Sot, në zyrën e deputetëve të koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa u zhvillua një takim mes partive opozitare në vend në prag të zgjedhjeve lokale.
Ishin kryetarët e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela dhe kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, të cilët e pritën në takim kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Hristjan Mickoski.
Tema e këtij takimi ishin zgjedhjet e ardhshme lokale dhe mundësia për bashkëpunim opozitar midis këtyre partive, me motiv kryesor luftën kundër krimit dhe korrupsionit në komunat e udhëhequra nga LSDM-BDI.
Tre kryetarët vunë në dukje se duke u nisur nga raporti i Transparency International, sipas të cilit Maqedonia renditet në vendin e 111-të, vend ky më i keqi deri tani, bashkëpunimi i opozitës është i pashmangshëm, në mënyrë që njësitë e vetëqeverisjes lokale të çlirohen nga qeverisja korruptive, nga harxhimi jotransparent i të hollave të qytetarëve dhe keqpërdorimi i pushtetit nga qeverisja LSDM-BDI në të gjitha nivelet e qeverisjes.
Prandaj, konstatuan ata, është e nevojshme të bashkëpunohet në mënyrë që komunat të jenë institucione në shërbim të qytetarëve, me zhvillim lokal të fortë dhe të barabartë ekonomik, me mbështetje buxhetore për decentralizimin në fushat e arsimit, kulturës dhe sportit, si dhe me përpjekje më të mëdha për të qenë komuna të gjelbra të cilat do të sigurojnë ajër të pastër dhe do të mbrojnë mjedisin jetësor.