Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria ende shkëmbejnë ide për zgjidhjen e kontestit

Maqedonia

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria ende shkëmbejnë ide për zgjidhjen e kontestit

Më: 10 prill 2022 Në ora: 16:13

Katër muaj pas fillimit të strategjisë së re për bashkëpunim me Bullgarinë, në më shumë fusha dhe me dinamikë më të madhe, dy qeveritë ende janë në fazën e “shkëmbimit të ideve”.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski në bisedë për Agjencinë “AIM” thotë se “ende nuk ekziston dokument i përbashkët i pranueshëm”, që do të miratohej nga Sofja dhe nga Shkupi në mënyrë që të zhbllokohet rruga evropiane e vendit.

Në forumin ekonomik në Delfi, Greqi, Kovaçevski ka theksuar se SHBA-të dhe BE-ja sërish janë angazhuar për përshpejtim të procesit, por përmes tejkalimit të çështjeve të hapura politike me Bullgarinë fqinje.

U organizuan një sërë takime të grupeve maqedonase-bullgarë të punës për bashkëpunim më të mirë në transport, kulturë, arsim, është vendosur linja e fluturimit në mes dy kryeqyteteve, por dallimet kryesore në mes Sofjes dhe Shkupit vazhdojnë të mbeten, me këtë edhe bllokada e negociatave aderuese e Maqedonisë së Veriut dhe e Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, në intervistë për “AIM” thotë se në forumin në Delfi, Greqi, është përsëritur angazhimi i BE-së dhe SHBA-ve për përshpejtim të procesit, por me tejkalim të kontestit dypalësh.

“Për momentin, si edhe në periudhën e kaluar, procesi është në nivel të shkëmbimit të ideve dhe ende nuk ekziston dokument i përbashkët i pranueshëm, i cili do të mund të ndahet për miratim në të dyja shtetet në nivel të institucioneve të cilat duhet ta bëjnë këtë”, tha Kovaçevski.

Presidenti bullgar Rumen Radev dje i ka këshilluar këshillëtarët e Kryeministrit Kiril Petkov të mos bien pre e kushteve të vendosura, por e rezultateve të negociatave. Çdo lëshim nga interesi kombëtar bullgar do të shkaktojë krizë të re të Qeverisë, paralajmëroi Radevi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat