Policia me apel: Pastroni dy herë oxhaqet

Maqedonia

Policia me apel: Pastroni dy herë oxhaqet

Më: 2 nëntor 2021 Në ora: 21:11
Foto ilustrim

Tashmë me fillimin e sezonit të ngrohjes, rritet mundësia për shpërthim të zjarrit për arsye të ndryshme. Prandaj, SPB në Tetovë apelon te qytetarët që gjatë sezonit të ngrohjes, që tashmë të filluar dhe në periudhën e ardhshme do të intensifikohet dukshëm, të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm në këtë drejtim. Sipas policisë së Tetovës, apeli bëhet për arsye se do të rriten shumë mundësitë e shpërthimit të zjarrit, para së gjithash për shkak të ndikimit njerëzor, neglizhencës, instalimeve elektrike me defekte dhe të ngarkuara nëpër objekte ose oxhaqe të pa pastruara në kohë. Zjarret e këtilla, sipas policisë, janë vështirë të kontrollueshme.

“Udhëzohen qytetarët që të mos i lënë ndezur ngrohëset kur dalin nga shtëpia apo ambientet e biznesit për një kohë të gjatë, sidomos ngrohëset, kondicionerët apo shporetet me dru, sepse mjafton një shkëndijë e vogël, të përhapet në zjarr me përmasa të mëdha ku mund të shkaktohen pasoja të rënda materiale dhe tjera, veçanërisht në ndërtesat e banimit, ku zjarret janë shumë më të vështira për t’u lokalizuar”, theksoi Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB në Tetovë.

Nga ana tjetër, policia rikujton se duhet një kujdes i shtuar në këtë drejtim, sepse në shumë banesa kolektive qasja është e vështirë e automjeteve të shuarjes së zjarrit. “Për arsye se në shumë prej objekteve të banimit të zonës, sidomos në ato më të vjetrat, mungojnë mjetet e fikjes së zjarrit ose ato ekzistuese janë jofunksionale, kurse qasja deri tek ato është e vështirë, kryesisht për shkak të ndërtimeve apo pengesave të tjera”, deklaroi Rexhepi.

Nga njësia e zjarrfikësve në Tetovë theksojnë se mospastrimi i oxhaqeve paraqet rrezik potencial për shpërthim të zjarreve. “Zakonisht në këtë periudhë përdoret druri për ngrohje nga i cili formohet shtresë e trashë dhe e njëjta krijon temperaturë të lartë që shkakton zjarr. Gjatë kësaj kohe ka pasur shumë zjarre të këtilla, por në të njëjtat është intervenuar në kohë dhe nuk ka pasur rreziqe më të mëdha”, thonë nga njësia e zjarrfikësve në Tetovë.

Policia e Tetovës këshillon qytetarët që dy herë brenda vitit të pastrojnë oxhaqet, ndërsa shkaktimi i zjarrit është vepër penale ku parashihet edhe burg. “Këshillohet që të paktën dy herë në vit të pastrohen oxhaqet dhe të mos mbingarkohen instalimet duke ndezur njëkohësisht disa pajisje elektrike. Sektori për Punë të Brendshme të Tetovës bën me dije se shkaktimi i zjarrit është vepër penale ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’ për të cilin sipas nenit 288 të Kodit Penal është paraparë dënim me burg prej gjashtë muajsh deri në pesë vjet”, njofton zëdhënësi Rexhepi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat