Ambasadat e huaja në vend shprehin ngushëllimet e tyre për familjet e viktimave të aksidentit të rëndë automobilistik që ndodhi herët në mëngjes në Bullgari, ku humbën jetën 46 persona.
“Ngjarjet tragjike në Bullgari i ndjekim me pikëllim dhe dhimbje të madhe. I shprehim ngushëllimet tona më të thella familjeve të viktimave dhe të gjithë qytetarëve të tjerë të prekur nga ky rast në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të lënduarve u urojmë shërim të shpejtë”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Sllovenisë në Shkup.
Ambasada franceze gjithashtu shpreh ngushëllimet më të thella për familjet dhe të afërmit e viktimave të aksidentit tragjik në Bullgari, duke i uruar të lënduarve shërim të shpejtë.
Ambasada holandeze në vend shprehu ngushëllimet më të thella për familjet dhe miqtë e atyre që humbën jetën në aksidentin tragjik të autobusit herët në mëngjes.
“Shprehim ngushëllimet tona të sinqerta për familjet e viktimave në këtë aksident tragjik që ndodhi në orët e hershme të mëngjesit në Bullgari”, thonë nga Ambasada e Holandës.