Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka takuar ish-Kryeministrin Vllado Buçkovski, i ngarkuar me punë nga qeveria e Maqedonisë së veriut për kontestin me Bullgarinë fqinje, informojnë nga BDI.
“Ahmeti dhe Buçkovski diskutuan për zbatimin e marrëveshjes së fqinjësisë së mirë midis Shkupit dhe Sofjes, qëndrimet aktuale të palëve dhe mënyrat më të mira për ta tejkaluar mosmarrëveshjen e krijuar.
Ahmeti dha mbështetje të plotë për dialogun intenziv dhe shprehu bindje që zgjidhja është e arritshme shpejt dhe pa asnjë pasojë të vetme ndaj gjuhës, identitetit dhe kulturës të cilët nuk janë pjesë e kontestit dhe e dialogut.
Fryma evropiane e arritjes së marrëveshjes duhet të mbizotërojë edhe në zbatimin e saj të përpiktë pa vonesa edhe si pjesë e kornizës negociuese në pjesën e marrëdhënieve fqinjësore, por edhe përcaktimeve kushtetuese për moscënim territorial dhe tjetër ndaj fqinjëve tanë”, thonë nga atje.