Në Maqedoninë e Veriut bëhen 12 ditë që prej hyrjes në fuqi të masave të kufizimit të lëvizjes, ose e njohur ndryshe si orë policore.
Sipas autoriteteve shëndetësore janë të mjaftueshme për të parë efektin e saj në uljen e rasteve me COVID, prandaj siç paralajmëroi ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, nesër pritet të bëhen të ditura rezultatet që ka dhënë kjo masë në këto 12 ditë.
Nëse Komisioni për Sëmundje Ngjitëse konstaton nesër se këto masa nuk kanë pasur efekt, atëherë mund të ketë zgjatje të orës policore.
Gazetari i Euronews Albania në RMV, Benjamin Arifi raportoi se duke gjykuar nga numrat e ditëve të fundit, pritet që kjo orë policore të vazhdohet më tej ose të ketë ashpërsime.
“Numrat nuk janë shumë të mira. Dje kishim 1299 raste reja pozitive dhe kishim edhe 24 viktima”, u shpreh gazetari.
Deri më tani ora policore në RMV është nga ora 22:00 deri në 05:00 të mëngjesit. Ndërsa masa tjetër për mbylljen e lokaleve vlen nga ora 21:00 e mbrëmjes.
Sa i përket procesit të vaksinimit, ende në këtë shtet nuk ka filluar vaksinimi masiv i popullatës.