Partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE e ka vlerësuar si të pasuksesshëm dhe jo të plotë Regjistrimin e popullsisë, pasi që sot u shpallën rezultatet zyrtare.
“Numrat e regjistrimit janë tregues për dështim, sepse ka një valë të madhe të ikjes së qytetarëve nga vendi. Kemi një operacion të bërë me një sërë vërejtjesh dhe me shumë politikë dhe prandaj besojmë se secili ka të drejtë të dyshojë në shifra”, theksoi Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE.
Sipas tij, regjistrimi ashtu sic është bërë tregon shifra alarmante që janë humbëse për të gjitha komunat përvec Qytetit të Shkupit, por edhe për tërë shtetin, sidomos për faktin se kemi numër shumë të madh të emigrimit.
“Këtë regjistrim pushteti po dëshiron ta tregoj si sukses, por ikja e qytetarëve nga vendi tregon se nuk ka sukses”, theksoi Milloshoski.
Ai po ashtu nënvizoi se numri prej 7.2% të qytetarëve të padeklaruar tregon se ky regjistrim është i pakompletuar, por edhe përshkak se këta qytetarë nuk janë përfshirë në regjistrim.
Ai shtoi se ky operacion është i ndikuar tejmase nga politika dhe qeverisja aktuale.
“VMRO-DPMNE duke e vlerësuar këtë regjistrim si të pakompletuar obligohet që pas ndërrimit të pushtetit të realizojë një regjistrim të pastër elektronik sipas të gjitha standarteve, që do të jetë i kompletuar, i besueshëm dhe ku nuk do të jenë mungesat që tanimë janë me këto shifra të regjistrimit”, deklaroi Milloshoski.