VOA: Jep dorëheqjen kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev

Maqedonia

VOA: Jep dorëheqjen kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev

Më: 31 tetor 2021 Në ora: 23:22
Zoran Zaev

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dha dorëheqjen të dielën pasi partia e tij humbi në raundin e dytë të zgjedhjeve për pushtetin komunal. Ai shpalli edhe dorëheqjen nga posti i kryetarit të Lidhjes Social Demokrate.

"Unë marr përgjegjësinë për këto zhvillime dhe jap dorëheqjen nga posti i kryeministrit dhe kryetarit të partisë," tha zoti Zaev, socialdemokratët e të cilit drejtojnë koalicionin qeverisës.

Partia e tij pësoi humbje në komunat e Shkupit, Kumanovës, Manastirit, Ohrit dhe në një sërë komunash të tjera përballë VMRO-DPMNE-së në opozitë. Zoti Zaev uroi kundërshtarët politik për fitoren në raundin e dytë të zgjedhjeve.

Mbetem me besimin e vjetër se nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Do të qëndroj për një periudhë sa të jetë e nevojshme, për të organizuar qeverinë e re me një shumicë përparimtare që ka e që mund edhe të zgjerohet”, u shpreh zoti Zaev.

Ai tha se është krenar me arritjet e vendit, siç është anëtarësimi në NATO dhe regjistrimin e popullsisë që u mbajt para pak javësh. Ai u shpreh i dëshpëruar nga ana tjetër, për faktin se siç tha, “shumica zgjodhi ata të cilët vetëm para katër vitesh u futën në parlament për të vrarë njerëz. U barazuan viktimat me dhunuesit. Unë solla lirinë dhe demokracinë, ndërsa demokracia nënkupton përgjegjësinë”, u shpreh zoti Zaev.

VMRO-DPMNE, kërkoi menjëherë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme./VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat