Vetëm në muajin dhjetor në rajonin e Pollogut në sektorin për punë të brendshme Tetovë janë paraqitur 22 raste të dhunës në familje.
Por dhuna në familje nuk është vetëm ndaj grave. Ka raste si dhunë ndaj burrave si dhe dhunë e fëmijëve ndaj prindërve.
“Gjatë muajt dhjetor në sektorin për punë të brendshme Tetovë janë regjistruar 22 raste të dhunës në familje nga të cilët 20 kanë të bëjnë me lëndim trupor dhe dy rrezikim të sigurisë, nga ku 14 janë në rajonin e Tetovës dhe tetë në Gostivar kryesisht në dhunën në familje është regjistruar dhuna e burrave ndaj grave, por nuk mungojnë edhe rastet ku kryhet dhunë e grave ndaj burrave”. Tha Fatmir Rexhepi – zëdhënës i SPB-Tetovë.
Karantina ka bërë që dhuna në familje të rritet, thotë Xhane Krajshovës nga Forumi i Gruas. Sipas saj izolimi dhe masat qeveritare kanë bërë që burrat të jenë të pranishëm më shumë në shtëpi dhe kjo ka rritur konfliktin në familje dhe në të shumtën e rasteve kalon në dhunë fizike.
“Pasi tërë kohën jemi të izoluar dhe nuk komunikojnë me shoqërinë dhe nuk jemi në vende pune dhe burrat janë ata të cilët e shfrytëzojnë dhe shtëpinë si zyrë dhe komunikojnë me vendin e punës. Mirë, por gratë janë të angazhuar për punët e shtëpisë për rritjen e fëmijëve për përkujdesjen e më të moshuarave, ata pësojnë në rend të parë nga dhuna”, u shpreh Xhane Krajshova – Forumi i gruas.
Nga Forumi i gruas thonë se edhe gratë janë në një periudhë depresioni dhe kjo ka bërë që në disa raste edhe gratë të ushtrojnë dhunë ndaj burrave.
“Ka edhe burra që ankohen që ushtrohet dhunë ndaj tyre edhe atë dhunë psikologjike në të shumtën e rasteve pasi gratë janë të stresuar dhe kanë nevojë ta shprehin atë shtypje psikologjike dhe reagojnë në njëfarë mënyre”, potencoi Xhane Krajshova.
Nga Forumi i gruas thonë se kohëve të fundit numri i denoncuesve është në rritje edhe atë në krahasim nga viti 2019 dhe 2020. Numri i grave që denoncojnë dhunën në familje është rritur për 35%.