosova, që ishin nisur drejt Shqipërisë. Disa prej paramilitarëve serbë, ndër të parët Darko, e përdhunojnë në grup Teutën, Mirosllavi i fshehur pas trungut të një druri e pa u diktuar se cili ishte i vret tre prej përdhunuesve, duke u interpretuar si një vrasje nga një njësit i UÇK-së aty pranë, që arrin në vendin e ngjarjes pas disa minutash.
Ai niset për në Austri. Pa u larguar as 2 km pendohet e kthehet në repartin e vet ushtarak. Teuta pëson krizë të fortë nervore dhe së bashku me të emën niset për në Tiranë. Teuta shtrohet për rreth 2 muaj në Spitalin Neuro- psikiatrik nr 5 në Tiranë. Disa ditë më vonë, gjatë një luftimi mes forcave ushtarake serbe e të UÇK-së plagosen edhe Ardiani dhe Mirosllavi. I plagosur rëndë Ardiani bie rob në duart e forcave serbe. Në një spital lëvizës ushtarak e vendosin në një çadër me disa ushtarë serbë të plagosur. Mes tyre ishte edhe Miroslavi. Një natë, në kllapi, Ardiani flet disa fjalë në shqip. Mirosllavi e dëgjon dhe e njeh nga zëri. Pas një dite, për të parë të birin, vijnë në spital Radmilla dhe Bojko.
Kur ky shikon aty edhe Ardianin, ndien habi dhe tërbim. Bojko largohet me zemërim dhe bisedon me doktorin. I propozon që ta lërë shqiptarin të vdesë, duke mos e mjekuar ose duke i bërë një injeksion vdekjeprurës. Por, nga mesnata avionë të NATO-s sulmojnë edhe çadrat e këtij spitali. Miroslavi, që është në gjendje më të mirë fizike, e ndihmon Ardianin, duke e mbajtur në supet e tij, të largohen...Por, pas disa orë udhëtimi rraskapitës ndahen. Mirosllavi drejtohet për në zonën ku janë forcat serbe, ndërsa Ardiani drejt zonës ku janë forcat e UÇK-së. Mirosllavi, pas një luftimi, bie rob në duart e një njësiti të UÇK. Në roman, në fragmentet për UÇK-në, krahas akteve heroike dhe sakrificave, si dhe dashurisë së Ardianit me Besianën, janë edhe disa episode që tregojnë për prani spiunësh në rradhët e UÇK-së, si Kadriu; për akte spiunimi dhe vrasjesh pas kurrizit në gjirin e disa reparteve të saj. Këto përshkruhen dhe interpretohen si shprehje e diversionit agjenturor të forcave serbe, por edhe e ambicjeve dhe përpjekjeve karrieriste nga disa drejtues të saj, për të kapur poste sa më të larta në UÇK e më vonë, në institucionet shtetërore dhe qeverisëse në Kosovën e çliruar e të pavarur.
Pas disa ditësh në fshat futen forca të UÇK-së. Në hyrje të shtëpisë njeri prej partizanëve e njeh Bojkon dhe e urdhëron që të ndalojë, me duart lart. Por, Bojko, duke e pas paramenduar që autorësinë e vrasjes së tij t'ia linte UÇK-së, për të t'i hedhur benzinë të re flakëve të urrejtes së familjarëve të tij dhe serbëve të tjerë ndaj shqiptarëve, përpiqet të nxjerrë revolverin. Partizani tregohet më i shpejtë dhe e vret. Një njësit tjetër, me Ardianin, shkojnë në shtëpinë e Darkos, për t’u hakmarrë ndaj tij për përdhunimin e Teutës. E gjejnë në dush. Ardiani e qëllon disa herë e fort me qytën e automatikut dhe me shkelma, poshtë, mes këmbëve, me dëshirën për ta lënë përjetësisht seksualisht të paaftë si burrë. Pas fitores së NATO-s dhe të UÇK-së tek serbët ka frikë e pasiguri për të ardhmen e tyre e për bashkëjetesë paqësore me fqinjët shqiptarë, ndaj të cilëve ushtarët dhe paramilitarët serbë kanë bërë krime të shumta e çnjerëzore.
