Maqedoni, “Behtel-Enka” do të ndërtojë autostrada pa tender

Maqedonia

Maqedoni, “Behtel-Enka” do të ndërtojë autostrada pa tender

Më: 5 korrik 2021 Në ora: 17:29
Foto ilustrim

Opozita dhe pushteti u dakorduan që konzorciumi amerikano-turk Behtel dhe Enka pa procedurë tenderimi me marrëveshje direkte t’i ndërtojë autostradat tjera nga Korridori 8 dhe 10. Bëhet fjalë për autostradat Tetovë-Gostivar-Bukojçan, Trebenishtë-Strugë-Qafëthanë dhe Prilep-Manastir.

Propozim ligji për përcaktimin e interesit publik dhe emërimin e një partneri strategjik, menjëherë mori dritë të gjelbër në Komisionin e Financave dhe Buxhetit dhe do të dërgohet në votim në seancë plenare.

Në propozim zgjidhjen ligjore nuk saktësohet sa mjete shteti do të ndajë nga buxheti për ndërtimin e rrugëve, por realizuesi lirohet nga përgjegjësia nëse ka gabim në projektimin dhe ndërtimin e autostradave.

“Do të thotë, nuk do të kenë përgjegjësi kurse nuk do të kenë as mbikëqyrje, menaxhim të përgjegjshëm, cili do të jetë roli i ministrisë së transportit dhe ndërmarrjes publike?”, tha Lupço Ballkovski- deputet i OBRM PP.

Qeveria para disa muajve lidhi memorandum kuptimi me Behtel dhe Enka. Në mënyrë identike, para disa viteve gjatë qeverisjes së OBRM-PDUKM, u zgjodh kompania kineze Sinohidro për ndërtimin e aksit Kërçovë-Ohër, për çka tani ka procedurë gjyqësore. Të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare janë Nikolla Gruevski, Vlladimir Peshevski dhe Mile Janakieski.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat