Analisti, Ibrahim Mehmeti u shpreh se përpjekjet e shteteve europiane për të bindur Bullgarinë të heqë dorë nga mosmarrëveshjet me Maqedoninë e Veriut lidhur me emrin e shtetit, gjuhën, identitetin dhe prejardhjen etnike të disa personaliteteve nga e kaluara historike, nuk kanë funksionuar.
Sipas tij është e natyrshme një ndjenjë sikur Europa po tradhton Maqedoninë duke qenë se një qasje e tillë e Bashkimit Europian ndaj Maqedonisë së Veriut, i hap rrugë fuqive të tjera, siç është Rusia apo Kina, për të ndikuar në vend.
“Padyshim që kjo gjë mund të ndodhë dhe pse nuk ka shumë hapësirë së paku derisa kjo qeveri është në pushtet, mirëpo nëse kjo gjendje vazhdon të mbetet e pazgjidhur, sidomos në komunitetin maqedonas, lind një ndjenjë se Europa është duke e tradhtuar Maqedoninë,” – u shpreh analisti.
Mehmeti tha se nuk është habi nëse Komisioni Europian vendos të ndajë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në procesin e fillimit të bisedimeve për anëtarësim në BE.
Ndërkaq, zgjedhjet në Bullgari, sipas analistit nuk do të ndikojnë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që Bullgaria ka me Maqedoninë e Veriut sepse anketat kanë treguar se më shumë se 30% e popullsisë ndan të njëjtin mendim me qeverinë.