Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani ndodhet në Sofje të Bullgarisë, ku është takuar me prokurorin e shtetit bullgar për të biseduar lidhur me procesin e hetimit të ngjarjes tragjike që ua mori jetën 46 personave.
Osmani në një lidhje direkte nga Sofje, ka thënë se identifikimi i të vdekurve ka filluar të bëhet, ndërsa sipas tij, kjo do të zgjasë deri në shtatë ditë.
“Identifikimi ka filluar të bëhet dhe do të zgjasë 7 ditë. Pas identifikimit të trupave do të organizojmë transport të tyre deri në Shkup”, tha Osmani.
Ai tha se bashkë me prokurorin bullgar kanë konstatuar se spekulimet rreth shkaqeve të aksidentit, vetëm se e dëmtojnë procesin e hetimit.
“Pas përfundimit të hetimeve do të organizohet transporti i trupave të pajetë. Biseduam edhe për hetimin, për spekulimet, me ç’rast konstatuam se spekulimet nuk ndihmojnë, përkundrazi dëmtojnë procesin e hetimit”, tha Osmani.