”Çdo individ është i rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm. Çdo individ duhet të regjistrohet. Në këto afate përcaktohet pesha e shqiptarëve në shtetin e Maqedonisë së Veriut. Le ta nxisim në çdo familje regjistrimin”.
Me këtë deklaratë kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, iu ka bërë thirrje shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut që jetojnë jashtë vendit për t’u regjistruar në procesin që ka nisur tashmë në shtetin fqinj me qëllim rritjen e përqindjes së tyre.
Këtë thirrje të Kurtit e ka konsideruar shumë pozitive gazetari nga Maqedonia e Veriut, Arben Ratkoceri, i cili tha se fjala e kryeministrit potencial të Kosovës ka peshë për shkak të autoritetit që gëzon ai ndër shqiptarët atje.
“Regjistrimi i popullsisë në shumë vende të tjera është thjesht statistikë, por në Maqedoninë e Veriut është edhe politik. Të drejtat e shqiptarëve janë të përcaktuar edhe në bazë të numrave ku s’përmendet komuniteti shqiptar, por komuniteti mbi 20 përqind. Kjo është arsyeja pse është mobilizuar faktori shqiptar”.
“Mendoj se është i mirëseradhur apeli i Kurtit se realisht ai ka një autoritet goxha të madh të shqiptarëve në Maqedoni të Veriut, por edhe te diaspora shqiptare. Sot s’ka pasë ndonjë reagim nga pala maqedonase apo qytetarët maqedonas dhe nëse e shohim në kontekstin brenda shqiptar do ta vlerësoja shumë pozitive”.
Për thirrjet e mëhershme të Kurtit ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut për të votuar politikanë të caktuar atje, Ratkoceri ka treguar se thirrjet e tij janë parë në dy versione: si normale dhe si rrezik për krijimin e një precedenti që do të mund ta shfrytëzojë edhe Beogradi apo Sofja në komunitetet tjera.
“Maqedonia e Veriut është shtet multietnik dhe nuk di se si mund të kishim reaguar ne shqiptarët nëse një parti serbe, për shembull, do të apelonte atje për njërën nga dy partitë kryesore maqedonase që të votohej. Mendoj se do të kishte njëfarë tensioni dhe reaksioni nga shqiptarët”.
Por, sa është i popullarizuar Kurti dhe Vetëvendosje te bashkëkombësit e Maqedonisë së Veriut?
“Meqenëse s’ka ndonjë hulumtim të besueshëm, në bazë të perceptimit Kurti dhe Vetëvendosje kanë shumë popullaritet. Besoj që ndër liderët shqiptarë, jashtë atyre lokalë, më i popullarizuari është padiskutim Kurti”.
Ratkoceri ka thënë se ndikimi i Kurtit do të rritet në Maqedoninë e Veriut varësisht prej performancës që do të tregojë në Kosovë si kryeminisër.