Pohon se e ka shok shumë të mirë, por kryeministri Zoran Zaev nuk mund ta lejojë Drejtorin e Inspektoratit të Tregut, Stojko Paunovskin, të hapë polemika me kryetarin ose nënkryetarin e Qeverisë.
Komentet dhe nënçmimi i Paunovskit për sistematizimin e vendosur për administratorët, sipas Zaevit, është bazë e mjaftueshme që ai të shkarkohet.
“Çdo ditë të bëni polemika me nënkryetarin e qeverisë, me kryetarin e qeverisë, me institucionet është kundërshtim që nuk lejohet. Hierarkia duhet të jetë, ne marrim përgjegjësinë e plotë para qytetarëve dhe ajo hierarki duhet të funksionojë në mënyrë efikase, të suksesshme dhe profesionale. Kështu që, bëhet fjalë për mikun tim jashtëzakonisht të mirë, Stojko Paunovski, por e them atë që është princip dhe flas ndershmërisht për pritshmëritë e mia”, deklaroi Zaev
Media gjatë ditës u përpoq të kontaktojë Paunovskin për të marrë qëndrim prej tij, por pa sukses. Para se Zaev të paralajmërojë shkarkimin, drejtori i inspektoratit në një deklaratë për “Slloboden Peçat” është shprehur se nuk e ka të qartë pse Kryeministri nuk po e kupton qëndrimin e tij decid se nuk do të punësojë 35 administratorët e rishpërndarë tek inspektorati, ndërsa nuk janë kuadro të kualifikuara.
“Le t’i marrë ndonjë institucion tjetër, ku do të jenë adekuat sipas shkollimit. Thonë se ata duan të punojnë në Inspektoratin e Tregut. Edhe unë kur isha i ri doja të bëhesha pilot, por nuk u bëra”, ka vlerësuar Paunovski.
Nga gjithsej 1349 administratorët shtëpiak që Ministria për Sistem Politik i rishpërndau nëpër institucione, 35 u parapanë të kalojnë tek Inspektorati i Tregut. Pas kësaj drejtori Paunovski doli dhe tha se nuk ka vend për të gjithë, por vetëm për 12 që janë me fakultet ekonomik dhe juridik.