​Panairi i librit në Prishtinë, kërkohet më shumë promovim të leximit

Libra

​Panairi i librit në Prishtinë, kërkohet më shumë promovim të leximit

Më: 5 qershor 2024 Në ora: 15:31
Foto nga vendi i ngjarjes

Panairi nuk është çështje vetëm e organizmit, por dëshmi e qëndrueshmërisë, rezistencës dhe përkushtimit të shtëpive botuese që bashkë me autorët të krijojnë dhe ofrojnë përmbajtje cilësore për lexuesit në Kosovë.

Kështu tha ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në edicionin e 24-të të Panairit të Librit, i cili u hap sot në Prishtinë me moton “Përgjigjja është libri”.

Hajrulla Çeku ka thënë për KosovaPress se gjeneratat e reja të autorëve, krijuesve në letërsi janë duke sjellë një frymë të re, dhe sipas tij kjo është arsyeja kryesore pse nuk ka rënie në nivelin e leximit.

Çeku: Gjeneratat e reja të autorëve po sjellin frymë të re

“Është momenti kulmor i të gjithë aktivitetit në kuptim të nxitjes së leximit, të mbështetjes së autorit edhe të mirëmbajtjes së kulturës, leximit fizik të sfiduar nga teknologjia dhe nga mundësitë alternative për të pasur qasje të tekstit te libri dhe te letërsia në përgjithësi. Është punë e jashtëzakonshme që e bënë shoqata e botuesve, mirëpo panairi nuk është çështje vetëm e organizmit, por dëshmi e qëndrueshmërisë, rezistencës dhe përkushtimit të shtëpive botuese, të botuesve që bashkë me autorët përkundër sfidave vazhdon me krijuar dhe me ofruar përmbajtje cilësore për lexuesin në Kosovë... Shpesh spekulohet për sa lexojmë dhe a lexojmë apo jo, por duhet të shohim dhe studimet, duhet të bëhen disa vlerësime empirike me të dhëna konkrete. Besoj dhe mendoj shumë sidomos gjenerata e re e autorëve, krijuesve në letërsinë në Kosovë janë duke e sjellë një valë, një frymë të re dhe këta janë edhe arsyeja kryesore pse unë besoj se nuk kemi rënie në nivelin e leximit në vendin tonë”, ka thënë Çeku.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka thënë se ministria që ajo drejton ka ndërmarrë një rishikim të thellë të teksteve shkollore duke punuar në tekstet e gjuhës shqipe dhe matematikës, për arsye që fëmijët të rriten me tekste cilësore dhe efektive.

Nagavci: Fëmijët të edukohen me tekste cilësore dhe efektive

“Te fëmijët përgjithësisht, vetëdija zhvillohet në momentin kur fillojmë të bëjmë pyetje. Pyesim për njerëzit dhe dukuritë rreth nesh në përpjekje për të njohur dhe kuptuar botën, dhe çdo përgjigje që e marrim në një formë është magjike, sepse na pasuron mendjen dhe shpirtin ma mëson dhe na rrit, dhe me mundësitë që kemi sot, fatmirësisht përgjigje mund të gjejmë kudo dhe kurdo, por përgjigjet më të bukura më të plota janë ato që i gjejmë në libër. Është rritur dukshëm mbështetja për libra dhe shtëpive botuese si dhe autorë të pavarura. Këto dy vite kemi ndërmarrë një rishikim të thellë të teksteve shkollore duke punuar në tekstet e gjuhës shqipe dhe matematikes, dhe këtë e kemi bërë me bindjen se libri vazhdon të jetë instrumenti kryesorë i mësimit në shkolla tona, andaj ne duam që fëmijët tanë të rriten me tekste cilësore dhe efektive”, ka thënë Nagavci.

Drejtoresha komunale për Kulturë në Prishtinë Sibel Halimi u ka bërë thirrje shkrimtarëve dhe lexuesve të promovojnë sa më shumë leximin, pasi sipas saj niveli i leximit është duke shënuar rënie.

Halimi: Shkrimtarët e lexuesit të promovojmë sa më shumë leximin

“Është shndërruar në një traditë të kryeqytetit dhe nuk mjafton që të organizojmë vetëm për panair por është shumë e rëndësishme që të ftojmë shkrimtarët, lexuesit dhe të promovojmë sa më shumë leximin. Po jetojmë në një kohë, në fakt niveli i leximit është në rënie dhe neve na takon që së më shumë të promovojmë librin, librat e duhur për fëmijët tanë, të rinjtë në mënyrë që mendimi i tyre kritik të zhvillohet, por edhe bota e tyre shpirtërore e imagjinare”, tha ajo.

Edicioni i 24-të i Panairit të Librit, organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës (SHBK), mbahet prej 5 deri më 9 qershor 2024, në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

Në panair marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora, me rreth gjashtë mijë tituj, prej tyre dy mijë tituj të rinj.

Në kuadër të panairit do të shënohet edhe 100-vjetori i lindjes së At Zef Pllumit, 100-vjetori i vdekjes së Franc Kafkës dhe aktivitete tjera, ku spikasin i ftuari i nderit shkrimtari francez Eric Faye, fitues i Çmimit të Madh për roman të Akademisë Franceze dhe Çmimit Deux-Margots, botimi dhe promovimi i vëllimit testament të Rexhep Qosjes, po ashtu i ftuar i nderit. 

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat