Deri në këtë moment nuk është kryer pagesë në pajtim me Dekretin për shtesë të rrogës duke pasur parasysh atë që janë shpallur zgjedhjet lokale dhe ajo do të realizohet pas përfundimi të zgjedhjeve kur edhe do të finalizohet se cilët persona do të marrin shtesë të rrogës, kumtoi shërbimi qeveritar për shtyp. Qeveria në mbledhjen e 95-të më 5 gusht solli Dekret për mënyrën dhe kriteret në bazë të të cilave mund të paguhet shtesa e rrogës deri maksimum 30 për qind të rrogës së rregullt për disa nga të punësuarit nga institucionet qendrore të pushtetit ekzekutiv.
Shërbimi për shtyp i Qeverisë në kumtesë sot sqaroi se ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për ekzekutim të Buxhetit për vitin 2021 hynë në fuqi më 5 gusht dhe prandaj atëherë u soll Dekreti. Ligji kishte hyrë në procedurë kuvendore më 8 korrik 2021.
“Në pajtim me Dekretin, të drejtën e shtesës së rrogës deri 30 për qind të rrogës së rregullt mund ta realizojnë të punësuarit për shkak të specifikës së punëve dhe detyrave të punës dhe vëllimit të shtuar të punës, si dhe arritje e rezultateve të jashtëzakonshme në shërbimin e interesit publik dhe kryerjes efikase të kompetencave të tyre. Shtesë të rrogës mund të marrin më së shumti 30 për qind nga numri i përgjithshëm i të punësuarve në institucion, me ç’rast pagesa nuk do të jetë për ata të punësuar të cilët kanë të drejtë të shtesës së rrogës me ligj të posaçëm dhe/apo marrëveshje kolektive. Theksojmë se Dekreti i lëndës nuk do të shkaktojë implikime fiskale shtesë, për arsye se shtesat e rrogës për të punësuarit do të konfirmohen në pajtim me mundësitë rrjedhëse buxhetore”, ceket në kumtesë.
Me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për ekzekutim të Buxhetit për vitin 2021 është rregulluar se shtesa e rrogës do të paguhet nëse në Buxhet ka mjete të siguruara për këtë dedikim.
“Gjithashtu, edhe në vetë Dekretin është cekur se shtesa e rrogës mund të paguhet edhe në shumë më të vogël se 30 për qind, varësisht nga mjetet e siguruara në shfrytëzuesin buxhetor. Kjo do të thotë se pagesa e shtesës së rrogës dhe vlera e saj është në varësi nga hapësira fiskale dhe mjetet e lira të cilat i ka në dispozicion shfrytëzuesi buxhetor”, cekë shërbimi qeveritar për shtyp.
Theksojnë edhe se Qeveria i vlerëson lartë të drejtat e punëtorëve dhe udhëhiqet nga ajo se duhet të ketë parim të shpërblimeve, nëse punëtori ka kryer numër të madh të detyrave të punës sipas vëllimit dhe cilësisë. Njejtë siç ka edhe parim të ndëshkimeve nëse nuk kryhen detyrat e punës.
“Qeveria i udhëheqë politikat ekonomike në mënyrë komplementare me mbështetje të sektorit privat, ngritjes sistematike të pragut të rrogës minimale nga viti në vit dhe me fokus të të drejtave të punëtorëve”, shtohet në kumtesën qeveritare.