Avokati i Popullit Ixhet Memeti, pritet të jetë anëtari i ri i Këshillit të prokurorëve. Alsat mëson se ka konsensus midis LSDM-së dhe BDI-së për zgjedhjen e Memetit në postin e ri. Në Këshillin e prokurorëve publik, anëtarët përveç nga radhët e prokurorive në vend, zgjidhen edhe në Kuvend. Katër prej tyre janë me propozimin e ligjvënësit.
Katër anëtarë të Këshillit zgjidhen nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut nga radhët e profesorëve universitarë të drejtësisë, avokatëve dhe juristëve të tjerë të shquar, dy prej të cilëve janë anëtarë të komuniteteve jo-shumicë në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Mandati i anëtarëve të zgjedhur të Këshillit zgjat katër vjet me të drejtë për rizgjedhje – njoftojnë nga Këshilli i Prokurorëve Publik.
Ndryshe, Memeti është Avokat i Popullit nga dhjetori i vitit 2004. Ai qëndroi në këtë detyrë dy mandate nga 8 vite, ose gjithsej gjashtëmbëdhjetë vjet kurse posti zyrtarisht i skadon më 24 dhjetor. Sipas nenit 5, paragrafi 4 i Ligjit për Avokatin e Popullit, Kuvendi ka obligim ligjor të fillojë procedurën për zgjedhjen e avokatit të popullit dhe zëvendësve të tij, tre muaj para skadimit të mandatit të tyre.
Megjithëse parlamenti procedurën duhej ta fillonte më 24 shtator- ende nuk ka shpallje. Alsat po përpiqet prej një muaj të marrë përgjigje pse nuk është filluar procedura, por nga Kuvendi nuk ka sqarime. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi tha në një nga takimet joformale me gazetarët se konkursi do të shpallet kur të ketë marrëveshje politike midis palëve, megjithëse avokati i popullit duhet të jetë i pavarur.