Kryeministri i Republikës së Bullgarisë, Kiril Petkov, ka dhënë deklaratë me rastin e 30 vjetorit të njohjes së pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së atëhershme.
Deklarata e kryeministrit është publikuar në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave në Facebook.
“Sot bëhen 30 vjet nga njohja e pavarësisë së Republikës së atëhershme të Maqedonisë. Më 15 janar 1992, qeveria e Filip Dimitrov ishte e para që mbrojti të drejtën e miqve tanë maqedonas për të pasur shtetin e tyre.
Kështu, Bullgaria ka treguar se dëshiron të ketë marrëdhënie reale të vullnetit të mirë dhe dialogut mes dy vendeve tona.
Sot ne kemi detyrimin të rivendosim klimën e mirëkuptimit mes nesh, sepse së bashku mund të bëjmë më shumë”, tha Kiril Petkov.
Kryeministri bullgar ditën e martë (18 janar) do ta vizitojë Shkupin.