Bisedimet me Bullgarinë, institucionet nuk zbulojnë planin aksional

Maqedonia

Bisedimet me Bullgarinë, institucionet nuk zbulojnë planin aksional

Më: 12 janar 2021 Në ora: 17:46
Vllado Buçkovski dhe Zaharieva

Mbetet e panjohur nëse kërkesat e Sofjes rreth çështjeve të identitetit maqedonas janë pjesë e propozim-planit aksionar, që një ditë më parë ministrja e jashtme bullgare, Zaharieva ia dorëzoi Përfaqësuesit special, Buçkovski. Mediat bullgare zbulojnë se dokumenti përmban hapjen e kampuseve bullgare në universitetet e vendit dhe librat e historisë. Ndërsa Buçkovski vetëm tha se dokumenti është përgjigjja e shumëpritur nga Sofja ndaj propozim-planit aksionar, që Shkupi ia kishte dorëzuar kohë më parë. Buçkovski tha se qëndrim, vendi do të ndërtojë, vetëm pasi ta shqyrtojë në tërësi.

E gjithë kjo duhet të krijojë besim mes Qeverive dhe shteteve. Pavarësisht intensitetit të takimeve të mia, është i dukshëm interesi i dy palëve që të mos lejon ngrirjen e komunikimit vetëm përmes mediave apo ndërmjetësuesve – tha Vllado Buçkovski, Përfaqësues special i Qeverisë.

Është paralajmëruar që plani aksionar dypalësh të nënshkruhet në takimin e radhës të komisionit të përbashkët ndërqeveritar, por ende nuk është caktuar data e mbajtjes së të njëjtit. Ndërkohë opozita maqedonase e akuzon Qeverinë se po bën tregti me identitetin maqedonas.

Pyesim nëse dokumenti i ri kërkon adaptim të historisë me të vërtetën bullgare historike? A kontestohet gjuha maqedonase dhe tani duhet të bëhet fusnotë? A bëhet reforma arsimore e Milla Carovskës me qëllim të anulimit të lëndës së historisë dhe përmbushjes së disa kërkesave nacional-shoviniste që i ngjajnë kërkesave të shekullit 19? – deklaroi Stefan Andonovski, VMRO DPMNE.

Ndërkohë, Ministri i Jashtëm, Osmani mohoi ekzistencën e propozim-aneksit bullgar, 12 pikësh, i cili sipas zv/kryeministrit bullgar, Karakaçanov është kusht për fillimin e negociatave të vendit me Bashkimin Evropian.

Nuk e di për cilin dokument flitet, nuk ka dokument që emërohet aneks dhe i cili ka 12 pika – ka deklaruar Osmani.

Së fundmi, Karakaçanov tha se Shkupi mund ta ketë mbështetjen e Sofjes për t’i filluar bisedimet me BE-në vetëm nëse e pranon aneksin 12 pikësh, që përfshin heqjen dorë nga pretendimet historike dhe për pakicë maqedonase në Bullgari dhe ndryshim të sistemit arsimor.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat