Varrosen trupat e pajetë nga aksidenti në Bullgari

Maqedonia

Varrosen trupat e pajetë nga aksidenti në Bullgari

Më: 3 dhjetor 2021 Në ora: 12:05
Homazhe në nderim të viktimave të aksidentit me autobus, trupat e të cilëve nga Bullgaria u dërguan me avionë ushtarakë në Aeroportin e Shkupit, 3 dhjetor 2021.

(E plotësuar 15:25) - Të premten, më 3 dhjetor, në Maqedoninë e Veriut janë dorëzuar trupat e pajetë të 45 personave që vdiqën më 23 nëntor, në Bullgari në aksidentin me autobusin e agjencisë “Besa Trans”.

Trupat e viktimave janë bartur me dy avionë ushtarakë bullgarë, ndërsa në Aeroportin e Shkupit janë pritur nga drejtuesit më të lartë të institucioneve e përfaqësues nga Kosova e Shqipëria, dhe më pas në mënyrë të organizuar u janë dorëzuar familjarëve në vendbanimet e tyre ku edhe janë varrosur.

Në mesin e viktimave ishin edhe 12 fëmijë, ndërsa shumica kanë qenë familjarë që kishin udhëtuar në Stamboll të Turqisë për një vizitë treditore. Të gjitha viktimat kanë qenë shtetas të Maqedonisë së Veriut me etni shqiptare.

Image
Me avionë ushtarakë Bullgaria barti për në Aeroportin e Shkupit trupat e viktimave të shtetasve maqedonas, që vdiqën në aksidentin me autobus në Bullgari.

Aksidentit i kanë mbijetuar shtatë udhëtarë, të cilët janë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.

Ende nuk dihen shkaqet e aksidentit të autobusit, i cili ka marrë flakë pas përplasjes së bankinat e autostradës “Struma”, rreth 40 kilometra nga Sofja, por disa hetues e prokurorë bullgarë nuk e kanë përjashtuar mundësinë që shkëndijat që janë paraqitur nga përplasja e autobusit të kenë nxitur zjarrin.

“Në momentin e aksidentit, në gomën e përparme të autobusit është ‘varur’ një copë e madhe e bankinës që ndanë korsinë e autostradës, e cila pas përplasjes në pjesën tjetër është gjetur e lakuar si ‘fizarmonikë’ duke shkaktuar fërkime dhe shkëndija…Mund të imagjinoni se çfarë fërkimi dhe shkëndija mund të jenë paraqitur”, ka deklaruar Marian Mihailov për televizionin BTV.

Ai ka refuzuar të zbulojë publikisht shkakun e zjarrit pasi, sipas tij, kjo është "lënë në duart e ekspertëve", të cilët tashmë kanë "pistat e tyre të hetimit".

Paraprakisht, edhe zëvendëskryeprokurori bullgar, Borislav Sarafov, nuk e kishte përjashtuar mundësinë që shkaktari i zjarrit të ketë qenë përplasja e autobusit në bankinën e autostradës.

"Shkak i mundshëm i zjarrit ka qenë përplasja e autobusit në anën e djathtë të bankinës, ndërsa pjesë të saj kanë shkaktuar shkëndija në pjesën e poshtme të autobusit duke shkaktuar më pas ndezjen e karburantit dhe të vajrave tjerë”, ka deklaruar Sarafav në Sofje më 25 nëntor.

Edhe prokurorët maqedonas nuk e kanë përjashtuar mundësinë që zjarri të jetë shkaktuar nga shkëndijat, të cilat janë shndërruar në zjarr të fuqishëm pas përplasjes së autobusit me bankinat e hekurta përgjatë autostradës.

“Nafta shumë vështirë digjet, por është e mundur të ketë pasur shumë shkëndija pasi shoferi fillimisht ka goditur parmakët me pjesën e djathë të autobusit duke shkulur shtatë apo tetë shtylla metali, pastaj ka kaluar në anën e majtë ku, po ashtu, ka goditur parmakët dhe sërish ka kaluar në anën e djathë që pastaj të përfundojë sërish në anën e majtë ku supozojmë të jenë paraqitur shkëndija të mëdha pas çka edhe ka marrë flakë. Por, duhet të presim hetimet dhe analizat për të pasur një raport përfundimtar mbi shkaqet e aksidentit”, ka deklaruar prokurorja e krimit të organizuar dhe korrupsionit, Vilma Ruskoska.

Ajo ka thënë për mediat lokale në Shkup se prokuroria po heton edhe lëshimet tjera që janë bërë brenda territorit të Maqedonisë së Veriut, në veçanti me licencat për transport të udhëtarëve.

“Në Prokurorinë Themelore të Shkupit ka nisur një procedurë parahetimore, jo për shkaqet e aksidentit, por për aspekte tjera, e në veçanti ajo që doli në opinion se si është e mundur që autobusi i aksidentuar vetëm gjatë këtij viti të ketë kaluar 135 herë kufijtë e Maqedonisë së Veriut pa licencë për transport ndërkombëtar të udhëtarëve. Nuk mund të them nëse ka pasur një krim organizuar pasi këtë do ta tregojë hetimi”, ka deklaruar Ruskoska.

Bullgaria, me 6.9 milionë banorë, është përballur me disa aksidente rrugore vdekjeprurëse edhe në të kaluarën.

Aksidenti i fundit ka ndodhur më 2018, kur 17 turistë bullgarë kanë vdekur pas rrëshqitjes dhe rrokullisjes së autobusit, si pasojë e lagështisë.

Aksidentet zakonisht janë shkaktuar për shkak të kushteve në rrugë, makinave të vjetra dhe shpejtësisë.

***

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit ka përfunduar ceremonia e pranimit të kufomave të 45 viktimave të aksidentit tragjik në Bullgari.

Në ceremoni morën pjesë kreu shtetëror nga vendi, Shqipëria dhe Kosova

***

Në aeroportin e Shkupit në nxjerrjen e 45 trupave të pajetë nga aeroplanët të cilët i sollën ditën e sotme në cermoni marrin pjesë gjithë funksionarët e shtetit nga presidenti Pendarovski, kryeparlamentari Xhaferi, kryeministri Zaev, zv.kryministri Grubi, Ali Ahmeti ministrat e vëndit.

Nga rajoni në këtë ceremoni marrin pjesë edhe zyrtarë të lartë mes tyre edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Ministri i Brendshëm i Shqipërisë Blendi Çuçi, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla dhe të tjerë.

45 trupat e pajetë pritet që sot t’u dorëzohen familjarëve të tyre, derisa sot po ashtu pritet të bëhet edhe varrimi i tyre.

Nga ana tjetër buqeta me lule tashmë janë vendosur në sheshin “Skënderbeu” në Shkup ku do të arrinë 45 kufomat të aksidentit tragjik të 23 nëntorit në Bullgari.

Aksidenti tragjik në Bullgari, mbërrijnë në Shkup trupat e pajetë

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit kanë arritur kufomat e 45 viktimave të aksidentit tragjik në Bullgari.

Dy aeroplanët u nisën sot nga aeroporti i Sofjes drejt Shkupit me trupat e pajetë të aksidentit. Fluturimi i avionëve u prolongua për disa orë për shkak të motit të ligë në Sofje.

Në aeroportin e Shkupit trupat e pajetë po i pret një delegacion i lartë shtetëror.

Një aksident tragjik ka ndodhur më 23 nëntor, rreth orës 3 pas mesnate në Bullgari, mbetën të vdekur 45 persona, pasi një autobus që po kthehej nga Turqia për në Maqedoni të Veriut u përfshi nga flakët.

Sipas raportimit të mediave, në mesin e viktimave kanë qenë edhe 12 fëmijë, pesë prej tyre të mitur.

Në autobus besohet të kenë qenë 53 persona. Aksidenti ka ndodhur në autostradën Struma rreth 45 kilometra në perëndim të Sofjes.

Prokuroria e Shtetit në Bullgari kanë konfirmuar se deri te aksidenti ka ardhur si pasojë e një shpërthimi, por se nuk dihet ende se çka e ka shkaktuar atë.

“Pamja po bëhet më e qartë çdo orë që kalon. Ekipet po marrin në pyetje viktimat në Pirogov, dy prej tyre janë në gjendje të japin shpjegime, të tjerët janë në shok ose në reanimacion, edhe pse pa rrezik për jetën. Po ashtu janë marrë në pyetje dëshmitarët okularë në vendngjarje”, në një konferencë zv/kryeprokurori i shtetit, Borislav Sarafov.

Sipas informacioneve fillestare, autobusit i ka plasur goma e përparme djathtas, e më pas është përplasur në parmakë dhe është zvarritur. Në atë moment është derdhur karburanti që lidhet me ngrohjen në autobus, pas çka ka rënë zjarri. Kjo ka ndodhur në pjesën e përparme të autobusit.

Në aksident ka humbur jetën edhe shoferi. 7 persona – 2 gra dhe 5 burra, kanë shpëtuar dhe janë vendosur në spitalin “Pirogov”.

Kujtojmë se në mesin e viktimave, shumica nga ta raportohet se janë shqiptarë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat