​Ahmeti: Agjenda e gjelbër bëhet pjesë e BDI-së në zgjedhjet lokale

Maqedonia

​Ahmeti: Agjenda e gjelbër bëhet pjesë e BDI-së në zgjedhjet lokale

Më: 5 qershor 2021 Në ora: 14:17
Ali Ahmeti

Në ditën e 19-të vjetorit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), kryetari i saj Ali Ahmeti njoftoi se agjenda e gjelbër bëhet pjesë e partisë në zgjedhjet lokale.

“Në 19-të vjetorin e BDI-së fillojmë me politikë të re dhe veprim të drejtpërdrejtë, politikë për drejtësi ekologjike dhe jetë cilësore. Agjenda e gjelbër bëhet pjesë e BDI-së”, ka thënë Ahmeti në fillim të fjalimit.

Ai apeloi deri tek shoqëria civile dhe grupet e interesit që t’i bashkëngjiten agjendës së tyre të gjelbër me idetë dhe përvojat e tyre të cilat do të përqafohen nga ana e BDI-së.

“Një vajze e re, Greta Tunberg, përshkoi botën me alarmin për ndryshimet klimatike e politikën ambientaliste dhe të gjithë ia hapën derën. Erdhi koha që edhe ne ta hapim derën dhe të përqafojmë këto politika për një të ardhme të gjelbër, të sigurt, të zhvilluar dhe të shëndoshë. Këtë e kërkoni ju, rinia. Rinia zëshëm kërkon kushte jete si bashkëmoshatarët e vet në perëndim, vende pune, ambient jete modern me ajër të pastër, ujëra të pastër, male dhe fusha të gjelbra, rrugë e hekurudhë moderne, energji të gjelbër, shkolla, çerdhe dhe spitale me efikasitet energjetik, të sigurta dhe bashkëkohore”, deklaroi Ahmeti.

Ai shtoi se BDI është e parti politike e zhvillimit dhe e vendeve të punës edhe tashmë përmes agjendës së gjelbër, BDI përveç se për barazinë, zhvillimin dhe frymën euroatlantike, kujdeset edhe për ajrin, për ujin, për tokën, për mjedisin e përbashkët si një nga parakushtet për zhvillim dhe jetë cilësore.

“Ju që jeni këtu, anëtarët tanë, votuesit tanë, por jo vetëm, gati se edhe të gjithë qytetarët e vendit tonë e njohin konsistencën tonë, qëndrueshmërinë e politikave tona dhe që të gjithë e dinë që atë që e themi edhe e realizojmë. Për 19 vite jemi shtyllë e stabilitetit, paqes, sigurisë, barazisë dhe vazhdimësisë dhe realizimit të ëndrrës euroatlantike. Nuk u lëkundëm nga qëllimet tona asnjëherë dhe për asnjë çmim”, u shpreh Ahmeti.

Në fjalimin e tij, lideri integrist madje përmendi edhe disa projekte dhe aktivitete që sipas tij “BDI i ka realizuar gjatë funksionimit të saj”.

“Vendosëm barazi përmes implementimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, legalizimin e arsimit të lartë në gjuhën shqipe, decentralizim, simbole kombëtare dhe kulturë, gjuhën shqipe, përfaqësim të drejtë dhe adekuat, integrim në NATO, marrjen e dritës së gjelbër për anëtarësim në BE bashkë me shumë përparësi tjera për qytetarët tanë”, ka thënë ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat