Me aktivitete të shumta po vazhdon dita e dytë e edicionit të dytë të Festivalit dhe Panairit të Librit për Fëmijë në Prishtinë, gjatë të cilit nxënësit kanë mundësi të argëtohen dhe të shikojnë tituj të ndryshëm të autorëve vendorë dhe të huaj nga shtëpi të ndryshme botuese.
Me këtë rast u theksua nevoja që festivale të tilla duhej të organizoheshin më shpesh në të gjitha komunat e vendit.
Organizatori Agon Ahmeti u shpreh i kënaqur me numrin e madh të fëmijëve që po vizitojnë panairin. Derisa ka thënë se në çdo orë të paktën 200 fëmijë janë prezent që po vinë në mënyrë të organizuar nga shkollat.
Ahmeti: Në çdo orë të paktën 200 fëmijë i kemi prezent nga shkollat
“Shumë këndshëm është duke shkuar, fatmirësisht deri tash koha është e mirë, edhe pse kemi pas paralajmërime që mundet me qenë moti i ligë. Gjithsesi, po shpresojmë me pas këtë fat deri në ditën e fundit, meqenëse interesimi është jashtëzakonisht i lartë, mund të them në çdo orë të paktën 200 fëmijë i kemi prezent që po vinë në mënyrë të organizuar nga shkollat, kryesisht të Prishtinës, por edhe jashtë Komunës së Prishtinës, natyrisht edhe prindër që po sjellin fëmijët e tyre për të vizituar festivalin dhe panairin e librit për fëmijë. Natyrisht festivalet e tilla do duhej të organizoheshin më shpesh dhe në gjitha Komunat e Kosovës”, tha Ahmeti.
Ndërsa, vetë nxënësit janë shprehur të lumtur me aktivitetet në panairin e librit teksa theksojnë nevojën për më shumë panaire të tilla.
Nxënësja e një shkolle në kryeqytet, Nina Gjoshi derisa tha se po kalojnë mjaft mirë në panair, ka shtuar se në këtë formë janë relaksuar duke bërë aktivitete të ndryshme.
Gjoshi: Në panairin e librave kam kaluar shumë mirë
“Në panairin e librave kam kaluar shumë mirë, sepse edhe jemi relaksuar dhe kemi bërë disa joga, dhe kemi shikuar libra...Lexoj libra shumë edhe në shkollë, edhe në kohët e lira lexoj më shumë libra”, tha Gjoshi.
Edhe nxënësi tjetër, Kaon Qoqaj ka thënë se është e nevojshme që të ketë sa më shumë panaire të tilla.
Qoqaj: Nevojitet të organizohen më shumë panaire për libra për fëmijë
“Do të duhej të kemi më shumë këso panaire, sepse relaksohemi më shumë si fëmijë, dhe kemi bërë aktivitete të ndryshme, kemi relaksuar mendjen dhe jemi kënaqur shumë”, tha ai.
Mësimdhënësja Shqipe Shabani, e cila ka sjelle nxënësit të vizitojnë panairin, vlerëson se i njëjti është shumë i rëndësishëm duke marrë parasysh vlerën e librit.
Shabani: Panairet e librit janë të mirëseardhura çdoherë
“Panairet e tilla janë shumë të rëndësishëm për fëmijët, për shkak se vlera e librit e dimë sa është e rëndësishme për ta, që fëmijët të lexojnë sa më shumë, të kenë shprehje më shumë...Panairet e tilla janë të mirëseardhura çdoherë”, tha ajo.
Anda Gjikolli, njëra nga përfaqësueset e shtëpive botuese në vend, është shprehur e lumtur me interesimin e madh të fëmijëve në panair, teksa konsideron se panaire të tilla duhet të organizoheshin më shpesh.
Gjikolli: Jemi shumë të kënaqur me interesimin e fëmijëve
“Jemi shumë të kënaqur me interesimin e fëmijëve, ku shumica fëmijëve kanë ardhur edhe në grupe nga shkolla të ndryshme...Mendoj se po, sidomos edhe gjatë stinës së verës do të kishte qenë mirë që të kishte sa më shumë panaire të tilla në mënyrë që të promovohet edhe leximi te fëmijët ”, ka thënë ajo.
Edicioni i dytë i Festivalit dhe Panairit të Librit për Fëmijë në Prishtinë do të jetë i hapur për vizitorë deri më 6 tetor.