Sami Mulaj poeti që tejçon sharmin e përtej stinës

Libra

Sami Mulaj poeti që tejçon sharmin e përtej stinës

Qazim D.Shehu Nga Qazim D.Shehu Më 1 korrik 2024 Në ora: 12:05
Foto ilustrim

Poeti Sami Mulaj me disa vëllime, si: "Lisat e mi të diellit", "Buzëqeshja e së nesërmes", "Dy anadrinët", nga dita në ditë po e vërshon të thurur bukur verbin e tij krijues dhe ja ku vjen me vëllimin e katërt poetik "Stina e pestë", një titull intrigues që kumton metaforikisht se çka përtej stinëve. Stinët, në shpjegimin e tyre, janë normaliteti që natyra e vendos vetvetiu. Dhe e pesta stinë është ajo çka mbetet nga përjetimi që të afrojnë, nga sharmi dhe ëndrra e përvetësuar pa e ditur, është shija e jetës. Sami Mulaj jeton në emigracion, në një ambient tjetër, por kurrë nuk e harron vendlindjen, të cilën e mbart përmes kujtesës. Poezia e tij është e çlirshme, identike, e dallueshme, me një regjistër fjalësh plot kumbime e ngjyresa të shumëllojta, me një sintaksë eliptike deradiane.

"Tomor, Korab dhe ti Shkëlzen, majëlartë, me gishta në jerm…" mallet, bjeshka, njerëzit janë kujtesat e vendlindjes që i vijnë nga pas dhe i tregojnë horizontin, siç duhet të ecë poezia e tij. Është një rastësi e bukur njohja me këtë poet dhe me poezinë e tij. Malet, lugina, bjeshka, njerëzit, Dardania, ia ngarkojnë mbrëmjet, të cilat "barrëtohen me shpresa dhe rrallë lindin mëngjese të freskëta", sepse "E nesërmja si drenushë e hutuar afrohet". Dhe në këtë turrje ekzistenciale, poeti kërkon: "Heshtja aty ka ra, heshtja aty ka mbi, ku janë trojet e mia?".

Gjithë kjo ngarkesë shpirtërore e shoqëron poetin atje larg dhe e bën të meditojë mbi atë raport-ekuilibër, mbi të cilin ai ecën shpirtërisht, sepse, ndërsa ndodhet në një tjetër vend, kujtesa nuk e lë të qetë. Libri "Stina e pestë" është një buqetë me lule të freskëta, që ndodhet në "kërcënimin" e flakëve përndezëse të mallit të pashuar prej atdhetarit, që e mbart imazhin e vendlindjes dhe të atdheut, duke e kërkuar atë në vendosjen e një standardi të ri. Është ai standard i paplotësuar, që e ka detyruar të largohet, por pikërisht ajo pendesë dhe mungesë përmbushjeje e bën të plotësohet me poezi, e cila i sjell brengën dhe trishtimin, por edhe mallin, dëshirën, edhe vokacionin lartësues si poet, sepse ndërsa kalon "aeroporte, kujtesa si membranë e përflakur, i mbështjell çastet që lë pas".

Dhe në këtë bredhërim inkandescent ku fluroriteti i mallit hidhet e të drithëron, ai nuk mund ta fshijë këtë shije, këtë memorie të vendlindjes, mikpritjen dhe traditat e vyera, me frikën se ato humbasin nga largësia dhe moderniteti hutues në troje të tjera, ku vështirësia e identifikimit është kërcënuese. Poeti Sami Mulaj është në kërkim të rrënjëve të tij, edhe pse është i qartë për vendndodhjen për njomështinë e tyre, se trualli ku ato janë ngulur është i fortë. Këto rrënjë, vazhdimisht ujiten nga malli me një ndjenjë të fortë atdhedashurie. Të vendosura të gjitha motivet në optikën e kujtesës, ato e shkundin atë, ndaj kurrë nuk e harron të sotmen. Ndoshta i nxitur nga një motiv i Naimit të madh që thotë "atje dita është tjetër ditë".

Natyrisht, një mbresë për çdo emigrant, për çdo të larguar në dhera të tjera. Poezia Sami Mulajt është një ligjërim i lirë me një thyerje të çuditshme të vargut, ku vendosen në thyesat e tij malli dhe heshtja, që vjen si rezultat i forcës dhe peshës së mallit. Eliptizmi si mungesë është veçori e të shprehurit origjinal, tipar i sintetizimit ku thuhet pak e nënkuptohet shumë. Kjo i sjell poetit edhe një modernitet dhe, nga ana tjetër, lakonizëm dhe shprehësi të admirueshme.

"Në gjirin e tokës pinë sa agime të etur", sepse "në qiell të heshtjes në udhë dhimbje, fryma ime dalë prej ashtit të gjoksit ikën me retë". Ja si ta jep poeti një detaj thurur aq thekshëm përmes vargjesh sintetike, me kapërcime të befta imazhesh dhe të konturuar me finesë për të dhënë atë që është përtej, si frymë transmetuese dhe shije e natyrës. Natyra bëhet element parësor, ku autori zbulon detaje, pasataj si qëndistar i vë bukur në këmishën e poezisë që vesh trupin e idesë. Natyra e vendlindjes, por edhe natyra urbane. Poeti është në kërkim të çasteve interesante, të zbulimeve poetike, të atyre zbulimeve që i lënë mbresa të njoma se, ndërsa "bardhësia me çarçafë mbulon gjithçka në vend që të heqim të bardhën vraponi të heqim të zezën urrejtje".

Poeti apelon për përqafimin e ndjenjës së dashurisë, jo thjesht si një proklamatë declarative për ta bërë këtë, por e sëndërton në çdo ind të poezisë së tij, dhe me një ngjizje mbresëdiktuar. Vizioni njerëzor plot dhimbje e pasion për ta përcjellë atë me fjalë që komunikojnë ëmbël mbetet një tjetër tipar në këtë vëllim poetik, dhe kjo ndihet në çdo varg që shpërfaqet spontanisht e freskueshëm si valët e lumit Valbonë. Pikërisht, kthjelltësia dhe qartësia e ndjenjës, larg të dukurit dhe kamuflimit të panevojshëm, imponon një tjetër tipar evident i poezisë së tij të arrirë. Sinqeriteti dhe të besuarit e fjalës, gjendshmëria e saj në kontekste që duhen, përcillet në poezinë e tij me vrullin e sinqertë të ndjenjës, që kuptohet jo vetëm nga distancat, por nga krejt formimi i tij si njeri dhe si poet.

Ai sprovon dhe alternon, mistifikon e konkretizon shijen e jetës që vjen prej të jetuarit të saj me dashurinë për të, për vendlindjen, njerëzit e saj, ata që janë dhe ata që s'janë më, për traditat dhe besën. "Jam zjuar përmes xhamit të thyer të kujtesës e shkuara prizmohet si rrugët ku shkela". Poezia e tij gjeneron ide të shumta dhe ato tejçohen përmes një energjie shpirtërore plot hove të heshtura, përcjellë përmes mesazheve që dekodifikohen lehtësisht, por që fshehin ëmbëlsisht një thëllësi mendimi. Simbolika e hollë, ku shtresëzimet kuptimore afrohen dhe i lënë vend njëra-tjetrës në atë mënyrë që mesazhi të kalojë nëpër shtigjet e tyre pa vështirësi, është në natyrën e verbit krijues të poetit Sami Mulaj, bashkë me frymëzimin e vetvetishëm që kapërthehet nga indicje të forta. Derdhja e lirshme pa lajle-lule e pa sforcime, kur vjen puna, i nënshtrrohet me përpikëri organizimit strukturor të poezisë dhe kujdesit për të shmangur fjalën e tepërt.

Si në lojën e një karuseli, ky varg shpalos ngjyra afektuese që nuk kanë për qëllim të hutojnë as të të mahnisin, por nëpërmjet tonalitetit të tyre të tregojnë mahnitjen e jetës. Si poet i një vargu të thyer, ku vargjet e tij nuk disiplinohen nëpër strofa dhe as ruajnë një metër të njëjë, Sami Mulaj i bindet vetiu frymëzimit dhe idesë, si dhe nuk sforcohet në shprehësinë e tij kumbuese. Vargu metaforik dhe simbolika e hollë vijnë natyrshëm dhe në këtë rrjedhë krijojnë një kuadër të përcaktuar, ku poezia ruan strukturën e saj pa teprime me vargje që mund të hiqen. Kjo meritë e tij ka ardhur duke u konsoliduar nga vëllimi në vëllim, deri në vëllimin "Stina e pestë", që është libri i tij i katër me poezi dhe ndoshta libri më i mirë i tij deri më tani, gjë që dëshmon se ai është në kërkim të temave motiveve dhe të përsosjes së formës. Vargu i tij merr dritë në hapësirat imagjinative të mendimit dhe metaforat krijonë një zinxhir të artë, ku lidhet kali i fantazisë dhe i shpresës që të kullosë në lëndinat e kujtesës dhe të mallit, të dashurisë dhe të lirisë.

Ky intonim shprehimisht dhe intuitivisht shqyrton pamje dhe imazhe prekëse, sa konkrete aq dhe abstrakte, me një hov liriko-epik që të bën për vete dhe të tërheq për një kohë të gjatë. Vëllimi "Stina e pestë" duhet lexuar edhe për poezitë e etydit, ku mjaft detaje shprehen në heshtje dhe flasin shumë. Poezia e etydit është një poezi me forcë shprehëse të fuqishme nëntekstuale. Pikërisht për këtë, ajo të mbetet në mendje dhe mbahet mend gjatë. Mikrofabula që krijon ta sjell vetvetiu dallohet për veçanësinë e saj. Sepse "Fryma ime dalë prej ashtit të gjoksit ikën me retë me to mbështjell një ditë të ftohtë kur ika pa më përcjellë airbus i mallit këngën shfryn". Poezia e Mulajt krijon një gjendje pezullie, se ndërsa e lexon poezinë deri në fund me një frymë, një tronditje të beftë që duhet ta këpërcesh pastaj, duke menduar gjatë për të. Efekti "goditës" që të përcjell një poezi e mirë, natyrisht, të jep shije, sepse ai ngulmon tek ajo, te përtej stina, pa harruar identifikimin e asaj që e shkakton këtë efekt.

Prandaj, stina e pestë mbetet natyra, njeriu, koha, gjithçka që u mbrujt bukur e mirë brenda saj, gjithçka që njeriu asaj ia mori i gëzuar prej bukurisë së saj dhe dhuratat që ajo jep, e që mundi t`ia kthejë si vlerë të mbrujtjes lirike. Gazmimi dhe trishtimi, kujtesa dhe çasti i tanishëm rrinë pranë e pranë në poezinë e tij dhe krijojnë një botë të përndritshme ndjesish, por nuk mungojnë as kontrastet, të cilat vijnë prej gjykimesh dhe prej dhimbjesh që janë të natyrshme, sepse "Odë e kuvend pa margëz fjalës mos me ia tha rrënjën të gjuhem me gurqafë në Drin a të gjalloj burrë Tahir Sinan në Pashtrik". Dilema ekzistenciale bëhet kështu fole e kujtesës ku shpresohet për të ardhmen…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat