Më është bërë zakon të shkruaj mbi një libër vetëm kur impresionohem më shumë se ç’pres. Kështu më ndodhi kur mora në dorë librin Fan Noli – Apostulli të Ilir Ikonomit dhe automatikisht nisa të recitoj “Anës lumenjve”, se aq shpesh e kam pas recituar gjatë viteve shkollore saqë zor ta harroj ndonjëherë. Por kur mbërrita në faqen e fundit të librit, pas një leximi frenetik vetëm me pushime dreke e darke, i dhashë kuptime e shpjegime të tjera çdo poezie të Nolit që, në atë kohë, i komentonim thjesht me nota patriotike. Se pas çdo krijimi ka një ngjarje, ka një histori, ka një marrëdhënie që ne nuk e kemi ditur. Poezinë e mora shembull, sepse libri i Ikonomit nuk bën fjalë ekskluzivisht për poezitë apo Nolin e letrave.
Fan Noli i Ikonomit është një jetëshkrim i një personaliteti padyshim të mahnitshëm, i ndërtuar mbi të dhëna arkivore nga burime të ndryshme, si nga Arkivi Kombëtar i SHBA, Biblioteka e Kongresit në Uashington, Arkivi dhe Biblioteka Kombëtare shqiptare, e të tjera.
Ikonomi vjen më i sprovuar si studiues në këtë publikim për Nolin. Stili i të shkruarit është më i zhdërvjellët dhe i pëlqyeshëm (sesa kur e krahasoj me publikimin mbi Konicën). Libri është i organizuar në 6 kapituj sipas kronologjisë së ngjarjeve që prej 1906 deri në 1920, duke e lehtësuar lexuesin në mbajtjen e vëmendjes dhe zhvendosjen në kohë.
Autori, sipas meje, ka përdorur stilin e referencave Chicago me shënim rendor në fund të faqes për çdo kapitull. Kështu, për shembull, për kapitullin e dytë “Kisha Shqipe” listohen 393 referenca, gjë që tregon angazhimin serioz të autorit për të sjellë një vepër studimore të mirëfilltë, sesa përshkrime emotive.
Figura e Nolit vendoset në mjedisin e Shqipërisë dhe shqiptarëve të kohës, dhe personaliteti i tij ravijëzohet faqe pas faqeje. Kështu, lexuesi mund të arrijë të krijojë një imazh të qartë e të plotë të Nolit si themelues të Kishës shqiptare, mbrojtës të gjuhës shqipe, lider, diplomat, poliglot, mjeshtër i fjalës dhe i penës, publicist, përkthyes, orator i pashoq, lobues i paepur i çështjes shqiptare, patriot i pashembullt.
Noli është i dyshuar si agjent, viktimë intrigash, zilish, xhelozish shqiptarësh ambiciozë. Ai është i etur për pushtet, zemërak e hakmarrës. Noli është shmangës detyrimesh e narcisist. Nuk mund të mos vësh re sesa vlerësim të lartë kishte Noli për veten, duke besuar se ishte special e superior në krahasim me gjithë të tjerët, sa varfërisht reagonte ndaj kriticizmit e sa impulsiv ishte në sjellje. Ndoshta sepse, që në fëmijëri, Nolit i ishin prezantuar tre figura, të cilat ai duhet dhe do t’i kishte etalonë dhe udhërrëfyes në jetën e tij. “Çfarë do të bënte Napoleoni, Skënderbeu apo Jesusi në këtë rast?” - pyeste Noli veten sa herë që ndeshte një pengesë apo dilemë. E pra, edukimi me pritshmëri të standardit kaq të lartë dhe të dimensioneve përtej njerëzores do të çonte pa dyshim në formimin e një personaliteti kompleks e shumëplanësh, si ai i Nolit.
Autori, me mjeshtëri, paraqet fakte historike duke iu ruajtur mbajtjes së qëndrimit personal, edhe pse diku mund të ndihet ndonjë notë e kujdesshme kritike a interpretimi. Është e vështirë të ruash neutralitet kur shkruan histori, e megjithatë Ikonomi ia arrin me sukses. Ai madje ka një meritë tjetër nga pikëpamja akademike, pasi aty-këtu, me ndërhyrjet e tij shpjeguese, nxit të menduarin kritik.
Lexuesi mbahet i mbërthyer gjatë gjithë kohës, duke bërë pyetje e duke dyshuar, analizuar e interpretuar gjithmonë, duke përballur informacionin e sapo marrë me atë të vjetrin, të skalitur prej vitesh në memorie. Libri diku të bën ta admirosh Nolin, e diku tjetër të bën ta gjykosh atë, sepse Noli ishte i jashtëzakonshëm në guxim dhe angazhim. I papërtuar për të arritur. Talent dhe burimplotë. Nuk ia përtonte qesëndive publike për kundërshtarët dhe e kishte të vështirë të hiqte dorë nga bindja e vet apo të hapte rrugë, sepse ai besonte se ishte në anën e të vërtetës dhe të së drejtës.
Ajo që mua më mbeti në mendje jo për mirë, për shkak të ngjashmërive me realitetin e sotëm, ishin konfliktet mes intelektualëve, zilitë dhe spiunllëqet për të fituar territor e influencë në komunitet e ndër ambientet e të huajve, servilizmat dhe lojërat me shumë porta, fshehje vulash dhe marrje peng organizatash, fryrjet e vetëmburrjeve.
Emra që, në tekstet shkollore të historisë, janë idealizuar, gdhendur në mure, derdhur në monumente e pikturuar në tablo, meqë qeveritë nuk janë kursyer të prodhojnë mitet që iu janë dashur, në librin e Ikonomit ne i shohim ndryshe, i shohim njerëzorë me të mirat e të metat e tyre, sepse në kohët e sotme mitet dhe heronjtë e dikurshëm po dekonstruktohen në shërbim të së vërtetës.
Unë jam në pritje të vëllimit të dytë për Fan Nolin, që Ilir Ikonomi ka premtuar se do e sjellë së shpejti. Deri atëherë, rekomandoj të gjithë miqtë e mi të mos humbin shansin ta lexojnë Apostullin. Nuk është një libër vere, por është shkruar aq butë dhe natyrshëm sa do t’ju shoqërojë këndshëm në pushime.