“Truri i fëmijës” nga Daniel Siegel, është libri më i shitur gjatë vitit të kaluar, sipas Librarisë Dukagjini në Prishtinë.
Ai pasohet nga “Asnjë takim nuk është i rastësishëm” nga Hakan Menguç, “Meditimet” i Marcus Aurelius e “White Nights”(Netët e Bardha) nga Foydor Dostoevsky.
Këta janë katër titujt e librave që u kërkuan më së shumti, në mes 50.000 titujve në këtë librari.
Zgjim Sherifi nga Libraria Dukagjini tregon disa faktorë që ndikojnë në shitje më të madhe të titujve.
"Ne kemi diku rreth 50.000 tituj, kurse ndër titujt më të kërkuar kane qenë “Truri i fëmijës”, “Asnjë takim nuk është i rastësishëm”, “Meditimet”, “Netët e Bardha” e shumë të tjerë kështu që kanë qenë disa libra për adoleshentë, ka një lloj-llojshmëri titujsh por këta janë disa që janë shitur e kërkuar më së shumti… "Çka i bën unike janë pak a shumë edhe rrjetet sociale që ndikojnë në shitjen e tyre, si për shembull "White Nights"(Netët e Bardha) i cili është një libër klasik ndër më të mirët e tij dhe aty ka ndikuar TikTok-u nëse nuk gaboj që ky libër të shitet shumë më shumë, kurse tek librat e tjerë si për shembull “Truri i fëmijës” është shkaku që shumë njerëz janë bërë prindër të rinj dhe duan ta kuptojnë brendësinë e fëmijës së tyre", tha Sherifi.
Sherifi tregon se grupmoshat e të rinjve janë ata të cilët dominojnë më së shumti në blerje të librave, për dallim nga të rriturit.
"Interesimi për librat nga shumë grup mosha po sidomos grup mosha e të rinjve është që blejnë më së shumti dhe interesohen më së shumti. Jo vetëm në blerjen e librave por edhe interesim kanë edhe në aktivitetet e ndryshme qe i kemi si promovimet e librave, eventet...Kështu qe grup moshat e të rinjve janë më të interesuar për blerje të librave", tha ai.
Mendimin e njëjtë e ndan edhe Artin Ahmeti, menaxher i librarisë Artini. Libraria e tij ka mbi 15 mijë tituj më së shumti me përmbajtje historike e psikologjike.
Për librarinë e tyre libri më i kërkuar ishte “Mbret i Shqipërisë”, libër i autorit të huaj Clemet Moore kushtuar Gjergj Kastriotit. Ai gjithashtu tregon se pas vdekjes së një shkrimtari, pasuria e shkrimeve të tij kërkohet më shumë.
"Në përgjithësi viti 2024 ka qenë vit i mirë për librarinë tonë. Qytetarët më shumë lexojnë romane kryesisht po edhe në librarinë tonë janë kryesisht libra historik që kërkohen më së shumti. Prej tyre më së shumti është shitur "Mbret i Shqipërisë" përkthimi i ri i një autori amerikan Clemet Moore. Botimi origjinal ka qenë i vitit 1850 por për herë të parë ka ardhur në gjuhën shqipe këtë vit. Përveç që është një roman historik i jashtëzakonshëm është edhe një përkthim i jashtëzakonshëm prej Col Mehmetit. Tani është riaktulizuar edhe kërkesa për veprat e Ismail Kadaresë siç ndodh rëndom pas vdekjes së një autori dhe normalisht vazhdon prap shitja e librave psikologjik ose të zhvillimit personal", tha ai.
Pos librit historik vendet e tjera i zënë librat psikologjik e romanet. Colleen Hoover është një ndër autoret më të kërkuara në librarinë e Ahmetit. Ai ka përmend edhe një përkthim të ri të autorit Stefan Zëeig.
"Botimet e tjera që mendoj se ja vlen me u përmend është edhe një përkthim i ri i Stefan Zëeig "Kastelio kundër Kalvinit" ose "Ndërgjegjja kundër dhunës" edhe ky është për herë të parë në shqip. Është një libër që nuk ka qenë i përkthyer, tani është përkthyer prej Bislim Elshanit dhe ka pasur një pritje të jashtëzakonshme prej lexuesve. Tani vazhdojnë librat e Colleen Hoover jo vetëm "Mbaron me ne" por të gjithë librat e saj të tjerë, janë ndër librat më të kërkuar gjatë vitit 2023 e 2024", tha Ahmeti.
Ahmeti tregon se në shitje të librave ndikon edhe digjitalizimi.
“Pasi që të shikojnë filmin e ekranizuar, lexuesit dëshirojnë të lexojnë edhe versionin e botuar”.
Njëjtë sikur Sherifi edhe Ahmeti tregon për përdorimin e teknologjisë në botën e librit. Ajo që kanë menduar të jetë “armik” i tyre, u ka rezultuar më mirë se sa e kanë pritur.
"Lexueshmëria e librave është e kënaqeshe dhe në një formë edhe ne në fillim kemi menduar se avancimi i teknologjisë është armik i joni për profilin tonë të biznesit, por në fakt po na shërben shumë, për shembull Facebook, Instagram bashkë me TikTok tash së fundi. Krejt janë bërë mjete përmes të cilave na mbërrijmë të lexuesi edhe ato reklamat e tyre përveç që janë efektive janë edhet të lira, në krahasim me reklamat klasike të televizionit, kështu që në një lloj forme për ne është bërë pjesë e pandashme e biznesit tonë", tregon ai.
Sipas shtëpive botuese qytetarët vazhdojnë të jenë besnik ndaj librave me autorë të njohur.