Maqedoni: Hetime për keqpërdorim të vaksinave pas denoncimeve për abuzime

Maqedonia

Maqedoni: Hetime për keqpërdorim të vaksinave pas denoncimeve për abuzime

Më: 21 shkurt 2021 Në ora: 17:36
Foto ilustrim

Katër ditë pas fillimit të vaksinimit kundër COVID-19, në Maqedoninë e Veriut, ka një debat në lidhje me keqpërdorimin e dozave të vaksinave. Qytetarë të ndryshëm, gazetarë e persona  publike kanë denoncuar me raste konkrete, se pjesë e këtij procesi janë bërë edhe persona që nuk janë mjekë

Vaksinat e Pfizer që ka për momentin Maqedonia e Veriut dhe që janë vetëm 4,800 në numër, janë parashikuar të shpërndahen vetëm për mjekët.

Korrespondentja e Euronews Albania Ferikan Iljazi raportoi nga Maqedonia e Veriut se denoncimet fillestare ishin në rrjetet sociale. Fillimisht u denoncua fakti se sekretari i spitalit të Ohrit, me profesion jurist, figuronte në listën e të vaksinuarve.

“Ka pasur reagime të ashpra nga qytetarët për selektime dhe vaksinime të personave që nuk e kanë të drejtën të vaksinohen në një kohë kur nuk ka mjaftueshëm doza,” – tha gazetarja Iljazi.

Autoritetet janë shprehur se do të hetojnë rastet e pretenduara dhe paralelisht do të rishikojnë listat e vaksinimit.

Prej mesjavës në Maqedoninë e Veriut ka nisur procesi i vaksinimit me një ritëm prej rreth 200 mjekësh në ditë. Shkupi zyrtar pret rreth 200 mijë vaksina nga Kina dhe disa mijëra të tjera nga Serbia. Qeveria është shprehur e hapur për të marrë edhe 100 mijë doza të tjera nga Rusia. Aktualisht nuk ka një datë të saktë të mbërritjes së këtyre dozave.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat