Regjistrimi i popullsisë ringjalli kundërshtimet mes partive parlamentare. Propozimi-ligji për regjistrimin e popullsisë dhe amvisërive në vitin 2021, i gjendur para deputetëve në lexim të parë, sipas zv/ministrit të Drejtësisë, Agim Nuhiu, siguron proces transparent dhe profesional.
“Ligji të cilin e propozojmë bazohet në parimin e procedurës transparente për regjistrim, me parimin e neutralitetit dhe objektivitetit gjatë të gjitha fazave të regjistrimit. Ne jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e regjistrimit të popullsisë, amvisërive dhe banesave për të gjithë qytetarët, përfshirë edhe qytetarët e Maqedonisë së Veriut të cilën momentalisht gjenden në shtetet e jashtme”, tha Agim Nuhiu, zv/ministër i Drejtësisë .
VMRO-DPMNE-ja vlerëson se nuk ka kushte për regjistrim në prill të 2021-shit për shkak të krizës me pandeminë. Gjithsesi kanë një sërë kritikash për propozimin. Si problem më serioz e konsiderojnë regjistrimin e diasporës, gjë të cilën e kundërshtojnë. Nuk pranojnë regjistrim mbi bazën e “nënshtetësisë”.
“Kjo nënkupton regjistrimin e personave dhe amvisërive të tyre që as nuk janë dhe as nuk do të jenë pjesë e popullsisë së përgjithshme të Maqedonisë. Kjo nënkupton rritje joreale të popullsisë me persona që jetojnë dhe punojnë në vendet tjera”, tha Zhaklina Peshevska, VMRO-DPMNE.
“Në ligj është paraparë nënshkrim i lidhur i drejtorit dhe zv/drejtorit që d.m.th. se pa zv/drejtorin ose pa nënshkrimin e tij s’do të mund të zbatohet asgjë. Nuk e di a do të bëhet fjalë për shantazh klasik por është rasti i parë i këtill në një ligj për regjistrim”, pohoi Dafina Stojanovska, VMRO-DPMNE.
Opozita shqiptare do të votojë për nevojën e regjistrimit të popullsisë por ka disa vërejtje. Thotë se është qesharake dhe e pakuptimtë që liritë dhe të drejtat e njeriut në vend varen nga të dhënat statistikore të regjistrimit.
“Çështja kryesore për përgatitjet e regjistrimit është përpilimi i pyetësorit kurse në ligj ai nuk gjendet, d.m.th. është e drejtë e Entit shtetëror të statistikave dhe në këtë aspekt mund të kemi dilema dhe probleme eventuale”, tha Halil Snopçe, Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.
Shumica parlamentare fton deputetët të besojnë në punën e Entit shtetëror të statistikave. Thotë se regjistrimi s’do të jetë proces politik.
“Të dhënat e mbledhura nga regjistrimi do të shfrytëzohen për krijimin e politikave zhvillimore, planifikime makro-ekonomike, hulumtime shkencore dhe të tjera dhe për qëllime statistikore. Atëherë, si mund të themi paraprakisht se të dhënat do të keqpërdoren politikisht”, tha Snezhana Kaleska Vançeva, LSDM.
Regjistrimi i fundit në vend është bërë në vitin 2002 kurse procesi i filluar në vitin 2011 u ndërpre. Procedura hetimore për lëndën “Regjistrimi” në të cilën të dyshuar ishin kreu i BDI-së Ali Ahmeti dhe ish kryeministri Nikolla Gruevski me akuzën për dëmtimin e buxhetit të shtetëror për 2.8 milion euro u ndërpre pasi Prokuroria Publike nuk kishte arritur të dëshmojë veprën penale.