Maqedonia, vendi me më shumë vdekje nga Covid-19 në Europë

Maqedonia

Maqedonia, vendi me më shumë vdekje nga Covid-19 në Europë

Më: 2 shtator 2021 Në ora: 08:46
Foto ilustrim

Situata me pandeminë e koronavirusit Covid-19 në Maqedoninë e Veriut po bëhet keq e më keq. Dhjetëra vdekje në ditë e qindra raste të reja të të infektuarish regjistrohen për çdo ditë, ndërsa spitalet janë të stërmbushura. Sipas raportit të Covid Data Check, për periudhën nga 17 Gushti e deri më 31 Gusht të këtij viti, Maqedonia e Veriut është vendi me më shumë vdekje të regjistruara në krejt Europën në raport me numrin e popullsisë. Shkalla e vdekshmërisë për 100 mijë banorë në Maqedoni është 16.4, duke kryesuar bindshëm tabelën para Malit të Zi që gjendet në vendin e dytë me 11.6 vdekje për 100 mijë banorë, përcjell in7.

Rekorde të tilla të zeza për Maqedoninë e Veriut u regjistruan edhe në periudhën e mëhershme të pandemisë, gjatë valës së parë dhe të dytë të infektimeve. Vala aktuale filloi furishëm menjëherë pas sezonit turistik, dasmave, ahengjeve dhe heqjes thuajse të tërësishme të kufizimeve anticovid gjatë stinës së verës.

Ndryshe në Maqedoninë e Veriut vetëm në 24 orët e fundit nga gjithsej 6006 testime, janë regjistruar 906 raste të reja me Covid-19, kanë humbur jetën 26 persona, ndërsa janë shëruar 343 pacientë, informojnë nga Ministria e Shëndetësisë (MSH).

Nga 26 viktimat, tetë persona janë nga Shkupi, gjashtë nga Tetova, Struga tre, nga dy persona nga Gostivari dhe Kërçova dhe nga një person në Prilep, Ohër, Dibër, Vinicë dhe Kratovë.

Nga gjithsej 906 të sapoinfektuar, më së shumti janë nga Shkupi – 423, Tetova – 68, Kumanova – 60, Gostivari – 51, Strumica – 39.

Për momentin aktiv janë 14.785 raste edhe atë më shumë në Shkup– 5802, Tetovë – 2004, Gostivar – 1204 dhe Kumanovë– 922.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat