Reisi Shaqir Fetai ka dhënë qëndrimin e tij në lidhje me paralajmërimin, se në vend mund të ketë orë policore edhe gjatë muajit të agjërimit – Ramazanit.
Ka vlerësuar, se për besimtarët mysliman iftaret janë të këndshme gjatë agjërimit, megjithatë siç tha, vendimin e japin kompetentët.
“Normal se iftaret janë një ambient i këndshëm i besimtarëve gjatë muajve të Ramazanit. Kjo do të ishte dëshira jonë e madhe, por përsëri do të vendosin kompetentët. Ne nuk jemi për atë, që nëpërmjet ndonjë riti fetar të bëjmë dëm ose të jemi shkaktar të rritjes së kësaj sëmundje”, tha reisi Fetai.
Ka shtuar, se Bashkësia Fetare Islame që nga fillimi i pandemisë është treguar e gatshme të kontribuoj në zbutjen e situatës së shkaktuar nga Covid-19, konform të gjitha rregulloreve që i ka dhënë Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë.
Dje, Komisioni për sëmundje ngjitëse propozoi orë policore në tërë territorin e vendit, duke filluar nga ora 22:00 deri në orën 05:00 të ditës së nesërme. Kur u pyet ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe se nëse ora policore do të zgjatet gjatë muajit të Ramazanit, ai tha se është herë të thuhet.