Demistifikimi dhe demitizimi i rolit ideologjik të komunizmit

Libra

Demistifikimi dhe demitizimi i rolit ideologjik të komunizmit

Nga: Ma.sc.Idriz Morina Më: 21 nëntor 2024 Në ora: 10:46
Foto ilustrim

Demistifikimi apo demitizimi i ngjarjeve historike dhe atyre në zhvillim, si i rolit të partizanëve në historinë shqiptare, kryesisht në Kosovë, por edhe në Shqipëri, duke i zhveshur nga ‘aureola’ heroike, dhe duke i tipizuar, sipas argumentit historik, që kryesisht ishte në dëm të interesit të shqiptarëve këndej dhe andej kufirit, është ideja qendrore e romanit të Gani Mehmetajt, “Muri i heshtjes”.

Këtij demistifikimi si shpëtojnë as tri fetë e mëdha, myslimanizmi, katolicizmi e ortodoksizmi, si një nëntemë, e realizuar me sukses nga Mehmetaj.

Në të dyja rastet, si ideologjia politike e filozofike komuniste edhe ideologjitë fetare, janë objekt i ironizimit deri në sarkazëm, në këtë roman.

Imazhe dhe mesazhe

Imazhi kryesor i këtij romani, është dhënia e mesazhit se shqiptarët ishin viktima historike, në një periudhë së paku gjysmëshekullore, të shtypjes dhe krimit masiv ndaj shqiptarëve, nga pushtetet në Beograd!

Nëpërmjet ‘blic informacioneve’, Mehmetaj, të shtrira në gjerësinë e rrëfimit, nxjerrë imazhet e viktimizimit të shqiptarëve, kryesisht nga serbët, por edhe nga malazezët, duke sjell në kujtesën e personazheve, ndodhitë tragjike historike të shqiptarëve, të përjetuara nga krimet masive, si në masakrën e Bihorit gjatë Luftës së Dytë Botërore (LDB), krimet e serbo-komunizmit, nga fundi i LDB-së e deri në rënien e Rankoviçit, një tjetër figurë emblematike e krimit masiv serb ndaj shqiptarëve, si dhe i bashkëkryer me udhëheqësin e kohës, diktatorin Tito.

Këto ngjarje historike, vijën si rrëfim letrar, në mënyrë artistike, pa e cenuar literaritetin, estetikën e romanit dhe as strukturën narrative.

Po ashtu, ai viktimizim i shqiptarëve shëmbëllehet në roman, duke përcjell mesazhet e letrarizuara - informacione, si ngushtimi forcërisht i territorit (gjeografisë), dhe duke ndërhyrë në demografinë e Kosovës, duke sjell kolonë serbë, jevgjë... pastaj, dhuna e vazhdueshme pas Luftës së Dytë Botërore, deri në “plenumin e Brioneve”, që e kujtojnë personazhet e romanit, “Muri i heshtjes”.

Kjo përpjekje për demistifikim nga Ganiu është nisur, në mos më parë që në romanin "Zogjtë e qyqes", të cilin e dominon tema e kolonëve serbë, e trajtuar para luftës shumë shpesh e gjatë në media, por pas luftës, gjithnjë e më e harruar, madje thuajse e braktisur në tërësi, si nga publicistika edhe nga studiuesit.

Me këto tema, si lajtmotive të romaneve, duket sikur të Mehmetaj e ka krijuar sistemin e vet letrar. Temat bosht krimet serbe ndaj shqiptareve, krimet e komunizmit këndej e andej kufirit, përplasjet etnopsikologjike me serbët, janë kthyer në “mjete” estetike të poetikës së Ganiut.

“Muri i heshtjes” është një roman që rikthen në kujtesë jetën e dikurshme të disa kombeve të ndryshme në një shtet të vetëm, por të dominuar nga serbët (në Jugosllavinë komuniste), ku nga 1974, kushtimisht ishin thuaja të gjitha të barabarta. Por, në praktikë serbët ishin kundër të gjithëve, kërcënues e të rrezikshëm, por dhunë sistematike ushtronin vetëm ndaj shqiptarëve, e sjell këtu nëpërmjet fatit të personazheve dhe rrëfimeve që sjellin ata bashkë me narratorin (shih faqe 120 fatin e kroates).

Nganjëherë rrëfimet në romanet e Ganiut ngjasin me rrëfimin “magjik" (realizmin magjik”) të Markezit. Po ashtu sikurse krijon një topos, Makondon, Markezi, Mehmetaj krijon toposin e tij, qytetin buzë “Bjeshkëve të Nemuna”.

Ndërsa tema tjetër, raporti fetar, jep imazhin si tri përplasje qytetërimesh në mes të tokave shqiptare. Ku kisha serbe vazhdon mbijetesën nëpërmjet dhunës, intrigës, mashtrimit... por edhe nënshtrimit, ashtu siç kishte arritur ta përfitonte Perandoria Osmane, dhe nga ajo të merrte në administrim qindra kisha ortodokse, duke evituar dhunën ndaj skizmatikëve, në njërën anë dhe duke e shtuar ndaj katolikëve shqiptarë në anën tjetër (shih faqet 137, 138).

Në një pjesë të romanit, narracioni kalon nga veta e tretë në veten e parë (shumës), ku narratori bëhet pjesë e personazheve dhe ngjarjeve të treguara, si rrëfimi për sëmundjen e rrezikshme infektive, “Variola Vera”, e njohur burimisht si Lia. Kjo ngjarje ka ndodhur në vitet e ’60-ta, në qytetin e Pejës, për të cilin janë të lidhura thuaja të gjitha zhvillimet në roman.

Thyerja e rrëfimit, ndërprerja e papritur, nga ëndërrimet dhe fantazitë, në rikthimin e papritur nga ëndërrimet në tragjedi, (nga fq. 172-176 në 177), si një ‘përçudnim i tekstit’ sipas formalistëve (Jefferson, 2004), janë përdorur mjeshtërisht, ku lexuesi tentohet të tronditet me zhvillimet reale, vetëvrasja e Strahinjes, edhe pse ai është thjesht një kolonist serb, një nga njerëzit më të rëndomtë, me të meta e i pa zhvilluar.

Në fundin e jetës së tij-pijanec, por që në moshë më të re si polic e kolon, kishte ushtruar dhunë ndaj shqiptarëve, dhe vetëvrasja e tij përshkruhet më saktë me gojën e personazhit të gjyshes, në zhargonin popullor - "E ka zënë gjaku"...

Një nën temë, e realizuar me mjeshtëri, është ajo e tëhuajësimit. Drama e ruajtjes së identitetit shqiptar, tjetërsimi i një grupi tjetër, si ai në Sanxhak, ku nën shtypjen politike, shqiptari vjen të jetojë në Kosovë, si një i tjetësuar në ‘mysliman’, apo një malazez i përzier, që shkon drejt tjetërsimit në serb etj.

Po ashtu me zhdërvjelltësi narrative e strukturimi përdor pjesëza rrëfimesh palimpsestesh e metakritikë, si mbi romanin Gjenerali i Ushtrisë së vdekur të Kadaresë, të Radovan Zogoviçit, Mark Milanit, Çedo Vukoviçit, e deri tek Njegoshi e Lufta dhe Paqja e Tolstoit...

Syzheu apo tregimi qendror

Në qendër të ngjarjeve apo paralel me rrëfimet tjera, zhvillohet rrëfimi i një dashurie të ndaluar, por që tipizon edhe etno-psikologjitë të zhvilluara nga hasmëria e dy popujve (kryesisht nga urrejtja e serbëve ndaj shqiptarëve), e Gjinit me Milenen e bukur, me origjinë të përzier serbe, ruse etj... Ky madje është tregimi dominues deri në fundin e pjesës së parë, dhe pjesërisht tek pjesa e dytë “Kthimi”, që merr vetëm një të tretën e vëllimit të romanit. Ky rrëfim, dhe aventurë dashurie, i jep karakterin e lirizmit, dhe idesë se dashuria e madhe, nuk njeh kufij!

Por, po ashtu, kjo do të mund të thoshim se i përshtatet, atribuimit sipas metodës psikanalitike, se Mehmeti, “përdor teknika dramatike (rrëfimore, plotësim i imi)... me qëllim që t’i bëjë traumatikisht të huaja disa aspekte shoqërore të vetëkuptueshme dhe për të zgjuar tek spektatori një vetëdije të re kritike” (Eagleton, 2005).

Nga informacioni i fundit kur Gjini, maturant merr trenin një ditë pasi e dashura e tij Milena kishte udhëtuar drejt kryeqendrës serbe - Beogradit, për të studiuar atje, në mbyllje të pjesës së parë, ai rishfaqet në fillim të pjesës së dytë, por me një shkëputje kohore dekadëshe.

Tashmë shqiptarët, pas kësaj kohe, kishin përjetuar trauma, tronditje nga më të egrat, përfshirë dhunën gjenocidale të ushtruar nga Beogradi, në riokupimin serb, nga 1989-1999, që kulmoi me luftë, 1998/1999 dhe përfundimin e saj pas 78 ditë bombardimesh nga aleanca ushtarake perëndimore e NATO-s, e cila e shpëtoi Kosovën- shqiptarët jo vetëm nga shpopullimi, por edhe nga zhdukja.

Tashmë lufta kishte përfunduar, dhe nga përshkrimi kuptohet se këmba e Gjinit s’kishte shkelur më në Kosovë, por as në vendlindje, në Pejë.

Kolonët tashmë kishin ikur, komunitet që i takonte Milena.

Gjini arrin ta ritakojë të dashurën, që po ashtu ishte në pritje ta rigjente dashurinë e humbur. Sapo rindizet dashuria, rrëfimi zbulon krimet masive serbe, që nuk kursenin as burra e gra, por as fëmijët foshnje... këto tregohen, nëpërmjet tregimit për zhvarrimet, historive të dëshmitarëve të mbijetuar....

Tipi-arketipi

Edhe pse ngjarjet zhvillohen në kohë të ndryshme, në dy romanet “Natë e trazuar” dhe “Muri i heshtjes”, ku tek i pari i shkruar vite më parë, për ndodhi të supozuara pas luftës së fundit, ndërsa tek i dyti ndodhi nga LDB-ja deri tek muajt e parë të përfundimit të luftës, autori në dukje në rrjedhë të përmbysur, tipizon personazhet Engjëllin dhe Vesnën, tek Gjini dhe Milena, ku të parët në shkrimin letrar pretendojnë të kthehen në arketipe letrare (Hamiti, Tematologjia), të autorit, në romanin e mëpastajmë, “Muri”. Dashnorë që dalin kundër rrjedhës së kohës, ku motivi i dashurisë del mbi ideologjitë, pushtetet, moralin dhe krimet kundër njerëzimit...

Por, gjithashtu ngjashëm ndodhë edhe me personazhet si Zoja e Lleshit, gjyshja etj., tek Muri, që dalin si ritipizime të personazheve në këtë roman, sikurse te romani Nate e trazuar, ku  shfaqen si një topos kulturor (Hamiti, 200...) popullor, që nëpërmjet përvojës, parashikohet e ardhmja, nga e kaluara si viktima të dhunës barbare serbe, si dominues të jetës së shqiptarëve!

Por, edhe si një rrjedhë e rrëfimit popullor!

Emri i romanit

Autori, romanin e emëron “Muri i heshtjes”, nga substanca, kujtesa e dhimbshme e rrëfimit, të emrave të të zhdukurve nga lufta e fundit, 1998/1999. Emrat e të gjithë atyre që ishin zhdukur në luftë, që nuk kishin varre, dhe të atyre, që nuk u dihej fati, gdhendeshin në mure. Shpresojmë që populli ynë të mos i harrojë, këto plagë dhe vragë të thella shpirtërore, por edhe njerëzimi – bota t’i njoh e mbajë mend, këto vuajtje kolektive të shqiptarëve, ashtu si përpiqet t’i mbajë në mend, krimet kundër hebrenjve, dhe të distancohet nga regjime autoritare me qëllime kriminale e gjenocidale!

Pra, romani, mund të lexohet, sipas Todorovit (2007), si përpjekje për ta thënë të vërtetën, apo siç e citon Flobertin, “një orvatje për të depërtuar në shpirtin e gjërave”, të cilës Ganiu ia del me sukses.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat