Dendias: Mbështesim Maqedoninë dhe Shqipërinë në rrugëtimin e tyre drejt BE -së

Maqedonia

Dendias: Mbështesim Maqedoninë dhe Shqipërinë në rrugëtimin e tyre drejt BE -së

Më: 25 maj 2022 Në ora: 20:42
Nikos Dendias

“Greqia po punon shumë për të garantuar paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon. Unë besoj se e vetmja mënyrë për të arritur këto synime është një mbështetje e qartë dhe e plotë për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Besojmë thellë se negociatat me Maqedoninë dhe Shqipërinë duhet të fillojnë menjëherë”, tha ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias sot gjatë vizitës në Shkup.

Dendias theksoi se ata e mbështesin qartë perspektivën evropiane të Maqedonisë dhe se vizita e tij në Shkup është për të treguar se ata janë “së bashku në rrugën drejt Evropës”.

“Ne konsiderojmë se jemi aleati juaj i ngushtë, do të bëjmë përpjekjet e duhura për të përmirësuar marrëdhëniet mes vendeve tona në nivel dypalësh dhe kjo mbështetet nga Plani i Veprimit i miratuar nga Këshilli i parë i Lartë i Bashkëpunimit”, tha Dendias, duke theksuar se Greqia është e përkushtuar në zbatimin e duhur të Marrëveshjes së Prespës.

Ai bëri të ditur se ka interesim të madh të një kompanie të madhe greke për të investuar në Maqedoni, e bëhet fjalë për një termocentral, investim prej 200 milionë eurosh.

“Më vjen mirë që ekonomia jonë po bashkëpunon më ngushtë dhe më e fortë se asnjëherë tjetër dhe tashmë kemi arritur në nivelet që ishim para pandemisë dhe është një kënaqësi e madhe për ne të dëgjojmë se investimet greke janë në një nivel shumë të lartë në vendin tuaj”, tha Dendias.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat