Arjanit Hoxha nga Lëvizja Besa sot tha se përveç dorëheqjes së tij nga posti i ministrit të Bujqësisë në Maqedoninë e Veriut, dorëheqje japin edhe dy zëvendësministra nga radhët e Lëvizjes Besa, respektivisht dorëheqje jep zëvendësministri i Kulturës, Sedat Sulejmani si dhe zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Arafat Shabani.
“Ashtu si kam premtuar që nga java e kaluar, se për shkak të cenimit të demokracisë në zgjedhjet lokale, nga një pjesë e këtij pushteti me në krye zv/kryeministrin nga BDI, ku u cenua e drejta e demokracisë në vend, me metoda manipuluese që vazhdoi për fat të keq edhe gjatë ditës së djeshme, unë jap dorëheqje nga pozita e ministrit, së bashku me dy zëvendës ministrat në Qeveri”, deklaroi Hoxha në konferencën për shtyp, i shoqëruar nga zv.ministrat Shabani dhe Sulejmani.
Hoxha nuk përjashtoi mundësinë që në të ardhmen nga ky subjekt të vazhdojnë bashkëpunimin me “Alternativën”. Hoxha thotë se vetëm të bashkuar mund të rrëzojnë Bashkimin Demokratik për Integrim.
“Absolutisht, për ne nuk ka asnjë problem. Sa i takon Alternativës, duhet ata të shprehen. Shansi është historik. Kjo mundësi që na u dha për ta rrëzuar BDI-në, ishte sinjali që t’i tregojmë popullatës se vetëm të bashkuar mund të rrëzojmë BDI-në”, tha mes tjerash ai.
Tutje, ai theksoi se mos-prezenca e Kastriot Rexhepit në Kuvend, tradhti ndaj partisë.
“Mos-prezenca në seancën e Kuvendit është tradhti ndaj partisë, sepse ka qenë një ndër iniciatorët në postime për rrëzimin e kësaj Qeverie. Nuk dua të projekcionoj tash, pasi që e dini se si ka rrjedhur situata dje, dhe e dini se në çfarë gjendje ka qenë edhe video-incizimi. Në rast se njeriu ka dhënë nën presion, duam ta dëshmojmë nga vet ai, në rast se është qëndrim i tij, është individual, dhe nuk ka të bëj me organet e partisë”, tha mes tjerash Hoxha