Vështirësi rreth mbajtjes së seancave në parlamentin e Maqedonisë së Veriut

Maqedonia

Vështirësi rreth mbajtjes së seancave në parlamentin e Maqedonisë së Veriut

Më: 25 mars 2021 Në ora: 20:55
Foto ilustrim

Pas më shumë se një jave bllokimi të seancave parlamentare, pushteti dhe opozita maqedonase arritën të enjten një konsensus për vazhdimin e punimeve të parlamentit lidhur me paketën e pestë të masave ekonomike për ballafaqimin me pandeminë e koronavirusit.

Derisa VMRO-DPMNE-ja lëshoi pe, opozita shqiptare (Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa) nuk hoqën dorë nga synimet për bllokimin e punës së parlamentit. Ato ngulin këmbë që të debatohet sa më shpejtë mbi ligjin për nënshtetësinë, duke paraqitur nga ana tjetër mbi 4,500 propozim amendamente për të bllokuar Komisionin për Financa dhe Buxhet.

Ndërkaq, VMRO-ja kërkon që të thërritet komisioni parlamentar për financa dhe buxhet, “për të ndërprërë lojën monotone”, siç u shpreh shefi i grupit të deputetëve opozitarë maqedonas Nikolla Micevski, i cili theksoi pritshmërinë për mbështetje nga ligjvënësit e tjerë. Masat ekonomike parashikojnë ndihmën financiare të kompanive dhe bizneseve që kanë pësuar humbje në kohën e pandemisë.

Zhbllokimin, mbase të përkohshëm, të parlamentit, Lidhja Social Dmokrate në pushtet e quajti “fitore të arsyes, për t’i hapur rrugën votimit të ligjeve të rëndësisshme për qytetarët dhe për shtetin”.

Kryeministri Zoran Zaev u angazhua për zhbllokimin e punës së parlamentit, duke u takuar të enjten me Kryetarin e Parlamentit, Talat Xhaferin për të vendosur se “debati parlamentar do të mbahet brenda parlamentit midis grupeve të deputetëve dhe përfaqësuesve të partive politike dhe në këtë mënyrë do të vazhdohet të kërkohet një zgjidhje e përshtatshme procedurale për punën e parlamentit”, thuhet në një komunikatë të përbashkët nga zyrat e kryeministrit dhe kryeparlamentarit.

Shumica e ngushtë parlamentare me LSDM-në në krye dhe BDI-në e disa parti të tjera më të vogla ka rezultuar joefikase në disa javët e fundit. Dy ligjvënës të shumicës, të prekur nga koronavirusi ndodhen në izolim dhe me bojkotin nga opozita të seancave, parlamenti nuk ka arritur kuorumin e nevojshëm për të diskutuar mbi një sërë ligjesh jetike.

Opozita kërkon që së bashku me zgjedhjet vendore në vjeshtë të mbahen edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare, por pushteti e refuzon këtë ide. Zgjedhjet e fundit parlamentare në Maqedoninë e Veriut u mbajtën në mes të pandemisë, në verën e vitit të kaluar./VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat