Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, njoftoi se Turqia do t’ia dhurojë 30 mijë vaksina anti-COVID “Sinovac”.
Këtë informacion ministri Filipçe e njoftoi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, gjatë vizitës së djeshme në Republikën e Turqisë.
"Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, na njoftoi se do të na dhurojnë 30 mijë vaksina nga prodhuesi Sinovac. Ky gjest i solidaritetit është edhe një tregues i miqësisë dhe bashkëpunimit të sinqertë midis dy vendeve. Falënderim të madh për popullin turk dhe presidentin Erdogan", shkroi Filipçe.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, gjatë vizitës së djeshme njëditore në Turqi u takua me presidentin Erdogan.
Siç njoftoi shërbimi për shtyp i Qeverisë, në një darkë pune në Stamboll ku morën pjesë ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, kryeministri Zaev dhe presidenti Erdogan u diskutua për marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimin dinamik në shumë fusha.