Shumë i braktisin shtëpitë, duke i shitur shpejt e lirë, sidomos tek shqiptarët dhe duke u larguar për në Serbi. Kështu mendojnë të bëjnë edhe Radmilla dhe Marina. Nga ana e tij, Ardiani niset për në Shqipëri të gjejë nënën dhe motrën. Në spitalin neuro-psikiatrik të Tiranës Teuta është në një dhomë me një vajzë nga Vlora, viktimë prej rreth 2 vjetësh e shfrytëzimit për prostitucion në Itali nga Leko, i fejuari apo tutori i saj shqiptar. Ardiani takohet me mall dhe gëzim me nënën dhe motrën. Por gëzimi zgjat fare pak. E ëma, Vjosa, i thotë fshehtas, se Teuta është shtatzënë nga përdhunimi dhe se të nesërmen do t’i bëjnë abort. Ardiani dëshpërohet shumë për këtë dramë të re të motrës. Ai vendos të rrijë aty deri ditën e abortit e të niset për në Kosovë, një ditë më vonë. Ardiani arrin në fshat në mëngjesin e ditës së nisjes për në Serbi të Radmillës dhe të Marinës.
Ai shkon t’i takojë. Në fillim i falënderon për ndihmën që u kishin dhënë nënës dhe motrës së tij. Pastaj i këshillon që të mos e braktisin shtëpinë e të mos largohen për në Serbi. Ardiani i siguron se ato si femra dhe përgjithësisht familjet paqësore serbe, nuk duhet të kenë fare frikë për hakmarrje nga autoritetet e reja shqiptare të pas luftës. Radmilla nuk i beson, ndërsa Marina duket e lëkundur. Ato ikin...Ardiani kthehet tek muratorët që vazhdojnë punën për rindërtimin e shtëpisë së tij. Bisedon me Bekimin, që ka i ka ndërprerë studimet universitare për inxhinieri ndërtimi në mes të vitit të tretë. Bekimi i shpreh shqetësimin se serbët kanë filluar të blejnë shumë shtëpi shqiptarësh në veriun e Mitrovicës, duke u ofruar pronarëve shqiptarë shuma disa fish më të mëdha se sa përdoren në tregun formal. Në çastin kur Bekimi i thotë me keqardhje:”Po na e marrin para syve e nga duart tona, Mitrovicën, vëlla!”, mbi trupin e tij bien disa plumba automatiku. Ardiani e njeh njeriun që qëlloi. Ishte Darko. Ndërsa ai vraponte, Ardiani e qëllon me disa plumba. Njeri e godet për vdekje.
Pas tre muajsh Vjosa dhe Teuta, e shëruar kthehen nga Tirana, në shtëpinë e tyre të rindërtuar...Një mëngjes Teuta takohet me Marinën. Pas përshëndetjeve dhe pyetjeve të zakonshme Marina i tregon se Mirosllavi është në Austri dhe i thotë se nëse dëshiron mund t’ia japë numrin e tij të celularit. Teuta, pas disa sekonda në mëdyshje, ikën pa e përshëndetur drejt shtëpisë së saj, duke qarë me shpirt e trup...
Njëkohësisht mbi bazën e këtij romani kam përgatitur edhe një skenar për film artistik me metrazh të gjatë, përkthyer edhe në anglisht. Këtë roman, ashtu si atë “Dashuri diktatori”, mund ta gjeni në Tiranë në Librarinë në Rr.“Hoxha Tahsim” ose e Porcelanit, menjëherë pas pikës së karburantit, në krahun e majtë në drejtimin nga mali i Dajtit, rreth 40 metra më tutje “Qendrës Stefan” tek Pazari i Ri e gati përballë me Klinikën “Sulçebe”! Çmimi 800 lekë! Ndërsa në Prishtinë, në Librarinë “BUZUKU” në Sheshin “Nënë Tereza”, tek Kinema ABC dhe në Librarinë në Sheshin Edit Durham, afër statujës së Joined Facebook June 5, 2009. Çmimi 8 euro!