Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, i bëri thirrje ministrit të Transportit dhe Lidhjeve, Blagoj Boçvarski, që të mos nënçmojë inteligjencën e opinionit në përgjithësi dhe qytetarëve të Strugës në veçanti, por t’i jep fund krimit dhe kaosit urbanistik në Strugë.
Sipas tyre, sot ministri Boçvarski, duke dashur të mjegullojë opinionin dhe t’i ikë përgjegjësisë lidhur me kërkesën e sektorit civil, vazhdoi me ping-pongun e kompetencave mes pushtetit qendror dhe atij lokal.
Ata kujtojnë ministrin se Ministria që ai drejton dhe Qeveria ku ai bën pjesë, në shumë raste madje edhe pa të drejtë, kur u është kujtuar ua kanë marrë kompetencat kryetarëve të komunave të drejtuar nga opozita shqiptare. Nga atje thonë se të njëjtën gjë, tani me shumë të drejtë mund ta bëjë edhe me Strugën për t’i dhënë fund kapadahillëkut të Ramiz Merkos dhe të shpëtojë qytetarët dhe statusin e Liqenit në UNESCO.
“Ministri Boçvarski sot deklaroi se zgjedhjet lokale janë zgjidhje për disiplinimin e Merkos. Duam t’i kujtojmë atij se kur bëhet fjalë për interesa të LSDM-së dhe pazareve të tyre, ata që moti i kanë disiplinuar funksionarët e BDI-së. Kur jemi tek zgjedhjet, qytetarët e mbajnë mend mirë se si lideri i tij, Zoran Zaev shkoi deri në Strugë për ti dhënë mbështetje Merkos kundër opozitës shqiptare, ndërsa aktualisht LSDM është në koalicion me BDI-në në Këshillin komunal në Strugë ku mbështet dhe miraton çdo gjë që ben Merko dhe klani i tij”, thonë në deklaratën e përbashkët partitë opozitare shqiptare.