Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë, Branko Azeski vlerëson se duhet të shpallet krizë energjetike dhe siguron se kompanitë nuk do të përballen me restriksione.
“Kjo punë nuk mund të kalojë pa u shpallur krizë energjetike në shtet. Nuk e di si janë ingerencat në konstelacionin aktual të Qeverisë që është në dorëheqje për momentin, por krizë duhet të shpallet që më lehtë t’i sjellë vendimet në momentin kur të nisë konsumi i madh me ndryshimin e kushteve kohore dhe me rezervat që i kemi”, theksoi Azeski.
Thotë se me siguri do të vijë drejt bashkimit të kompanive për blerjen e energjisë elektrike për të gjithë vitin 2022 me çmim fiks të cilin do ta paguajnë me avancë me çka do t’i sigurojnë sasitë e nevojshme.
“Përveç kësaj që bashkëpunojmë me Qeverinë, ne kërkojmë edhe zgjidhjet tona. I kemi disa mundësi të cilat jemi duke i shqyrtuar. Me siguri do të vijë drejt bashkimit të kompanive për blerjen e energjisë elektrike për të gjithë vitin 2022 me çmim fiks dhe do ta paguajm me avancë dhe kështu do t’i sigurojmë sasitë e nevojshme që të përgatitur ta presim fillimin e vitit. Ka mundësi për përfshirjen tonë në aktivitetet që i ndërmerr shteti për ngritjen e shkallës së prodhimit të energjisë elektrike, ndërsa do të ketë edhe hapa solidarë të cilat do t’i bëjmë si Ballkan Perëndimor, si Këshill drejtues i Forumit Investues të Odës ku unë jam bashkëkryesues”, thotë Azeski.