Nuk kam informacione për trupa shtesë, për momentin janë 14 trupa dhe mendoj se aq do të mbeten, kështu deklaroi drejtori i Institutit për Mjekësi Ligjore në Shkup, Aleksandar Stankov. Stankov në një deklaratë për Sitel tha se autopsia e 14 viktimave nga zjarri i djeshëm në kovid-spitalin në Tetovë pritet të përfundojë sot ndërkaq nuk dha afat kohor për identifikimin e viktimave.
“Pas orës 1 të mesnatës janë 14 trupa. Autopsia ka nisur qysh në mbrëmje. Janë formuar ekipe që do të punojnë në autopsi dhe në identifikim të trupave. Presim që sot të përfundojnë autopsitë, ndërsa për identifikim do të shohim ta realizojmë sa më shpejtë të jetë e mundur dhe t’i dorëzojmë viktimat tek të afërmit”, tha Stankov.
Stankov thekson se vetëm pas përfundimit të autopsisë do të dihet nise ka nevojë për realizimin e analizave të ADN-së për identifikim të viktimave.
“Do të shohim nëse do të ketë nevojë për analizë të ADN-së për të gjitha trupat, pasi të përfundojë të gjitha 14 autopsitë. Të shohim se çfarë mund të përdoret nga metodat klasike për identifikim dhe çfarë për ADN”