Zaev: Presim kuvend funksional dhe Qeveri politike në Sofje

Maqedonia

Zaev: Presim kuvend funksional dhe Qeveri politike në Sofje

Më: 11 korrik 2021 Në ora: 11:23
Foto ilustrim

Qeveria e Maqedonisë së Veriut pas zgjedhjeve të sotshme të jashtëzakonshme në Bullgari pret që të formohen institucione funksionale që do të mbështesin bisedimet për heqjen e vetos ndaj procesit eurointegrues të vendit.

“Presim kuvend funksional dhe Qeveri politike në Sofje për të marrë dritë të gjelbër, përkatësisht debllokim për në rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian”, tha Zaev.

Ai shpreson se zgjedhjet në Bullgarinë do të jenë të suksesshme dhe politikanët do të krijojnë koalicion, me çka do të formojnë edhe qeveri që do t’i mbështesë bisedimet.

“Personalisht mendoj se i adresova të gjitha çështjet e rëndësishme të bisedimeve bilaterale më 17 qershor gjatë vizitës në Bullgari. Mbetet përbërja e Parlamentit të Bullgarisë dhe të zgjidhet Qeveria. Pres në dhjetor të merret vendimi për nisjen e bisedimeve me BE-në”, tha Zaev.

Në ndërkohë, opozita maqedonase vazhdoi me debatin rreth Rezolutës për qëndrimet e Maqedonisë në bisedimet me Bullgarinë. Propozim-Rezoluta është dërguar në Kuvend, ndërsa OBRM-PDUKM pret që sa më shpejt të jetë para deputetëve.

Sipas tyre, Zaev nuk guxon të bisedojë me Bullgarinë pa u miratuar Rezuluta.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat