Drejtori i AZGj-së, Ylber Sela, realizoi takim pune me përfaqësuesit e Misionit të OSBE-së në Shkup, i udhëhequr nga Katarina Zhivkoviq, asistente e programit të Misionit.
Temë e diskutimit ishte vazhdimi i bashkëpunimit të shkëlqyeshëm mes dy institucioneve dhe zbatimi i aktivitetit të ri dhe të përbashkët, që është në plan të realizohet gjatë muajit maj. Bëhet fjalë për trajnim disaditor për përmirësimin e aftësive për përkthim simultan, që është i dedikuar nëpunësve të Sektorit të përkthimit dhe të lekturimit të AZGj-së.
Me mbështetjen e Misionit të OSBE-së do të sigurohet ndihmë nga ekspertët për realizimin e trajnimit, prej të cilëve dy trajnues më me përvojë të kësaj fushe, Blerina Starova Zllatku dhe Llukrecija Malkoviq Atanasovska.
Drejtori Sela i falënderoi për mbështetjen e deritanishme nga ana e Misionit të OSBE-së dhe theksoi se zbatimi i aktiviteteve të përbashkëta projektuese, që janë të identifikuara si prioritare, janë me rëndësi të veçantë për institucionin dhe për atë qëllim, AZGj-ja gjithmonë do të jetë e hapur për bashkëpunim.